Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Faleminderit shumë për fjalën zonja Hajdari,

I nderuar President,

Kryetar i Kuvendit,

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar Ambasadorë,

Këshilli Evropian vendosi çeljen e negociatave për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë, duke ju përgjigjur pozitivisht të gjithë kursit të reformave që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve. Në vijim të tre raporteve dhe rekomandimeve pozitive të Komisionit Evropian, vendet anëtare, njëzëri, vlerësuan progresin e konsiderueshëm të Shqipërisë, në reformën ne drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratën publike dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, sa i përket të drejtave dhe lirive themelore.

Vlen të theksohet se raporti i fundit i Komisionit Evropian, jo vetëm shpalos rezultatet e reformave të Shqipërisë ndër vite, por në fakt e konsideron Shqipërinë edhe shembull në rajon në shumë çështje, duke filluar nga reforma në drejtësi, e deri tek fakti se Shqipëria linjëzon politikën e saj të jashtme, në mënyrë absolute me politikën e jashtme dhe  të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, duhet nënvijëzuar se çelja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk është vetëm kurorëzim i arritjeve, por realisht është edhe hapje e kapitujve të sfidave të shumta dhe detyrave të reja dhe nga ajo që vërejmë nga të gjitha praktikat e mëhershme të negocimit për anëtarësim, një gjë është fare e qartë, që adresimi i të gjitha detyrimeve që kërkon ky proces, nuk është thjesht çështje e shkathtësive profesionale, nuk është thjesht çështje e kapaciteteve teknike apo e mobilizimit institucional, por realisht para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkon vullnet politik.

Ndaj, duke pasur parasysh që ne jemi përfaqësues politikë dhe pjesë e strukturave institucionale të një shoqërie që në masën prej 95% mbështet aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke pasur po ashtu parasysh faktin që pavarësisht dallimeve të brendshme të gjitha partitë politike në Shqipëri ruajnë frymën evropiane në themelet e tyre programore, është tepër e rëndësishme që të kemi konsensus dhe të vazhdojmë përpara me adresimin e të gjithë objektivave që janë të nevojshëm, fillimisht për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe pastaj për adresimin e të gjitha çështjeve që do të paraqiten në kornizën negociuese.

I vetëdijshëm për kufizimet kohore dhe po ashtu, i interesuar që të zhvillojmë një diskutim më interaktiv lidhur me Planin e Veprimit, unë nuk po i lexoj ato që tashmë janë në dorën tuaj, në draftin që kemi dorëzuar, por po i parashtroj disa komente politike që janë besoj të vlefshme në shërbim të sqarimit të përmbajtjes së dokumentit dhe të një diskutimi më politik, sa i përket kapaciteteve të Shqipërisë, për të pasur një rrugëtim të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian dhe për këtë qëllim unë dua të bëj vetëm tre komente.

E para lidhet drejtpërdrejt me kapacitetet teknike dhe aftësinë e skuadrës shqiptare për të vazhduar më tej në rrugën e integrimit. Nënvijëzoj se deri tani, kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet e Komisionit Evropian, në adresimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizimi-Asociimit, përkundër faktit që kemi vepruar në kushte të rënda të imponuara nga pandemia COVID-19, megjithatë kemi kryer të gjitha nën komitetet e parapara për këtë vit, dhe natyrisht kemi një përmirësim të historikut të zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian. Po ashtu, nënvijëzoj se si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e përfundimeve të Këshillit në qershor të vitit 2018, tashmë kemi mbaruar shqyrtimin analitik të 35 kapitujve të legjislacionit evropian, pra kjo është pjesë e ushtrimit që kemi bërë në kuadër të procesit të sceening dhe kjo dëshmon jo vetëm që pala shqiptare do të hyjë në këtë proces me një përvojë më të madhe dhe me një ekspertizë më të dalluar, por realisht edhe do të kursejë kohë më shumë gjatë këtij procesi.

Nënvijëzoj që tashmë kemi mbyllur ngritjen e platformës së partneritetit me shoqërinë civile, ngaqë ky është një proces që nuk ju takon vetëm qeverisë, apo institucioneve të tjera të pavarura që janë të përfshira në këtë proces, por është edhe një proces që kërkon përfshirjen e të gjithë shoqërisë, në këtë kuptim besoj se kemi bërë hapat e duhur dhe të drejtë.

Por, është tepër e rëndësishme që të theksohet se tashmë kemi ngritur edhe strukturën shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave për lidhjen e Traktatit të Aderimit  në Bashkimin Evropian dhe ky grup është ndërtuar sipas parimit të përfaqësimit të duhur politik, përfshirjes së nevojshme të ekspertëve  dhe natyrisht dhënies së hapësirës së mjaftueshme të të gjithë diplomatëve që kanë autoritetin, përvojën dhe aftësitë e nevojshme për të udhëhequr këtë proces kaq delikat.

