Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar Panelistë,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

 

Mirëmëngjes,

Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj sot.

Ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të moderuar këtë panel diskutimi.

Ndjehem veçanërisht i nderuar për panelistët e nderuar që ndodhen këtu sot dhe jam i bindur se do të jetë një panel mjaft interesant diskutimi mbi domosdoshmërinë e arritjes së “harmonisë sociale për zhvillim të qëndrueshëm përmes promovimit të mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”.

Më lejoni të prezantoj shkurtimisht panelistët, sipas rendit të tyre të paraqitjes:

Në qendër të Panelit kemi shkëlqesinë e Tij. Z.  Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Në të djathtën time, kolegu dhe miku  im i dashur, Shkëlqësia e Tij, Z. Nasser Judeh Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, (që prej vitit 2009).

Më tej në të majtë, është një nder të kemi këtu sot Shkëlqesinë ë Tij, Kryepeshkopin Paul R. Gallagher, Sekretar i Marrëdhënieve me Shtetet i Selisë së Shenjtë (që nga nëntori i vitit 2014).

Gjithashtu, mirëpresim sot Shkëlqesinë e Tij. Z. Nassir Abdulaziz Al-Nasser, Përfaqësues i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve.

Ne jemi të mendimit se pjesëmarrja e UNDP-së sot është me rëndësi të madhe për cilësinë e këtij debati, ndaj kemi këtu Znj. Gina Casar, Administratore e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Jam i kënaqur që kemi këtu sot zotin Jean-Paul Laborde, i cili u emërua Drejtor Ekzekutiv i Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit ekzekutiv dhe Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm në qershor 2013.

Shkëlqesi, panelistë të nderuar, ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesë e këtij paneli.

Për shkak të kufizimeve kohore, dëshiroj të ndaj me ju disa mendime mbi temat që do të mbulohen gjatë këtij paneli diskutimi e më pas, pa u zgjatur më tej, do t’u jap fjalën panelistëve.

Ky panel diskutimi përkon me përvjetorin e 70-të të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Jordanisë në këtë organizatë.

Gjatë 60 viteve të saj në OKB, por më e rëndësishmja, që prej rilindjes së demokracisë në fillim të viteve ‘90, Shqipëria është përpjekur të jetë një anëtare më e besuar, duke dhënë kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në botë. Sot, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në Bashkimin Evropian, ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për të luajtur një rol aktiv dhe në rritje, në përputhje me prioritetet dhe objektivat e zhvillimit tonë kombëtar dhe avancimin tonë drejt BE-së.

 

Shkëlqesi,

Zonja dhe Zotërinj,

Në një kohë kur bota është bashkuar për të hartuar një agjendë të re për zhvillim, ne të gjithë ndajmë mendimin se qëndrueshmëria është e vetmja mënyrë për të ecur përpara

Është tronditëse teksa vë re se, në të njëjtën kohë, gjatë viteve të fundit, në veçanti gjatë vitit 2014 dhe 2015, bota ka përjetuar një rritje të madhe të intolerancës fetare,

ekstremizmit të dhunshëm, përhapjes së diskriminimit dhe përndjekjes së individëve që i përkasin pakicave fetare, etnike, apo pakicave të tjera.

Mungesa e stabilitetit, tensionet dhe lufta kanë qenë gjithmonë antipode për zhvillim.

Progresi dhe zhvillimi kanë disa parakushte themelore:

-Ata kanë së pari nevojë për ide të mençura dhe plane të detajuara, qeverisje të mençur dhe vullnet të fortë politik, por gjithashtu edhe për respektimin dhe angazhimin e shoqërisë. Prandaj, arritja e harmonisë sociale ka rëndësi të madhe.

– Ndërsa shkenca gjithnjë e më tepër vihet në shërbim të zhvillimit,

– Ndërsa teknologjia po transformon jetët tona,

– Ndërsa bashkëpunimi dhe partneritetet globale janë më të forta se kurrë,

nuk është e lehtë për t’u shpjeguar dhe akoma më e vështirë për t’u pranuar se viti 2014 ishte edhe viti që pa 50 milionë njerëz të zhvendosur me forcë në të gjithë botën.

Për këtë arsye, nuk është e lehtë të shpjegohen situatat dramatike në Irak, Siri, Jemen, disa teatro afrikane dhe aktet e tmerrshme të grupeve të dhunshme si IS dhe Boko Haram.

E ndërsa ka, besoj, një konsensus universal mbi nevojën për t’i adresuar këto çështje ngulmuese, bashkësia ndërkombëtare ka ende nevojë për të përcaktuar dhe miratuar qasjen e duhur.

Diskutimi sot pritet të fokusohet në:

– Nevojën për të punuar vazhdimisht dhe në nivele të ndryshme

– Adresimin e shkaqeve të rritjes së intolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Përmes dialogut, ne presim të ndajmë mendimet e idetë tona, bazuar në përvojat dhe mësimet e nxjerra në krijimin dhe promovimin e një mjedisi që mbështet tolerancën, pajtimin dhe respektin.

Eventi i sotëm ka për qëllim të nxjerrë në pah praktikat më të mira, veprimet dhe masat e marra nga aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe organizata ndërkombëtare. Ai gjithashtu ka për qëllim të trajtojë modelet ekzistuese të tolerancës.

Sigurisht, promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës në rritje  është kusht i rëndësishëm për harmoninë sociale, në favor të zhvillimit të qëndrueshëm.

Për të diskutuar mbi praktikat më të mira dhe modelet ekzistuese të tolerancës, ne kemi mbledhur një grup të shkëlqyer panelistësh:

– Vendimmarrës të nivelit të lartë,

– Diplomatë të shquar;

– Organizata të mëdha ndërkombëtare, thellësisht të përkushtuara për krijimin e një mjedisi që promovon tolerancën, pajtimin dhe respektin për diversitetin, si mjete thelbësore në parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja të falënderoja edhe një herë të gjithë personat e pranishëm në këtë event, dhe veçanërisht ata që morën pjesë në debat dhe që përmes pyetjeve e komenteve, e bënë atë më interesant dhe interaktiv.

Gjithashtu, gjej rastin të falënderoj sërish Selinë e Shenjtë dhe Mbretërinë e Jordanisë dhe misionet e tyre përkatëse në OKB, me të cilët kemi bashkë-organizuar këtë event.

Ju faleminderit të gjithëve!