Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit Bushati në Takimin me Bizneset Kineze

Ambasada e Shqipërisë në Pekin

24 gusht 2016

 

Përshëndetje të gjithëve,

Zonja dhe Zotërinj, që keni ardhur sot në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kinë.

Ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë tonë. Njëkohësisht, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për mikpritjen e ngrohtë kineze, e cila është shprehje e traditës dhe kulturës tuaj të mirësjelljes dhe respektit.

Një prej objektivave kryesorë të vizitës sime këtu, është padyshim promovimi i Shqipërisë si një vend që ofron jo vetëm plot mundësi për aktorët ekonomikë kinezë por shumë më tepër se kaq, për shkak të një tradite që kanë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, të një tradite të hershme.

Ekspozita fotografike “Ngjyrat e Shqipërisë”, që do të shohim pas pak, është dëshmi e qartë e faktit se Shqipëria sot është një vend me ekonomi dinamike në hapësirën e Europës Jug-lindore dhe me një trajektore të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Ndaj është kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot këtu dhe të ndaj me ju disa pikëpamje rreth transformimit të rëndësishëm ekonomik që po pëson vendi ynë. Natyrisht, burimet ekonomike tradicionale të rritjes, ato burime me të cilat ne ishim mësuar 20 vitet e fundit, nuk gjenerojnë më zhvillim, dhe ne gradualisht jemi duke i zëvendësuar me burime të reja, të qëndrueshme dhe afatgjata.

Në këtë kontekst, ne po punojmë për stimulimin e sektorëve prioritarë si turizmi, bujqësia, manifaktura dhe energjia. Duke hartuar një kuadër legjislativ favorizues për investime në këta sektorë dhe në mënyrë sistematike jemi duke punuar për të lehtësuar kryesisht praninë e investitorëve të huaj në këto fusha.

Ekonomia jonë po rritet falë reformave drastike që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar kryesisht në:

  • një politike fiskale të qartë dhe të parashikueshme;
  • investime që synojnë rritjen e standardeve të jetesës së qytetarëve tanë;
  • si dhe në luftën ndaj ekonomisë informale,

 

duke e transformuar ekonominë tonë në një ekonomi e cila bazohet tek sundimi i së drejtës.

Natyrisht që, për një vend si Shqipëria që ka ende për të bërë për sa i përket zhvillimit demokratik ashtu edhe ekonomik, nuk është e lehtë të flasësh për shifra për sa i përket rritjes ekonomike, sepse këto shifra janë gjithnjë relative.

Kur i referohemi rritjes tonë ekonomike, prej 2,5 – 2,6% në vit, në terma evropiane, kjo është një rritje mjaft e lartë, por krahasuar me stadin nga Shqipëria e ka pikënisjen, natyrisht ky është një zhvillim i cili nuk mund të na kënaqë.

Gjithashtu, ne duhet të përballojmë edhe një sfidë tjetër të madhe, që të gjitha vendet Evropës Jug-lindore, duke iu referuar një pjese të vendeve që grupohen në iniciativën e madhe kineze 16+1, janë vende me ekonomi të vogla.

Mjafton të them që Shqipëria është rreth 3.2 milionë banorë dhe mund të krahasohet me një prej lagjeve të Pekinit. Po kështu e gjithë hapësira e Ballkanit Perëndimor është një popullsi relativisht më e vogël se popullsia e Pekinit, çka do të thotë që vendet tona kanë nevojë për më shumë ndërlidhje, në radhë të parë njerëzore dhe në radhë të dytë ekonomike, e cila përkthehet me projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës.

Në këtë kontekst, iniciativa kineze 16+1 pavarësisht se rrok një hapësirë gjeografike më të madhe që fillon me vendet baltike dhe më pas me vendet e Evropës Qendrore dhe për të zbritur poshtë tek vendet e Evropës Jug-lindore, është një mundësi e artë në këtë drejtim dhe konsiderohet gjithashtu nga ana jonë si një instrument favorizues për ekonomi më shumë të ndërlidhura në rajon, ku secili prej vendeve tona mund të ofrojë avantazhet krahasuese në një terren më të gjerë rajonal.

