Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I dashur Miro,

E dashur Corina,

Ambasador Pigliapoco,

Të nderuar kolegë,

 

Është kënaqësi që ndodhem këtu dhe gjej rastin t’i shpreh Kroacisë përgëzimet e mia për kryesinë e frytshme të Iniciativës Adriatiko – Joniane dhe këmbënguljen e saj të vazhdueshme për zbatimin e EUSAIR-it.

Republika e Raguzës përparoi e lulëzoi përgjatë shekujve, në sajë të një akti të përhershëm balancues ndërmjet fuqive rajonale dhe atyre evropiane. Dubrovniku është vërtet qyteti që mishëron më së tepërmi idenë e ndërvarësisë Adriatike dhe Joniane.

Sot, EUSAIR përfshin 4 shtete anëtare dhe 4 vende në proces integrimi, duke u mbështetur në sinergjitë ekzistuese e duke zhvilluar të reja nga kombinimi i instrumenteve të ndryshme të BE-së dhe bashkimit të burimeve.

Mbi të gjitha, pellgu Adriatiko-Jonian duhet të transformohet në një territor koherent dhe në një rajon të vërtetë në kuptimin ekonomik. Kohezioni territorial është një hap i nevojshëm drejt integrimit të plotë të ekonomive tona në tregun e përbashkët.

Për të siguruar kohezionin territorial, pikë së pari kemi nevojë të adresojmë sfidën e dallimeve të mëdha socio-ekonomike ndërmjet vendeve të Adriatikut dhe Jonit.

Si pasojë e krizës së euros, politikat e konsolidimit fiskal kanë kufizuar kapacitetet tona për investime publike.

Në këtë kontekst, ekziston një rrezik i qartë se hendeku i zhvillimit është thelluar në vend që të tejkalohet; sidomos teksa raporti aktual i ndihmës financiare të BE-së për vendet e reja anëtare të BE-së dhe vendet në proces integrimi është pothuajse 4 me 1.

Nga një këndvështrim politik, i ashtuquajturi Proces i Berlinit ka krijuar kushtet që ne të punojmë në mënyrë aktive në drejtim të përmirësimit të ndërlidhjes energjetike e asaj të transportit në rajonin tonë. Një përmirësim i vërtetë i lidhjes së infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor do të ketë një ndikim pozitiv të prekshëm edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë sonë, siç është turizmi.

Është e qartë se strategjia nuk ofron parà të tjera nga BE-ja, por një strukturë të koordinuar për vënien në përdorimin të Fondeve Evropiane Strukturore dhe të Investimit, të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit dhe në veçanti, të Programit Adriatiko- Jonian për Bashkëpunim (ADRION).

Sigurisht, kemi nevojë për një kapacitet të përmirësuar të qeverisjes për të arritur qëllimin: Shqipëria është e përfshirë në mënyrë aktive në Projektin Strategjik “Facility Point’ për të rritur kapacitetin institucional të administratës publike dhe aktorëve kryesorë në vendet tona me qëllim implementimin e prioriteteve tona të përbashkëta.

Kryesimi i Grupit Tematik Drejtues mbi Turizmin e Qëndrueshëm nga Shqipëria dhe Kroacia do të reflektojë rëndësinë që ne i japim zhvillimit të potencialit të plotë të këtij rajoni për një turizëm novator, të qëndrueshëm e cilësor.

 

Të nderuar kolegë,

Në situatën aktuale të sigurisë, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor nuk duhet ta përjetojnë ndërvarësinë si një kërcënim, por më tepër si një mundësi.

Rajoni Adriatiko-Jonian ndodhet në rrugën ku pasojat e mungesës së stabilitetit në jug prekin Evropën Veriperëndimore.

Asnjë nga rreziqet aktuale të sigurisë me të cilat përballemi nuk mund të zvogëlohen apo parandalohen pa bashkëpunim të fortë dhe të vazhdueshëm e masa të koordinuara.

Sfidat me të cilat përballemi kërkojnë gjithëpërfshirje, në përpjekjet tona për t’i trajtuar ato. Do të doja edhe një herë të bëja thirrje për përfshirjen e Kosovës dhe Maqedonisë në EUSAIR.

EUSAIR është një mundësi për ta përkthyer ndërvarësinë e tanishme mes BP dhe BE-së në një bashkëpunim të zgjeruar, në një proces ku të gjitha palët fitojnë, në mënyrë që Ballkani Perëndimor të finalizojë me sukses procesin individual demokratik të shtet-ndërtimit; në mënyrë që BE-ja të përfitojë plotësisht nga investimi i saj prej disa dekadash në rajon.

Më lejoni ta mbyll duke i uruar suksese Greqisë, si mbajtësja e Kryesisë së radhës e NAJ.

Faleminderit!