Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zonja Kryetare,

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,

Të dashur kolegë,

Do të doja të përgëzoja Helen Clark dhe ekipin e saj, jo vetëm sepse na mblodhi së bashku për të festuar 50 vjetorin e PZHKB-së (UNDP), por veçanërisht për angazhimin dhe udhëheqjen e saj në miratimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm shtatorin e kaluar.

Zhdukja e varfërisë dhe nxitja e zhvillimit është misioni kryesor i PZHKB -së, i cili mbetet një shtyllë e përpjekjeve globale në kohët e sotme, por edhe pas gjysmë shekulli. Dhënia fund e dhunës dhe vendosja e paqes do të thotë të pranojmë e respektojmë njëri-tjetrin, duke krijuar zhvillim gjithëpërfshirës, ​​qeverisje demokratike, shtetin e së drejtës dhe duke respektuar e promovuar të drejtat e njeriut, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin.

Kur kemi parasysh modelet e zhvillimit, duket se ndarja tradicionale mes konfliktit dhe vendeve të qëndrueshme është një model i së shkuarës. Ata shpesh nuk pasqyrojnë as rrënjët e një konflikti, as dinamikën e zgjidhjes së tij në ditët e sotme.

Pika e parë që doja të nënvizoja është vëmendja ndaj konflikteve rajonale, e cila mund të jetë çelësi për të parandaluar zgjerimin e tyre.

Prandaj, çdo agjendë zhvillimi duhet të përfshijë instrumente që adresojnë atë çka mban gjallë kontradikta të vjetra dhe kundërshtojnë atë që ushqen të reja.

Dy dekada më parë, rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohej nga konfliktet. Aktualisht, ai është i angazhuar në proceset e bashkëpunimit dhe integrimit, i gatshëm për të trajtuar mosmarrëveshjet dypalëshe, në frymën e fqinjësisë së mirë.

Është e rëndësishme të kujtojmë se ky proces nuk është i pakthyeshëm: është pikërisht perspektiva e anëtarësimit në BE që na shtyn përpara, na sjell më pranë njëri-tjetrit dhe kërkon të jemi më të ndërlidhur.

Në këndin tonë të Evropës, po përballemi me të njëjtat sfida, kështu që edhe përgjigja jonë duhet të jetë e bashkërenduar. Aty ku kërcënimet si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij, nuk mund të kenë kufij as veprimet tona për t’iu kundërvënë atyre, përmes masave të forta apo të buta.

Në Shqipëri, ne kemi miratuar së fundmi një strategji kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Suksesi i zbatimit të saj do të varet shumë nga përfshirja e të gjithë segmenteve të shoqërisë sonë: familja, gratë, të rinjtë dhe udhëheqësit fetarë. Gjithashtu, ajo do të kushtëzohet nga suksesi i fqinjëve tanë, dhe kjo është arsyeja pse ne po themelojmë një qendër rajonale për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Të rinjtë janë e ardhmja jonë, prandaj, për herë të parë në historinë aktuale të Ballkanit Perëndimor, kemi çelur një Zyrë Rajonale Bashkëpunimi për Rininë, me seli në Tiranë dhe të bazuar në modelin franko-gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ne duam që e ardhmja e bashkëpunimit tonë rajonal të bazohet në pranim dhe tolerancë, jo ksenofobi apo urrejtje. Në këtë mënyrë, kjo përpjekje e thjeshtë mund të jetë një instrument i fuqishëm për përmbushjen e objektivave të Rezolutës 2250 të Këshillit të Sigurisë mbi Rininë, Paqen dhe Sigurinë.

Pika ime e dytë ka të bëjë me partneritetin e Shqipërisë me PZHKB-në. Në mes të vitit 2014, ne kemi nisur një projekt pilot për Objektivin 16: “Paqe, drejtësi dhe institucione të forta”. Ne jemi të angazhuar për të realizuar këtë qëllim, pasi besojmë fuqimisht se nuk ka as zhvillim, as qëndrueshmëri pa paqe, nuk ka paqe pa drejtësi, dhe nuk ka drejtësi pa institucione të forta.

Ky projekt pilot ka dimensione kombëtare dhe globale.

Në nivel kombëtar, ai do të fokusohet kryesisht në qasjet inovative për të zbatuar dhe monitoruar qeverisjen e mirë mbi llogaridhënien, transparencën, pjesëmarrjen dhe parashikueshmërinë. Zhvillimi i qëndrueshëm për Shqipërinë do të thotë forcim i sundimit të ligjit, i vlerave tona të demokracisë dhe thellim i harmonisë sonë me bazë të gjerë shoqërore.

Në nivel global, projekti do t’i shërbejë qeverisë së Shqipërisë për të ndarë përvojën e saj me vendet e tjera, duke informuar mbi ecurinë e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në fushën e “sundimit të ligjit dhe institucioneve të afta e të efektshme”. Shpresojmë të vijojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me PZHKB-në në këtë drejtim.

Shtatorin e kaluar, Samiti i OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm kurorëzoi me sukses përpjekjet më ambicioze të ndërmarra ndonjëherë.

Rëndësia e punës së këtij samiti është përshkruar me këto fjalë nga Papa Françesku: “shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të vazhdojë të ngrihet mbi themelet e kuptimit të duhur të vëllazërisë universale dhe respektit për shenjtërinë e jetës së çdo njeriu”.

Agjenda 2030 përkthen përgjegjshmëritë dhe vullnetin në rezultate konkrete. Ky është angazhimi ynë epokal për të mos lënë askënd prapa, jo vetëm ata që munden dhe dinë, por të gjithë ata në nevojë.

Zhvillimi i qëndrueshëm në Shqipëri është përkthyer në shumë aspekte, por objekti kryesor dhe thelbi i suksesit tonë do të përcaktohet nga reforma në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit në ekonomi dhe mbrojtjes së mjedisit, si hapat e nevojshme për të krijuar një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri të drejtë e të bashkuar.

Për ne, zbatimi i suksesshëm i Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm nënkupton se Shqipëria do të jetë një vend i konsoliduar i Bashkimit Evropian; një vend në gjendje të kontribuojë edhe më shumë në sigurinë rajonale e më gjerë.

Faleminderit!