Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Së pari, trafikimi i armëve të paligjshme dhe keqpërdorimi i armëve të lehta përbën një rrezik për sigurinë publike, jo vetëm ngushtësisht lidhur me rendin, por dhe sfida më të mëdha siç janë krimi i organizuar dhe ekstremizmi i dhunshëm, të cilat në fakt nuk janë sfida thjesht dhe vetëm për rajonin tonë, po sot për sot përbëjnë një sfidë për gjithë arkitekturën e sigurisë europiane. Në këtë kontekst qeveria shqiptare është e angazhuar për adresimin e këtij rreziku si në kuadër të zbatimit të vendimeve të marra sëbashku në Londër, ashtu edhe në kuadër të përmbushjes së reformave që lidhen me prioritetet e procesit të itnegrimit europian e më posaçërisht që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar në vend.

Gjatë viteve të fundit, një numër masash janë marrë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes strukturave tona ligjzbatuese e atyre të Bashkimit Evropian. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është krijimi, falë ndihmës së Bashkimit Europian i një regjistri elektronik të armëve të lehta që nga viti 2015, duke ndihmuar kështu përmbushjen dhe angazhimeve tona si vend kandidat, të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i BE-së për këtë qëllim.

Legjislacioni shqiptar gjithashtu ka njohur hapa para në këtë proces. Ne jemi duke adoptuar bazën legjislative që lidhet me transferimin e armëve dhe municioneve, në të njëjtën linjë Traktatin e Tregtisë së Armatimeve dhe me standardet e Bashkimit Evropian, e me specifikisht me Kodin e Sjelljes së BE-së në këtë fushë.

Po ashtu, si vend anëtar, si pjesë e disa konventave ndërkombëtare me këtë objekt, si Plan Veprimi i OKB-së mbi armatimet e lehta dhe të vogla, apo rezolutat e OSBE-së në të njëjtën fushë, Shqipëria ka përmbushur në mënyrë konsistente angazhimet ndërkombëtare në të mirë të paqes e sigurisë rajon e në botë, në përputhje me orientimin e politikës së saj të jashtme, bazuar në parimet e multilaterizmit dhe bashkëpunimit rajonal.

Së dyti, dëshiroj të theksoj se Shqipëria i konsideron këto sfida të sigurisë në një rrafsh siç u tha nga parafolësit më të gjerë, më të njëmendtë dhe jo si sfida thjesht të izoluara. Besojmë se ekziston një kombinim faktorësh të cilët çojnë në keqpërdorimin, trafikimin dhe transferimin e paligjshëm të armeve, që nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me kulturën e armëmbajtjes në këtë kënd të Europës.

Këto faktorë, ashtu si faktorët që ndikojnë në krimin e organizuar, duhen adresuar jo vetëm në mënyrë teknike apo nëpërmjet qasjeve ndëshkuese, por me anë të një qasjeje parandaluese e që përfshin të gjithë aktorët e institucionet, e jo më pak vë theksin te komunikimi me shoqërinë.
Elementi zhvillimor është shumë i rëndësishëm në adresimin e sfidave të sigurisë. Gjithnjë jemi përpjekur për të shpjeguar se sundimi i të drejtës është i lidhur me komponentin ekonomik. Nuk mund të ketë sundim të së drejtës dhe as siguri pa një komponent zhvillimor, siç nuk mund të ketë një komponent zhvillimor të qëndrueshëm në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, pa sundimin e të drejtës.

Edhe në këtë proces ne duhet t’i shohim të dy këto çështje të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Gjithashtu një vend si Shqipëria apo rajoni i Ballkanit Perëndimor, Europa Adriatike, Europa Juglindore, sido që ta quajmë me një kulturë relativisht të dobët shtetndërtimi, komunikimi publik në lidhje me këto sfida është domosdoshmëri dhe parakusht i suksesit të përpjekjeve tona për forcimin e sigurisë si brenda vendeve tona por dhe më gjerë. Nuk është rastësi që strategjia globale e Bashkimit Europian për Sigurinë e përmend katër herë Ballkanin Perëndimor dhe në të katër rastet e përmend të lidhur ngushtë vetëm me elementët e sigurisë, çka nënkupton që duhet më tepër sforco nga të gjithë ne, BE dhe vendet e BP, për të përfshirë dhe komponentin zhvillimor dhe për ta transformuar Ballkanin Perëndimor nga një bahçe të harruar në një kopsht si një pjesë integrale e tij.

Së treti, mos të harrojmë, kjo është një sfidë rajonale, në kuptimin europian të fjalës, jo thjesht në kuptimin mesdhetar apo Ballkanin, e për pasojë kërkon bashkëpunim shumë më të ngushtë në nivel rajonal.

Ne i mëshojmë domosdoshmërisë së bashkëpunimit rajonal në këtë fushë, siç përvijëzohet dhe në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, që u publikua në shkurt të këtij viti. Besojmë se ky rrezik nuk mund të adresohet individualisht apo me politika të veçuara, sepse para se të jetë një sfidë kombëtare, është një sfidë për të gjithë shoqëritë e rajonit tonë.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të përshëndesim ndërveprimin e shtuar mes institucioneve e ekspertëve nga vendet e rajonit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacionit mes tyre, nëpërmjet disa platformave rajonale, si Rrjeti i ekspertëve rajonale të Evropës Juglindore për armatimet, sikundër një sërë nismash të tjera që synojnë kontrollin e eksporteve të armatimeve të lehta në rajon.

Është e rëndësishme, jo vetëm në kuptimin teknik por dhe atë politik që të gjithë vendet tona të ndalojnë rreptësisht eksportin e armëve të lehta në vendet në konflikt dhe të unifikojnë qëndrimet dhe bazën legjislative në linje më politikat e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Këtu vijmë tek një element që është shumë i dashur për Shqipërinë dhe për ne shqiptarët, çështjet që kanë lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Europian. Është e udhës që nga vetë BE të vijnë mesazhe unifikuese për të gjitha vendet kandidate, sepse për fat të keq ka vende kandidate që nuk i përmbahen këtij parimi, qoftë dhe elementëve që kanë lidhje me eksportimin e armëve në zonat në konflikt. Për sa kohë të gjitha vendet tona, ato që janë kandidate e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe dëshirojnë të jenë vende anëtare të BE-së është krejt e logjikshme që dhe nga ana e BE të vijë mesazh i njëtrajtshëm për të gjitha këto vende, që dëshirojnë të bëhen pjesë e klubit, kur vjen puna te njehsimi i politikës së jashtme apo linjëzimi i qëndrimeve të politikës së jashtme dhe veprime konkrete me ato të BE. Dhe duke përfunduar dëshiroj të falënderoj të gjithë partnerët, jo thjesht Gjermaninë dhe Francën, që janë rreth e përqark kësaj tryeze, vende që janë bërë pjesë e kësaj iniciative dhe të garantoj angazhimin tonë, të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në këtë drejtim, në mënyrë që objektivat e planit të veprimit të përmbushen të gjitha një nga një.
Faleminderit!