Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për praninë tuaj sot këtu,

Jam veçanërisht i kënaqur që shoh delegacionet nga Kosova dhe Serbia të ulur në të njëjtën tryezë.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj të ftuarit tanë specialë, prania e të cilëve sot është një tjetër shenjë kuptimplotë e rëndësisë së këtij forumi dhe një mbështetje e fuqishme për punën dhe qëllimin tonë të përbashkët.

Ka qenë një vit i rëndësishëm për SEECP: Do të doja të shprehja mirënjohjen time për të gjithë pjesëmarrësit, SEECP Trojka, Austria, Presidenca e Letonisë, Komisioni Evropian, dhe RCC-në për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Sipas mendimit tim SEECP mbetet forumi kryesor politik i bashkëpunimit në Evropën Juglindore, dhe një promotor i sigurisë, zhvillimit social dhe ekonomik në rajonin tonë.

Megjithatë, Evropa po ndryshon me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë, me pasoja të pashmangshme në rajonin tonë. Si rezultat, ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë rëndësi dhe vëmendje të ardhmes gjeopolitike të rajonit të SEECP. Jo vetëm konflikti në Ukrainë, por edhe shpërthime barbare dhe të dhunshme të shtetit islam paraqesin kërcënim serioz të sigurisë në kufijtë tanë dhe kërcënim të sigurisë kombëtare brenda kufijve tanë.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se pas përpjekjeve të ndryshme për t’i dhënë fund dhunës në Ukrainë, duket se konfrontimi është këtu për të qëndruar.

Në një kohë të shkurtër, Marrëveshja e Minsk II nuk ka gjasa t’i japë fund krizës nëse marrëveshja nuk është mbajtur në mënyrë efektive. Prandaj përkeqësimi i situatës duhet të pritet. Duke pasur parasysh këtë skenar të padëshirueshëm por të mundshëm, ekziston një rrezik që Evropa Juglindore të bëhet një shesh lojërash mes SHBA-së dhe BE-së në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër. Kjo është diçka që ne duhet të përpiqemi ta shmangim.

Ndërsa çështja e luftëtarëve terroristë të shtetit islamik është një problem shumëdimensional, luftëtarët terroristë që kthehen në vendet e tyre të origjinës mund të përbëjnë një kërcënim serioz për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor si një zonë tranziti.

Le të mos harrojmë se shumica dërrmuese e këtyre luftëtarëve janë të pajisur me pasaporta të BE-së. Ata janë qytetarë të BE-së.

Përkrah këtyre çështjeve të sigurisë ekziston edhe një rrezik se hendeku ekonomik në rajonin tonë ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve jo anëtare të BE-së të zgjerohet më tej, duke e bërë perspektivën e integrimit në BE edhe më të largët.

Në kontekstin e përshkruar më sipër, vendet e rajonit tani do t’i kushtojnë vëmendje më të madhe sigurisë dhe do të bëjnë më tepër përpjekje në luftën kundër terrorizmit. Le të mos harrojmë se Kriza e Euros është ende mjaft e prekshme dhe ka goditur rëndë disa prej vendeve tona.

Pra, çfarë mund të bëjnë shtetet e SEECP dhe të BE-së?

Së pari, si Ballkan Perëndimor, ne duhet të stabilizojmë më tej rajonin tonë: Për herë të parë në historinë moderne të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm që jemi duke jetuar në paqe, por jemi në një rrugë të vazhdueshme të integrimit rajonal. Ballkani Perëndimor ka rritur në mënyrë drastike bashkëpunimin dhe koordinimin dhe synon të çojë më tej këtë prirje në të ardhmen e afërt.

Së dyti, SEECP duhet të mbështesë luftën për sigurinë e saj përtej kufijve të BE-së. Në veçanti, Bashkimi Evropian mund të ndihmojë për të siguruar që burimet dhe instrumentet, përtej atyre të brendshme, të jenë në dispozicion të të gjitha vendeve të prekura, për të investuar në forcimin e sigurisë kundër kërcënimeve të ndryshme që i kanosen.

