Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Zonja dhe zotërinj,
7 vite më parë, të gjithë ne shqiptarët, në Shqipëri e anembanë botës, ndiheshim krenarë teksa flamuri ynë valëvitej për herë të parë në oborrin e selisë së NATO-s. Flamuri i besëlidhjes, njëherazi thirrje e simbol, ripërtërihej kësisoj krahas flamujve të aleatëve tanë të rinj e të kahershëm.

7 vite më parë, shumëkush mund edhe të ndihej paksa i çuditur, se si ishte e mundur që një vend kaq i vogël dhe kaq i përvuajtur mund të ishte pjesë e Aleancës, politike dhe ushtarake, më të fuqishme në botë.

Për çdo njohës të mirë të historisë së vendit, rajonit dhe kontinentit tonë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk përbënte aspak çudi, madje ishte akti përfundimtar i mbushjes së një boshllëku politik dhe strategjik 60 vjeçar.

Anëtarësimi ynë në NATO, ishte rezultat i një procesi të gjatë, që lidhet kryekëput me proceset demokratizuese të vendit. Anëtarësimi nuk ishte thjesht investim në siguri, por edhe një projekt kombëtar, shprehje e përkatësisë qartësisht euro-atlantike të shqiptarëve.

Në vitin 1952, intelektuali amerikan Reinhold Niebuhr e përkufizonte hapësirën trans-atlantike sipas këtyre tre parimeve: i) vlera të përbashkëta; ii) interesa të përbashkëta; iii) detyrime të përbashkëta.

Në vetë fjalët e Niebuhr, bashkësia trans-atlantike nuk është një “kulture e unifikuar” por një mënyrë për ta bërë “të tolerueshëm diversitetin në kushtet e lirisë.” Pra, një bashkësi “e përbërë nga kombe të cilat kanë gjetur mënyrën për të krijuar bashkësi pavarësisht diversitetit”.

Ky është pra parimi përbashkues që përbën themelin e forcës dhe qëndrueshmërisë së aleancës sonë.
NATO lindi pasi vetë historia e ngarkoi bashkësinë trans-atlantike me detyra të përbashkëta. Në kohën e Luftës së Ftohtë këto detyra ishin nevoja për t’u mbrojtur bashkërisht nga forcat e tiranisë dhe nevoja për të siguruar mirëqenien e popujve në këtë anë dhe matanë atlantikut.

Sot e kësaj dite, bashkësia trans-atlantike ka të njëjtat nevoja, pa çka se tirania mund të ketë ndryshuar fytyrë dhe mirëqenia të ketë marrë një kuptim më të gjerë sesa ai ekonomik.

Anëtarësimi në NATO e ka shndërruar Shqipërinë në pol qëndrueshmërie në hapësirën e Evropës Adriatike, që investon në sigurinë dhe prosperitetin e rajonit tonë, duke marrë, në fjalët e Sekretarit John Kerry, rolin e kujdestarit për vendet e rajonit që aspirojnë drejt integrimit euro-atlantik.

Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit tonë strategjik, dhe aleatëve të tjerë, pa mbështetjen e të cilëve, vendi ynë nuk do ta kishte arritur këtë pikë.

Shqipëria ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet sot arkitektura e sigurisë evropiane, si dhe ndaj pasojave që situatat në lindje dhe jug të Evropës, mund të kenë për rajonin tonë.

Në kontekstin gjeostrategjik aktual Shqipëria është pjesë e përpjekjeve të Aleancës për ta shpërndarë në mënyrë më të drejtë ngarkesën e detyrave të kahershme. Ky proces është më rëndësi për besueshmërinë e Aleancës si dhe për qëndrueshmërinë e instrumenteve tona të mbrojtjes kolektive.

Kjo është edhe arsyeja pse besoj se në këtë 7 vjetor, anëtarësimi ynë në NATO nuk duhet parë si një arritje, por si një pikënisje e re.

Ju faleminderit!