Në këtë kontekst, unë mund t’ju them se edhe në kuadër të një procesi shumë të rëndësishëm në të cilat janë kyçur vendet e Ballkanit Perëndimor, siç njihet ndryshe Procesi i Berlinit, një iniciativë e Kancelares Merkel për të grupuar së bashku 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ne kemi rënë dakord për një hartë ndërlidhëse të të gjithë rajonit tonë dhe sot e kemi të qartë se si do të duket dhe si do të jetë rajoni ynë deri në vitin 2020 apo deri në vitin 2030 nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë.

Këtu e kam fjalën pikërisht për korridoret kryesore të infrastrukturës që do të lidhin porte dhe aeroporte dhe pikat kryesore të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Natyrisht për ne, si Shqipëri, një prej projekteve më të rëndësishëm është përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane apo siç quhet ndryshe “Korridori Blu” i cili do t’i jepte një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm unazës së turizmit mesdhetar dhe do të lidhte Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me njëra-tjetrën, duke ofruar këtë unazë mesdhetare të turizmit për turistët evropianë, si edhe për një pjesë të mirë të turistëve që vizitojnë hapësirën tonë nga Kina dhe nga vende të tjera të Azisë.

Nga ana tjetër ky projekt do të ketë një impakt pozitiv për ndërlidhjen e vetë vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian, duke qenë se Sllovenia nga njëra anë dhe Greqia nga ana tjetër janë tashmë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Po kështu, një korridor tjetër i rëndësishëm që lidh Tiranën me Shkupin, do të krijonte një dalje në Detin Adriatik dhe në portin e Durrësit, i cili mund të konsiderohet si porta e rëndësishme e vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe për fqinjët tanë, të cilët gjeografia nuk i ka dhuruar asnjë dalje në det.

Po kaq i rëndësishëm është edhe zhvillimi i infrastrukturës së rrjetit hekurudhor. Në këtë sallë shoh njerëz që e njohin mirë Shqipërinë dhe rajonin, apo kanë shërbyer në Shqipëri në misione të ndryshme jo thjeshtë diplomatike.

Nga pikëpamja gjeografike përmasat e Shqipërisë janë të papërfillshme në terma kinezë, por distancat, për shkak të mungesës së infrastrukturës, janë mjaft të larta cka i kthen këto në pengesat kryesore për të bërë biznes në vendet tona apo për t’i grupuar ekonomitë e vendeve të rajonit tonë në një të vetme.

Në këtë drejtim, në kuadër të Procesit të Berlinit ne kemi parashikuar edhe mundësinë edhe etapat se si do të rimëkëmbet e gjithë infrastruktura për sa i përket hekurudhave në rajonin tonë.

Përmenda këto 3 projekte, sepse këto 3 projekte përkojnë gjithashtu edhe me interesin e shprehur të kompanive kineze për të qenë pjesëmarrës në tenderat që do të organizohen në këtë drejtim apo për të investuar në këto projekte, të cilat ne i shohim si shumë të rëndësishëm për sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik të rajonit.

E vë theksin tek bashkëpunimi rajonal sepse siç dihet Ballkani Perëndimor vjen nga një periudhë e vështirë ku shpeshherë fqinji trajtohet si armik dhe ne jemi pikërisht në fazën e fundit të transformimit tonë nga armiq të dikurshëm në fqinjë, ku konkurrojmë dhe bashkëveprojmë me fqinjët tanë për sa i përket projekteve të cilët kanë një impakt në zhvillimin rajonal.

Natyrisht që pjesë e zhvillimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik është edhe sektori i energjisë dhe ekziston një potencial i lartë sidomos nga ana e Shqipërisë për ta zhvilluar këtë sektor dhe për ta transformuar në instrumentin kryesor të zhvillimit të vendit për shkak të burimeve natyrore dhe për shkak të potencialit që ka Shqipëria nga burimet e saj hidrike. Vitet e fundit ne kemi investuar jo pak, edhe falë një bashkëpunimi të mirë me fqinjët dhe gjetjes së partnerëve në nivel evropian për ndërtimin e rrjeteve të transmisionit dhe gradualisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë vendin tonë, po punojnë për të krijuar një treg të integrur energjetik cka do të krijojë hapësirë për investime të kapitalit të huaj.