Së treti, NATO duhet të vazhdojë të angazhohet me rajonin në tërësi.

Të gjitha institucionet e duhura duhet të ndajnë informacion strategjik në mënyrë që të reduktohet rreziku i brendshëm që terrorizmi mund të paraqesë në vendet evropiane për shkak të rikthimit të luftëtarëve terroristë.

Në këtë drejtim, Deklarata e përbashkët që ne do të miratojë sot do të jetë një tjetër mesazh i fortë dhe një kontribut i përbashkët i pjesëmarrësve të SEECP në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Kërcënimet e lartpërmendura ndikojnë në sigurinë e energjisë të BE-së. Në një kontekst të tillë të vështirë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në korridoret e energjisë së BE-së mund të ndihmojë BE-në të fitojë pavarësinë energjetike nga burime që vazhdimisht përballen me mungesë stabiliteti. Pozicioni ynë gjeografik, veçanërisht afërsia jonë me detin na bën një partner të dobishëm për çdo strategji të energjisë.

Rajoni ynë duhet të integrohet nga BE-ja në projektet dhe instrumentet e Bashkimit të Energjisë në mënyrë që të fitojë stabilitet, të krijojë një vrull të ri për idenë evropiane dhe të ofrojë një perspektivë për aleatët e tij.

Në këtë kontekst ne mirëpresim propozimin për të themeluar Grupin e Nivelit të Lartë mbi lidhjen e gazit në Evropën Qendrore dhe Juglindore – CESEC. Një nismë e tillë do të ndihmojë në reduktimin e pasigurisë.

Ne nuk presim apo parashikojmë që procesi i anëtarësimit në BE të finalizohet gjatë mandatit të Komisionit të tanishëm të BE-së, por ne kërkojmë një perspektivë të besueshme dhe një përpjekje të konsoliduar nga ana e BE-së për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Aspekti ekonomik i çdo bashkëpunimi rajonal nuk mund të theksohet mjaftueshëm. Le të mos harrojmë se si rezultat i krizës financiare, shkëputja ekonomike është një kërcënim i vërtetë që ka potencialin për t’i bërë vendet tona të pambrojtur. Kjo do të dobësonte aleatët tanë dhe tregun, dhe sidomos ato vende anëtare të BE-së në SEECP që kanë gjithashtu nevojë për të stabilizuar ekonomitë e tyre.

Sigurisht ne e mirëpresim nismën e presidentit Junker për të nxitur rritjen në BE. Ne do të mirëpresim çdo instrument të mëtejshëm që do të përfshinte vendet e rajonit të cilat janë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, rënia ekonomike në rajonin tonë do të shkaktonte migrim të mëtejshëm për t’i shpëtuar recesionit, i cili ndikon jo vetëm në BE, por edhe në vendet tona.

 

Të dashur Miq,

Ekzistojnë shumë mundësi për të ecur përpara duke bashkëpunuar në rajon, por ne duhet të jemi praktikë, të fokusuar dhe gjithëpërfshirës. Aktualisht, bashkëpunimi rajonal është disi i mbingarkuar nga dhjetëra formate dhe iniciativa bashkëpunimi. Edhe pse këto forume rajonale kanë luajtur një rol të rëndësishëm pas Luftës së Ftohtë, ka ardhur koha të shpenzojmë energjitë tona në mënyrë më efikase, në forume dhe mekanizma që vërtetë sjellin një vlerë të shtuar.

SEECP mund të veprojë si katalizator për një organizim më efikas të bashkëpunimit rajonal: ne mund të mendojmë formula të ndryshme, me ndihmën e RCC-së, në mënyrë që të zvogëlojmë numrin e mekanizmave rajonalë që janë vjetërsuar dhe të përforcojmë ato forume rajonale që sjellin vlerë të  shtuar të konsiderueshme në përpjekjet tona drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në përfundim, më lejoni të shpreh besimin tim se ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të realizuar agjendën tonë të përbashkët të bashkëpunimit rajonal në muajt e ardhshëm.

Ju faleminderit!