Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Faleminderit Alban,

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Më lejoni që fillimisht të falënderoj vendet e Vishegradit dhe përfaqësuesit e tyre që janë sot këtu me ne, për ndihmën e paçmueshme që kanë dhënë në gjithë këtë proces gjatë gjithë këtyre viteve. Po ashtu edhe ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vende me të cilat ne kemi bashkëpunuar për krijimin e kësaj nisme dhe të këtij fondi. Gjithashtu, dua të falënderoj ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë sepse Bashkimi Evropian na ka nxitur të punojmë sa më shumë dhe të kemi sa më shumë projekte në kuadër të një klime më të përmirësuar rajonale dhe që ndihmon atmosferën demokratike në rajonin tonë por njëkohësisht edhe përshpejton ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Së dyti, përmes këtij procesi mendoj se vendet tona janë pjekur pak më shumë me kompromiset që kemi bërë. Gjej rastin edhe një herë tjetër të falënderoj si vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu dhe vendet e Vishegradit që ranë dakord që selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor të jetë në Tiranë. Duke qenë se ishte selia e parë për ne, duam të shprehim të gjithë angazhimin tonë që do ta mbështesim këtë iniciativë jo vetëm në kuptimin monetar të fjalës siç e mbështesin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe me kontribute të tjera. Kemi marr një angazhim së bashku me kolegët serbë që në vitet në vijim të shikojmë mundësinë e rritjes së kontributeve financiare për fondin.

Së treti, do të doja që të nxisja drejtuesit e fondit, Sekretariatin, i cili ka në përbërje ekspertë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për një bashkëpunim më të ngushtë me një tjetër nismë rajonale siç është (RYCO) Regional Youth Cooperation Office, një iniciativë që grupon gjithashtu vendet e Ballkanit Perëndimor. RYCO duhet të konsiderohet si një nismë komplementare qoftë për sa i përket projekteve, edhe për sa i përket atyre që mund të përfitojnë nga këto projekte.

Se fundmi, dua të them diçka për sa i  përket komponentit njerëzor që sidomos ne në Ballkanin  Perëndimor e kemi shumë të domosdoshme. Nëpër të gjitha aktivitetet apo nëpër  tryezat që organizojmë me Komisionin Evropian në kuadër të formatit Western Balkan Six, ose me vendet në kuadër të Procesit të Berlinit, por edhe në takimin e përvitshëm WB6-V4 ne flasim për komponentin e mobilitetit njerëzor, për mënyrën se si mund të shkojmë drejt një klime shumë herë më pozitive tek brezat e rinj duke reduktuar në maksimum stereotipet negative që për fat të keq ende ekzistojnë në shoqëritë tona.

Teksa drejtori ekzekutiv po bënte prezantimin e thirrjes dhe modaliteteve të thirrjes, më shkoi vëmendja tek komponenti interesant që është shumë i ngjashëm me procesin e Berlinit: të përfitosh një projekt duhet që të paktën të ketë 3 vende, duhet të ketë 3 aplikantë nga tre vende të ndryshme. Pra, në qoftë se do të ketë 100 fitues, do të thotë që 300 organizata në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor të kenë përfituar nga ky projekt. Dhe nuk është thjeshtë vlera financiare që përfitohet dhe projekti që do të zbatohet, por  edhe kontakti e ndërlidhja njerëzore në të paktën 3 vende të ndryshme nga 6 që ka sot ky format.

Prandaj unë do t’i uroja drejtuesve dhe përfaqësuesve të vendeve të Vishegradit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian por edhe shumë prej organizatave të cilat i kanë selitë në Beograd, apo në Sarajevë kryesisht, që të bashkëpunoni sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike universitare dhe sidomos rinisë të jenë përfitues të këtij fondi.

Kultura është në qendër të vëmendjes dhe ne gëzohemi, natyrisht sepse siç edhe vetë Bashkimi Evropian e lidh shumë çështjen e kulturës me çështjet e promovimit të vlerave evropiane. Mendoj që edhe për Ballkanin Perëndimor do të ishte një gjë mjaft e rëndësishme dhe do të ishte një zbutës mjaft i mirë i barrierave që ekzistojnë sot e kësaj dite.

Duke ju falënderuar të gjithëve për pjesëmarrjen dhe që më dhatë mundësinë të bëhem pjesë e kësaj dite të shënuar, shpresoj shumë dhe do të punojmë shumë me kolegët e Ballkanit Perëndimor që seancat informuese për këtë fond, duke qenë se është një nismë rajonale e nuk është një nisëm shqiptare, më duhet ta theksoj, të marrin vëmendjen e duhur dhe mbështetjen edhe nga instancat shtetërore. FBP është një nga ato nismat e para ku qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë angazhuar secila nga një fond i cili sot është modest, por ne do të punojmë që të rritet gradualisht.

Faleminderit të gjithëve.