Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I dashur Nikola,

I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm

Te nderuar kolegë,

Është kënaqësi të ndodhem sot në Ohër dhe më lejoni të përfitoj nga rasti e  t’ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë.

Jam i bindur se kjo mbledhje do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë, ashtu siç shpresoj që Nisma e Evropës Qendrore (NEQ) do të vazhdojë të jetë pjesë efikase e një morie instrumentesh  ekzistues që synojnë konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Si forumi më i madh dhe më i vjetër për bashkëpunim ndërqeveritar rajonal në Europë, NEQ ka sot një profil të konsoliduar dhe një kontribut të provuar në procesin e zgjerimit të BE-së.

Për gjatë viteve, NEQ-i është shndërruar në një partner të besueshëm në rajon, plotësisht i angazhuar dhe i përkushtuar që t’iu ofrojë shteteve anëtare kontribute të përqendruara drejt projekteve konkrete .

Vështruar nga ky prizëm, integrimi europian i shteteve jo anëtare të BE-së duhet të vazhdojë të jetë një prioritet për organizatën tonë.

NEQ-i duhet t’i përshtasë përparësitë me stimujt që i adresohen vendeve të Europës Juglindore nga vendet kyçe të BE-së nëpërmjet “Procesit të Berlinit”.

Pas përmbylljes së Konferencës së Berlinit e teksa përgatitemi për Samitin e Vjenës, besoj se koncepte të tilla si “ndërlidhja” dhe projektet pilote që kanë të bëjnë me infrastrukturën, energjinë, turizmin, bujqësinë dhe lëvizjen e lirë, duhet të bëhen pjesë e punës së përditshme të NEQ-it.

Në këndvështrimin tonë “Procesi i Berlinit” duhet të ndikojë në rigjallërimin e politikave të zgjerimit, bazuar në një perspektivë anëtarësimi të besueshme dhe të parashikueshme.

NEQ-i mund dhe duhet të ndihmojnë në këtë drejtim.

Përpjekjet rajonale të përbashkëta janë vendimtare për të ruajtur këtë momentum rajonal pozitiv që  kemi përjetuar gjatë vitit të kaluar.

Në këtë kontekst, ne vlerësojmë se NEQ-i është një instrument i rëndësishëm për arritjen e integrimit rajonal, veçanërisht nëpërmjet krijimit të sinergjive dhe  ndarjes së praktikave më të mira ndërmjet strategjive ekzistuese makro- rajonale, të tilla si: strategjia makro-rajonale e Danubit dhe ajo Adriatiko-Joniane.

Të dashur kolegë,

Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme që garantojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si parakusht për integrim në BE.

Ne jemi të vetëdijshëm se siguria e secilit prej vendeve tona është e ndërthurur me sigurinë kolektive të rajonit tonë dhe më gjerë.

Ndaj, është në interesin tonë të përbashkët që Maqedonia të tejkaloj krizën aktuale politike, përmes dialogut demokratik të bazuar në vlerat evropiane.

Si shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria mbetet e angazhuar dhe mbështet përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit Euro-Atlantik.

Në frymën e konkluzioneve të Samitit të Uellsit, ne besojmë se rruga e Maqedonisë drejt NATO-s kalon përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si një faktor shtet-ndërtues.

Marrëveshja e Ohrit nuk mund të shihet thjeshtë si formalitet, e as si një mënyrë për të kënaqur aksionin politik që ka në fokus një komunitet të vetëm. Ajo reflekton një vizion afatgjatë, ndërtuar mbi bazat e një historie të mirëfilltë të bashkëjetesës paqësore.

Fakti që Ohri u zgjodh të jetë vendi ku mund të arrihej dhe nënshkruhej Marrëveshja nuk është  gjasë e as rastësi, por sfidë.

Në të vërtetë, Ohri është qyteti  nga i cili kemi trashëguar vizionin e lashtë të Justinianit I. Një kryqëzim ku puqen Lindja dhe Perëndimi, jo vetëm nëpërmjet tregtisë dhe shkëmbimeve, por edhe përmes përvojës së vlerave të përbashkëta, mënyrës se jetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit, përkthyer  në përbërjen gjuhësore, etnike dhe fetare të banorëve të Ohrit.

Kjo është trashëgimia e ëndrrës së Justinianit; një përpjekje e fundit për arritjen e kohezionit nëpërmjet sundimit të së drejtës.

Për hir të së vërtetës, kjo është ëndrra e ligjvënësit Ballkanas, bazuar në sundimin e së drejtës, diversitetin dhe trajtimin e barabartë të të gjitha grupeve etnike, të cilat duhet të gëzojnë  çdo të drejtë që rrjedh nga shtetësia- status civitatis.

Ëndrra e Justinianit është në fakt shumë e ngjashme me moton frymëzuese të Bashkimit Evropian: të bashkuar në diversitet.

Të nderuar kolegë,

Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që burojnë prej anëtarësimit në BE dhe e vendosur të inkurajojë dhe promovojë më tej bashkëpunimin rajonal, me objektiv përfundimtar ankorimin e të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrjedhat Euro-atlantike.

Vetëm disa javë më parë, Shqipëria përmbylli kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Kryesimi ynë kishte si synim t’i jepte hov gjallërimit të bashkëpunimit rajonal, duke u përqendruar në bashkëpunimin praktik në fushat e sigurisë, mirëqeverisjes, antikorrupsionit, drejtësisë, punëve të brendshme dhe rinisë.

Gjatë kryesimit tonë ne kemi promovuar parimin e gjithë përfshirjes në proceset e bashkëpunimit rajonal.

Prandaj unë besoj fuqimisht se ka ardhur koha që NEQ-i të tregohet i hapur ndaj realiteteve të reja politike dhe në këtë kontekst të mirëpresë Kosovën si anëtare.

Objektivat tona të përbashkëta janë mishëruar në Planin e Veprimit të NEQ-it për vitet 2014-2016 duke u fokusuar në krijimin e shoqërive të bazuara në dije, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirjen sociale.

Shqipëria mbështet synimin e Planit të Veprimit për nxitjen e arsimit dhe trajnimeve në fushën e inovacionit, si dhe të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës për grupet e margjinalizuara.

Plani i Veprimit i NEQ-it për vitet 2014-2016 pasqyron sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona, dhe Shqipëria po punon për të ndërtuar një shoqëri moderne informacioni, në hap me shpejtësinë e epokës digjitale.

Ne jemi të angazhuar për të rritur praninë e NEQ-it në Shqipëri dhe për të punuar ngushtë me të gjitha palët e interesuara, në mënyrë që të rrisim aftësinë e tyre për të paraqitur projekte të denja për t’u financuar nga NEQ-i.

Në përfundim më lejoni t’iu shpreh, edhe një herë, kolegëve maqedonas mbështetjen tonë të plotë për një mandat të suksesshëm në krye të Nismës së Evropës Qendrore.

Ju faleminderit!