Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Përshëndetje të gjithëve!

Fillimisht një falënderim për Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi për mikpritjen e ngrohtë dhe takimin jashtëzakonisht produktiv. Vizita ime sot në Podgoricë është konfirmim i relacioneve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona, por në fakt edhe shprehje e gatishmërisë për të thelluar bashkëpunimin në nivele më të larta se sa që kanë qenë deri tani.

Vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, janë pjesë aktive e nismave rajonale ku kemi pasur bashkëpunim të konsiderueshëm dhe tepër efektiv. E ndajnë ambicien e njëjtë dhe objektivin gjeo-strategjik për anëtarësimin në BE dhe natyrisht janë aleatë në kuadër të strukturave euro-atlantike.

Me mikun tim Srdan, sot, kemi diskutuar për të gjitha këto çështje në mënyrë të veçantë. Për interesin tuaj, unë do të shpalos disa segmente prej bisedave tona. Kemi diskutuar se si mbledhjet qeveritare të bëhen më efektive dhe të gjejmë mekanizma që sigurojnë zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara midis dy qeverive. Natyrisht jemi në fillim të punës për mbledhjen e ardhshme ndërqeveritare që pritet të mbahet këtë vit.

Kemi diskutuar edhe për proceset e rajonit, për angazhimin tonë që të kemi një rajon gjithnjë e më stabël e gjithnjë edhe më shumë demokratik dhe në këtë kuadër, po ashtu, mbetet skajshmërisht e vlerësuar mbështetja e palës malazeze për t’i dhënë Shqipërisë hapjen e negociatave, në qershor të këtij viti. Po ashtu, kemi diskutuar edhe për angazhimet tona në organizata multilaterale dhe për format e ndryshme të këmbimit të mbështetjes, qoftë në kuadër të kryesimit të Shqipërisë për OSBE në vitin 2020, qoftë për procese të mëtejshme që karakterizojnë agjendat e dy vendeve.

Unë mbetem në dispozicionin tuaj duke qenë jashtëzakonisht falënderues për takimin dhe kohën që keni ndarë për neve, për çdo pyetje që mund të jetë në interesin tuaj.

Gazetarja: Si e komentoni përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare gjatë festimeve në Tuz, pas zgjedhjeve lokale?

Ministri Cakaj: Ne kemi mbështetur koalicionin e partive shqiptare në Tuz dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur për fitoren e tyre. Qasja jonë është natyrisht e kujdesit për pakicat ashtu siç e diskutuam edhe me Ministrin që kemi nevojë që bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërshtetëror ta përkthejmë në një frymë gjithnjë e më pozitive në nivel ndërkomunitar.

Do takohemi sot edhe me parti të tjera shqiptare me këtë rast do t’u ofrojmë gatishmërinë e plotë për bashkëpunimin tonë dhe konsiderojmë që fitorja e tyre ka qenë skajshmërisht e merituar dhe mbase është një shembull inkurajues për domosdoshmërinë e ndërtimit të unitetit të faktorit shqiptar.