Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjesi të gjithëve,

I nderuar zoti Kryeministër,

Fillimisht më lejoni të shpreh kënaqësinë time për bashkëpunimin e deritanishëm, i dashur Nikolin, me synim promovimin e mundësive ekonomike të vendit tonë. Uroj të jetë ogur i mirë i asaj çka vjen më pas, më shumë investime për ekonominë shqiptare.

Bashkorganizimi i “Tirana Business Matching” vjen në një moment të rëndësishëm, teksa vendi ynë po ecën në shinat e një ekonomie me zhvillim të qëndrueshëm dhe me financa të konsoliduara, drejtë tryezës së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ka disa faktorë, pesha e të cilëve në ekonominë do të jetë vendimtare të paktën në dy dekadat e ardhshme:

·      Shkalla dhe shpejtësia e ndryshimeve klimaterike;

·      Burimet energjetike;

·      Ritmi dhe zgjerimi i efekteve të globalizmit;

·      Pasojat e ndryshimeve thelbësore sa i përket vlerave dhe sistemeve të ndryshme shoqërore.

Mbi këta faktorë, ne për fat të keq ushtrojmë shumë pak kontroll sepse  jetojmë në një botë të ndërvarur që ndryshon me shpejtësi. Dhe në këtë mjedis Shqipëria natyrisht duhet të gjejë vendin e saj.

Jemi vend i vogël dhe me burime të kufizuara, ndaj qasja jonë ka një këndvështrim më rajonal, ku aktivitetet ekonomike ndahen edhe me shtete të tjera, me qëllim përfitimet e përbashkëta në të mirë të qytetarëve tanë.

Pra, që të krijojmë më shumë vende pune në Shqipëri, është e nevojshme përfshirja në sipërmarrje me dhe në shtete të tjera. Për aq kohë sa Shqipëria ka përfitime, kjo duhet parë edhe si zgjerim i zgjedhjeve tona për të ardhmen tonë dhe besoj ky është modeli i parë që është krijuar nga tryeza e përbashkët ekonomike me Serbinë, apo përpjekjet që po bëhen në kuadër të procesit të Berlinit për krijimin e zonës Ekonomike Rajonale.

Krijimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese shoqëruar nga rritja e mirëqenies së qytetarëve është prioritet që i tejkalon caqet e një qeverie. Ai është mision kombëtar.

Vetë nocioni i diplomacisë ekonomike lidhet ngushtë me këtë mision. Nëse tradicionalisht fokusi i diplomacisë ishte në administrimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, sot diplomacia është shndërruar në një instrument që promovon në veçanti interesat ekonomike të vendit. Kjo vjen si rrjedhojë e hapjes së veprimtarive të sipërmarrëse, ndërvarësisë dhe angazhimeve shumëpalëshe.

Një diplomaci efikase ekonomike nënkupton promovimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare në botë duke influencuar politikat e investimeve tregtare e shteteve partnere dhe kompanive të huaja, si dhe influencimi te entet rregullatore ndërkombëtare.

Për një diplomaci ekonomike të suksesshme dhe efektive në funksion të rritjes së volumeve tregtare dhe investimeve në vend aksioni ynë është përqendruar në:

·      Avancimin e interesave ekonomike të vendit;

·      Promovimin e fushave prioritare;

·      Nxitjen dhe negocimin e marrëveshjeve dypalëshe për plotësimin e kuadrit ligjor;

·      Si dhe vendosjen e kontakteve me partnerë të ndryshëm dhe harmonizimin e interesave sektoriale të tyre me prioritetet kombëtare.

Në këtë kontekst, jemi përpjekur të adaptojmë dhe të zhvillojmë një diplomaci ekonomike proaktive duke përdorur instrumentë, si:

·      Misionet dhe përfaqësitë tona jashtë vendit;

·      Organizatat ndërkombëtare dhe forumet e tjera ekonomike;

·      Grupet e biznesit dhe Dhomat e Tregtisë e Industrisë;

·      Rrjetin e konsujve tanë të nderit;

·      dhe diasporën tonë.

Kyeministri me të drejtë ka kërkuar që të ridimesionojmë konceptin e diplomacisë ekonomike, për t’i dhënë asaj një rol parësor në mbështetje të ekonomisë dhe sipërmarrjes. Është kjo arsye pse ne po punojmë që përfaqësitë tona diplomatike të transformohen edhe si pika kontakti për zhvillimin ekonomik, jo vetëm në kuadër të tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe në kuadër të promovimit të eksporteve shqiptare (pra, si vitrina të markës Made in Albania), dhe si promovues të Shqipërisë turistike dhe kulturore, asaj që siç tregoi edhe kjo verë elektorale, ka imazhin që po ndryshon më shpejt.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ne po  punojmë për të krijuar një zinxhir të qartë, nga kontaktet e bizneseve të vendet e huaja, e deri në implementimin e investimeve të huaja në terren në Shqipëri, për të krijuar një procedurë të qartë, sa më të drejtpërdrejtë dhe transparente duke sjellë investitorët dhe investimet në funksion të nevojave të ekonomisë.

Megjithatë në këtë drejtim, ambasadorët më të mirë të vendit tonë jeni ju, sipërmarrësit – jeni shembulli më i mirë që mund të tregohet dhe shembulli më i mirë i suksesit të zbatimit të projekteve tuaja. Për këtë arsye, ne do të mbetemi të angazhuar për të përmirësuar procedurat, funksionimin e selive tona diplomatike, kontakteve tona për t’i shërbyer sa më mirë sipërmarrjes. Dhe këtu një rol të posaçëm luajnë Dhomat e Tregtisë, siç ilustrohet qartë edhe në këtë aktivitet, sepse në fund të ditës janë pika të domosdoshme lidhjeje mes sipërmarrësve të vendeve të tjera dhe Shqipërisë.

Faleminderit.