Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Faleminderit shumë për fjalën!

Përshëndetje të gjithëve,

Fillimisht dua të falënderoj kolegun tim, Ministrin Dimitrov, për qasjen e tijtepër bashkëpunuese dhe sjelljen e tij skajshmërisht miqësore, përgjatë vizitës time dy ditore në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm.

Vizita ime në Republikën e Maqedonisë së Veriut është gjithsesi më tepër sesa një vizitë simbolike. Kjo vizitë është edhe shprehje e domosdoshmërisë së thellimit të marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi dhe nevojës evidente të ngritjes së bashkëpunimit kuadër të procesit të integrimit evropian në veçanti.

Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vend fqinj i imponuar nga rrethanat e rastësishme gjeografike, por një shtet mik e partner strategjik marrëdhënia më të cilin kultivohet nëpërmes parimeve të dialogut të hapur dhe kooperimit efektiv.

Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka mbështetur përmbajtësisht Marrëveshjen e Prespës, si një shembull frymëzuar i zgjidhjes së çështjeve të trashëguara nga historitë e konteksteve të hapura dhe po ashtu Kuvendi ynë ka qenë ndër të parët në botë, mbase, që ka miratuar protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Padyshim pjesë e kësaj historie suksesi janë edhe vetë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët nga Marrëveshja e Ohrit e deri te Marrëveshja e Prespës, kanë dhënë një kontribut të patjetërsueshëm si faktor shtet formues dhe evropianizues për vendin.

Si mbështetës të këtij procesi, ne besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe progresi i përbashkët në rrugëtimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është një vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit në përgjithësi, kultivimit të paqes dhe stabilitetit dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërshtetëror në veçanti.

Sot bashkë me kolegun Dimitrov, kemi diskutuar për një varg çështjesh dhe gjithsesi kjo konferencë nuk është mbyllje e një takimi por në fakt është hapje e shumë mundësive të reja bashkëpunimi.

Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, për nevojën e zbatimit në praktikë të marrëveshjeve që vijnë nga mbledhja e fundit e përbashkët, po ashtu nevojës për të organizuar mbledhjen e përbashkët këtë vit, mbledhjen ndërqeveritare.

Po ashtu, kemi diskutuar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të evropian, jemi dakorduar që të fillojmë këmbimin e ekspertizës në kuadër të procesit screening dhe po ashtu të jemi zë  i fuqishëm të njëra tjetrës në procesin e hapjes së negociatave.

Besojmë që perspektiva jonë, jo vetëm që është e pandashme, por është edhe domosdoshmërisht e përbashkët, kur vjen çështja tek hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në qershorin e këtij viti. Po ashtu, kemi konfirmuar zotimin dhe përkushtimin që do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhëniet e shkëlqyera me njëra tjetrën.

Natyrshëm dua të përmend edhe faktin se mirëpresim vendimin për zbatimin e  ligjit për gjuhët, i cili, ne besojmë fuqishëm se vetëm do të forcojë bashkëjetesën dhe bashkëpunimin ndëretnik dhe në të njëjtën kohë do të kurorëzojë karakterin demokratik të këtij shteti.

Duke vlerësuar në fund, vendimi i hapjes së Konsullatës së Nderit në Manastir si shembull i forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në një nivel tjetër, unë  konfirmoj angazhimin tim të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyeshme që gëzon Shqipëria me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gazetari: Zoti Cakaj, ishit dje në takim me Kryetarët e partive politike shqiptare këtu në Maqedoni. Çfarë porosish u drejtuat atyre dhe çfare mesazhi morët nga ata?

Ministri Cakaj: Po dje kam takuar të gjithë liderët e partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ishte një shkëmbim i mendimeve tepër i sinqertë dhe fare i hapur për situatën e përgjithshme në vend dhe natyrisht u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit me tej në mënyrë që të koordinohemi me aktivitetet dhe të kemi një rol konstruktiv në përgjithësi.

Gazetari: Sigurisht ju në këtë takim keni folur edhe mbi gjendjen në rajon. Si e komentoni idenë e hedhur së fundi për korrigjime të kufijve mes Kosovës dhe Serbis si zgjidhje e përhershme midis këtyre dy vendeve. Pyetja është e njejtë për të dy ministrat.

Ministri Cakaj: Mendoj se është një pyetje që duhet tja drejtoni institucioneve të Kosovës. Shqipërisë i takon ta mbështes pozicionin e Kosovës në këtë proces. Ne kemi një rol suportues për marrëveshjen për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Konsiderojmë se çdo lloj marrëveshje duhet të përfundojë me njohjen  e ndërsjelltë që siguron përspektivë evropiane dhe premtuese në OKB për Kosovën. Nderkohë që përmbajtja e marrëveshjes dhe qëndrime të tjera natyrisht që duhet të konsumohen në hapësira institucionale në Kosovë dhe mua nuk më takon të jap një përgjigje më substanciale se kaq.

Gazetari: Ju në fjalimin tuaj përmendët dhe Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ndonëse qeveria aktuale pretendon se me zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve është implementuar dhe pjesa normative e kësaj marrëveshjeje për mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e të drejtave të barabarta të të drejtave të shqiptarëve, për prezantim në nivel lokal po ashtu dhe në nivel qëndror. Sa nga Ministri Dimitrov është marrë garanci për angazhimin e tij në këtë drejtim dhe sa nga qeveria të cilën ai përfaqëson?

Ministri Cakaj: Ne jemi përcjellës të vëmendshëm të zhvillimeve politike në Maqedonin e Veriut natyrisht, dhe po ashtu jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit institucional të këtij shteti dhe ne inkurajojmë zbatimin plotësisht si të Ligjit për Gjuhët dhe materializimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit në përgjithësi. Kjo është ajo çka mund të them aktualisht.