Dhe ashtu siç jeni në dijeni, ky proces do të udhëhiqet nga një diplomat me përvojë shumë të vyer në diplomacinë shumëpalëshe dhe që gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme, sikur Zef Mazi.

Sa i përket Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ai gëzon mbështetjen e plotë dhe të pakursyer, për të bërë më të mirën në punën e tij, që realisht është edhe detyra më e lartë politike që sot ka Shqipëria.

Komenti i dytë që dua të bëj, lidhet drejtpërdrejtë me prioritetet që kemi në planin e veprimit. Fillimisht, për të sqaruar diçka, fakti që ende nuk ka një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, nuk do të thotë se nuk ka filluar procesi i bisedimeve për anëtarësim. Meqenëse ashtu siç nënvijëzoi edhe Ambasadori Soreca, faza e parë në këtë proces është pikërisht përgatitja e kornizës negociuese nga Komisioni Evropian, që më pas do t’i prezantohet Këshillit.

Dhe kjo është vetëm duke ndodhur, ashtu sikurse ne jemi duke punuar me Komisionin Evropian për përgatitjen e planeve të veprimit për secilin kapitull. Ndaj, duke pasur parasysh, që procesi i negocimit vetëm ka filluar, është i nevojshëm edhe investimi sistematik në zbatimin e të gjitha detyrimeve, që në rastin e Shqipërisë kanë qenë parakushte për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Nënvijëzoj se në planin që keni pranë jush është një listë prioritetesh që dalin drejtpërdrejt nga përfundimet e fundit të Këshillit. Në plan të veprimit keni të ndara detyrat që janë parashtruar për Shqipërinë, afatet tentative kohore dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre.

Sidoqoftë, nënvijëzoj, dhe ky është një sqarim i domosdoshëm besoj, që në Planin e Veprimit që keni pranë jush vetëm shtatë prej kushteve të para janë të nevojshme për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe pjesa tjetër janë elementë që duhet të reflektohen në kornizën negociuese që realisht janë detyrat e Shqipërisë në të gjithë procesin negociator.

Pra, reforma elektorale, e cila tashmë vetëm gëzon ujdinë e palëve të përfshira në këtë proces dhe kjo ka qenë tepër e rëndësishme, pra jo vetëm për të rritur cilësinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, por edhe për të përmbushur një prej objektivave kryesore që ka parashtruar Bundestagu gjerman dhe Këshilli Evropian, në përgjithësi. Është funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, është forcimi i bashkëpunimit me vendet anëtare, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në zbatimin e Planit të Veprimit kundër krimit financiar, është ulja e numrit të azilkërkuesve dhe rishikimi i ligjit të mediave, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Menjëherë pas adresimit të këtyre çështjeve, Komisioni Evropian do të dalë me një raport që do të tregojë, nëse kushtet e vendosura nga vendet anëtare janë përmbushur me sukses dhe si rrjedhojë hapet mundësia, për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Dhe në fund, dua të ndërlidhem me një element që u ngrit edhe nga Presidenti i Republikës. Patjetër që duhet të jemi absolutisht të vetëdijshëm për faktin që negociatat do të zhvillohen me metodologjinë e re dhe metodologjia e re do të jetë më rigoroze dhe më strikte në qasje.

Mes të tjerash, një prej elementeve dalluese të metodologjisë së re është pikërisht mekanizmi i prapakthimit, në rast se progresi nuk është i duhur. Pra, sipas metodologjisë së re, nëse nuk do të ketë progres, do të ketë me automatizëm regres. Kjo do të thotë se status quo-ja më tej është e pamundur. Në këtë kuptim, është tepër e rëndësishme që të ndiqen përpikmërisht të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian, të zbatohen të gjitha kushtet që kanë ardhur nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme dhe Këshilli Evropian, të vazhdohet sjellja politike e Shqipërisë në raport me rajonin, ashtu siç është kërkuar në komunikimin e Komisionit, të shkurtit të vitit 2018, dhe të vazhdohet linjëzimi dhe sjellja evropiane ne politikën e jashtme, sa i përket çështjeve madhore që reflektojnë vlerat tona të përbashkëta.

Dhe në fund, patjetër, kjo nënkupton konsensus dhe komunikim të brendshëm, ngaqë përballë Bashkimit Evropian nuk duhet të sillemi si shumë e institucioneve apo partive politike, por realisht si një trup i vetëm shoqëror me një aspiratë të patjetërsueshme, që reflekton trashëgiminë tonë historike, interesat tona strategjike, vlerat tona kombëtare dhe mbi të gjitha është një instrument i reformave demokratike në Shqipëri.

Patjetër unë mbetem në shërbimin tuaj për t’ju dhënë përgjigje shtesë, apo për të ofruar të gjitha sqarimet e nevojshme që lidhen me Planin e Veprimit që ne sot po diskutojmë, por jo vetëm.