Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Lajmi për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë është absolutisht i pavërtetë!
Në fakt, bëhet fjalë vetëm për hyrjen në fuqi të sistemit që ndryshe njihet sikur ETIAS, e cili ka për qëllim rritjen e sigurisë së brendshme e forcimin e kufijve të Bashkimit Evropian.

Por, kjo nuk do të thotë se do të ketë aplikim për viza ose ndonjë praktikë të caktuar ekskluzivisht për shtetasit shqiptarë.

Realisht, bëhet fjalë vetëm për forcimin e instrumenteve të verifikimit të të dhënave të të gjithë shtetasve të huaj që hyjnë në hapësirën e Bashkimit Evropian.

Prandaj, e gjej të nevojshme të sqaroj tre keqkuptime themelore që kanë mbizotëruar në media e janë përfolur në publik këto ditë:

E para, nuk bëhet fare fjalë për rikthim të vizave apo për plotësim të formularëve të vizave, por realisht bëhet fjalë vetëm për plotësimin e një formulari online i cili do të gjenerojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash.

E dyta, nuk bëhet fare fjalë për një praktikë, e cila do të aplikohet ekskluzivisht për Shqipërinë por, kjo është një praktikë që do të përfshijë një listë të gjerë e të gjatë të shteteve të ndryshme duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia e që në vetvete, realisht, do të ngërthehen edhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

E treta ky sistem nuk do të hyjë në fuqi në vitin 2021. Në rastin më të mire, ky sistem do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2023, por edhe kjo mbetet një çështje e hapur marrë parasysh, faktin se Bashkimi Evropian zbatimin e këtij sistemi e diskuton që nga viti 2016.

Prandaj, të gjithë shtetasit shqiptarë ta kenë parasysh një gjë fare qartë dhe mirë: Nuk do të ketë rikthim vizash për ta dhe ata do të mund të lëvizin lirshëm, pa asnjë pengesë në të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian, ashtu siç bëjnë sot. Çdo përpjekje për të interpretuar zbatimin e sistemit ETIAS si rikthim vizash për Shqipërinë, ose dështim i Shqipërisë në rrugën evropiane është thjesht i pasaktë, thënë në mënyrën më të butë të mundshme. E vërteta është se, shtetasit e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojnë të lëvizin lirshëm në Evropë dhe se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në rrugën e saj evropiane, ashtu siç do të konfirmohet edhe nga Komisioni Evropian për pak orë.