Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zonja dhe Zotërinj,

Të nderuar Kryetarë të Bashkive,

E dashur Romana,

Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, i pari në fakt i një serie aktivitetesh periodike, me fokus në programet dhe instrumentet financuese të Bashkimit Evropian.

Ky aktivitet çel në të njëjtën kohë kalendarin e një viti vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian që do të prezantohet muajin që vjen, shënon një moment tejet pozitiv për rajonin tonë, sepse e vendos në fokus politik dhe në një perspektivë konkrete politikën e zgjerimit, në një kohë kur skepticizmi ndaj zgjerimit të mëtejshëm të Unionit është mbizotërues në politikën dhe opinionin publik evropian.

Ne presim nga kjo Strategji propozime konkrete për hapat e radhës në ecurinë e procesit të aderimit për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, në një perspektivë afatshkurtër e afatgjatë.

Është shumë e qartë se cilësia dhe shpejtësia e reformave kyçe, e sidomos atyre që lidhen me forcimin e shtetit ligjor dhe sundimin e së drejtës, lidhen drejtpërdrejtë me perspektivën konkrete dhe me presionin pozitiv që Bashkimi Evropian mund të ushtrojë mbi vendet tona.

Reforma në fushën e drejtësisë, ku Bashkimi Evropian luajti jo vetëm një rol asistues, por bashkë-hartues e partner në çdo hap të procesit, demonstron këtë proces transformues të Unionit më mirë se çdo reformë tjetër në Shqipëri apo rajon.

Në këtë kontekst, ne jemi të bindur që vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi, do të bëjë të mundur që dhe Shqipëria t’i bashkohet dy vendeve fqinje që tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Ky është një moment i papërsëritshëm, prandaj këmbëngulja dhe angazhimi ynë janë vendimtarë: Interesi ynë i përbashkët duhet të jetë i penegociueshëm për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë.

Në të njëjtën kohë, jemi të ndërgjegjshëm që përafrimi i legjislacionit dhe ndërveprimi më intensiv politik mes nesh dhe Bashkimit Evropian nuk do të çojë në integrimin organik të rajonit tonë dhe pjesës tjetër të Evropës, përsa kohë që ekziston një hendek i thellë ekonomik e zhvillimor mes dy pjesëve të kontinentit.

Forcimi ekonomik i rajonit tonë dhe integrimi i tij me pjesën tjetër të Evropës kërkon një të menduar kreativ e strategjik të vetë Komisionit për përfshirjen e vendeve tona në më shumë programe e  instrumente financiare  komunitare, kryesisht në ato fusha në të cilat impakti është i menjëhershëm, i qëndrueshëm dhe i shumëfishtë: si p.sh. infrastruktura, transporti, shkenca, inovacioni e teknologjia, e kështu me radhë.

Më e rëndësishmja, planifikimi i kuadrit buxhetor të Bashkimit Evropian 2020-2027, duhet të përgatisë gradualisht Unionin për valën e re të zgjerimit me vendet tona.

Integrimi ekonomik e zhvillimor mes nesh dhe Bashkimit Evropian fillon pikësëpari nga forcimi i bashkëpunimit ekonomik në rajonin tonë.

Ajo çfarë po bëjmë prej katër vitesh tashmë në kuadër të procesit të Berlinit dhe të krijimit të një zone të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor synon pikërisht zvogëlimin e hendekut ekonomik e zhvillimor mes nesh dhe vendeve të tjera të Evropës, si dhe përmirësimin e ndërlidhjes në katër fusha kyçe siç janë: infrastruktura, tregtia, inovacioni dhe dixhitalizimi i shërbimeve, e së fundmi, mobiliteti e afrimi mes qytetarëve tanë.

Qeveria Shqiptare është e investuar seriozisht në forcimin e partneriteteve me vendet fqinje, duke i konsideruar zonat ndërkufitare si rajone zhvillimi, me karakteristika të ngjashme natyrore e kulturore. Perspektiva zhvillimore dhe kohezioni social e përmirësimi i ndërlidhjes mes vendeve tona kanë qenë kryefjala e praktikës së mbledhjeve të përbashkëta qeveritare me Kosovën, Maqedoninë e së shpejti edhe me Malin e Zi.

Mbështetja financiare që Bashkimi Evropian ka ofruar në vijimësi, si  për proceset reformuese e transformuese në Shqipëri, ashtu dhe për vitalizimin ekonomik e perspektivën zhvillimore të vendeve tona, duke i mëshuar qasjes rajonale dhe ndërkufitare, ka luajtur një rol themelor në këtë kontekst.