Natyrisht, unë këtu mund të flisja gjatë edhe për zhvillimet nga pikëpamja legjislative, si për sa i përket zhvillimeve në sektorin e energjisë ashtu edhe zhvillimeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e zonave të lira ekonomike, por më shumë se sa të ndalem në këto aspekte burokratike, që ju njerëzit e biznesit i dini më mirë se ne politikanët, do doja të nënvizoja vetëm një fakt të rëndësishëm: për Kinën, BE-ja është partneri kryesor tregtar, ndërsa për vendet e rajonit tonë, përfshirë dhe Shqipërinë, BE-ja dhe anëtarësimi në BE është një instrument në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kjo do të thotë që i gjithë kuadri ligjor, politikat tona janë në një proces harmonizimi dhe linjëzimi të vazhdueshëm me ato të BE-së.

Për ne BE është një akses në një treg shumë më të madh se ç’është tregu rajonal dhe Shqipëria mund të shërbejë si një trampolinë e mirë për një akses edhe më të gjerë në tregun e BE-së.

Duke përfunduar, dëshiroj t’ju falënderoj edhe një herë për interesin që keni shprehur, për gatishmërinë që keni për të vazhduar trajektoren e zhvillimit ekonomik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Mund t’ju them që gjatë viteve të fundit kemi një prani të shtuar të Kinës në rajonin tonë dhe një prani të shtuar të Kinës në Shqipëri.

Jemi në fazën finale të përfundimit të dy marrëveshjeve jashtëzakonisht të rëndësishme që mund ta kthejnë Kinën në një nga aktorët kryesorë ekonomikë në Shqipëri dhe e kam fjalën këtu për marrëveshjen në fushën e infrastrukturës dhe aviacionit civil dhe marrëveshjen tjetër në fushën e hidrokarbureve e cila do të kompletonte disi gamën e gjerë të pjesëmarrjes së investitorëve kinez për sa i përket industrisë minerale.

Në këtë kontekst, roli i Ambasadave tona është i rëndësishëm. Ne kemi një Ambasadë të madhe në një ambient shumë të këndshëm të Pekinit, por një staf me numër të vogël njerëzish, por që punojnë me dedikimin maksimal për të forcuar sa më shumë të jetë e mundur marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë.

Marrëdhënia Shqipëri-Kinë, i ka rrënjët e thella në histori. Unë vetë ushtroj aktivitetin tim në një zyrë e cila ishte parashikuar të ishte zyra e Ambasadorit të Kinës në Shqipëri, ndoshta godina më e madhe për kohën në Evropë, apo antena kryesore e Kinës në atë periudhë në Evropë.

Më pëlqen t’i them këto gjëra ndoshta në çdo takim, sepse dua që t’i mbush në radhë të parë mendjen vetes, brezit tim, gjeneratës time që mund të dijë shumë pak për marrëdhënien ndërmjet dy vendeve tona, por edhe mundësisht gjeneratës së re kineze për të vazhduar në të njëjtën trajektore dhe për të vazhduar në të njëjtën rrugë, si edhe për të kapitalizuar sa më shumë të jetë e mundur përmes projekteve konkrete të cilat kanë një efekt të prekshëm për qytetarët tanë.

Kur kam lexuar për herë të parë për nismën 16+1 jam surprizuar nga gama e gjerë e çështjeve që trajtonte. Që nga çështjet e bashkëpunimit ekonomik e politik, deri tek çështjet e kulturës, gjuhës, arsimit dhe shkencës të cilat janë vitale, jo vetëm për ruajtjen por edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Prandaj unë ju ftoj që të vazhdojmë të punojmë edhe më fort në këtë drejtim.

Faleminderit për mundësinë që më dhatë!