Programet e Bashkëpunimit Territorial të Bashkimit Evropian, ndërkufitare apo trans-nacionale, përputhen si me Objektivat e Bashkimit Evropian, ashtu dhe me ato të qeverisë shqiptare, përfshirë ndër të tjera, përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e punësimit, ruajtjen e mjedisit e mbështetjen e kërkimit, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit.

Të gjithë këto objektiva mishërohen në politikat dhe strategjitë kombëtare; e megjithatë, përkthimi i tyre në veprime konkrete lë ende për të dëshiruar. Programet ndërkufitare dhe trans-nacionale kanë qenë të pranishme në Shqipëri që nga viti 2004, por impakti që ato kanë pasur në zhvillimin lokal dhe rajonal ka qenë pak i ndjeshëm.

Prandaj më lejoni të propozoj 3 fusha ku ne mund dhe do të përmirësojmë ndjeshëm punën tonë:

Së pari, duhet të fokusohemi më shumë në impaktin e programeve dhe aktiviteteve të financuara nga asistenca e BE:

Programet e bashkëpunimit ndërkufitar janë përqendruar kryesisht në studime, analiza, strategji apo asistencë për ngritjen e kapaciteteve, të cilat natyrisht janë të rëndësishme, por  impakti i tyre nuk arrin te komunitetet.

Në këtë kontekst, copëzimi i fondeve në grante të vogla  të pakoordinuara nën një kuadër strategjik ka bërë që ndikimi i tyre të këtë qenë i vogël dhe i paqëndrueshëm.

Kjo merr kuptim veçanërisht në nivelin e qeverisjes vendore, pasi dhe vetë projektet e bashkëpunimit territorial targetojnë pikërisht nivelin e komuniteteve lokale dhe hapësirat ndërkufitare. Jo më pak e rëndësishme është që ky impakt të rrezatojë dhe përtej perimetrit të Tiranës, e të përkthehet në rimëkëmbje e zhvillim të rajoneve e bashkive të gjithë Shqipërisë.

Së dyti, ekziston një nevojë e qartë për orientim dhe bashkërendim më të mirë të veprimeve në kuadër të Bashkëpunimit Ndërkufitar, si dhe integrimi i tyre me prioritetet dhe programet e qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore të vendeve tona duke siguruar harmonizimin me investimet që po zbatohen në rajonet tona ndërkufitare.

Ky bashkërendim krijon platformën e nevojshme për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e të gjitha instrumenteve të financimit, kombëtare dhe atyre që ofron politika rajonale e Bashkimit Evropian. Vetëm në këtë mënyrë, mund të kemi një ndikim të vërtetë në përmirësimin e jetës së komuniteteve tona dhe të garantojmë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e reformave që përmbushin objektivat e përbashkëta Evropiane dhe Kombëtarë.

Kjo konkretisht kërkon:

  • Menaxhimin e programeve të bashkëpunimit në mënyrë më strategjike dhe efikase, duke mundësuar komunitetet dhe rajonet t’i përthithin apo t’i shfrytëzojnë këto fonde; si dhe:
  • Krijimin e një sistemi harmonik menaxhimi të këtyre programeve përmes standardizimit të rolit të secilit prej aktorëve të përfshirë

 

Së treti, transparenca dhe komunikimi sa më i mirë dhe gjithëpërfshirës:

Ne duhet ta nxjerrim portofolin e asistencës së Bashkimit Evropian nga zhargoni i teknikaliteteve të projekteve dhe fishave e ta çojmë para syve të njerëzve e të komuniteteve që ju përfaqësoni. Prandaj MEPJ po bashkërendon punën me delegacionin e BE në Tiranë në funksion të përmirësimit të komunikimit me shoqërinë civile, universitetet, bizneset e grupit të interesit.

MEPJ si institucion drejtues e bashkërendues i asistencës së Bashkimit Evropian është dhe do të mbetet një institucion i hapur për shoqërinë dhe që interesin kombëtar e formulon pikësëpari e kryesisht si interes të qytetarëve e shoqërisë.

Takimi i sotëm është veçse aktiviteti i parë në funksion të këtij dialogu e bashkëpunimi që shtrihet përtej afateve të programeve të asistencës së Bashkimit Evropian.

Ju faleminderit!