Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryetar,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotërinj,

Së pari,  i dashur Didier, dëshiroj të shpreh urimet e mia për ju dhe ekipin tuaj mjaft të aftë për këtë kryesim të suksesshëm.

Sesioni Ministror i këtij viti po mbahet në një sfond zhvillimesh shqetësuese brenda dhe përreth Evropës. Prandaj, raporti i dytë që Sekretari i Përgjithshëm ka paraqitur për ne sot vjen në kohën e duhur dhe është mjaft i dobishëm. Ky raport gjithashtu shërben për identifikimin e dy sfidave kryesore për sigurinë demokratike: mungesa e pavarësisë së gjyqësorit në shumë vende dhe kërcënimet ndaj lirisë së medias në të gjithë kontinentin evropian.

Viti 2015 nisi me sulmet terroriste në Francë dhe Danimarkë. Më tepër se sulme ndaj lirisë së shprehjes, ato ishin sulme kundër themeleve të shoqërive tona demokratike. Këto sulme janë gjithashtu dëshmi e qartë se terrorizmi është një kërcënim për të gjithë popujt dhe vendet tona. Prandaj, unë besoj se është detyrë e Organizatës sonë për të kontribuar dhe për të gjetur një përgjigje efektive ndaj kërcënimit terrorist. Deklarata dhe Plani i Veprimit kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çon në terrorizëm – të cilët i kemi adoptuar sot – janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Nën Kryesinë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ministrat e jashtëm, gjatë takimit në muajin shkurt të zhvilluar në Tiranë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët mbi terrorizmin, duke u fokusuar në nevojën për të punuar së bashku kundër këtij kërcënimi. Sot, në Shqipëri do të organizohet një ministerial dy-ditor mbi Luftën Kundër Dhunës Ekstreme, në vijim të takimit të parë, mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti.

Gjej rastin të theksoj rëndësinë e Protokollit Shtesë të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit – i cili gjithashtu do të adoptohet sot – jo vetëm si një mjet për të zbatuar disa nga detyrimet e vendosura nga Rezoluta 2178, por gjithashtu si një shembull i rolit të Këshillit të Evropës në luftën ndaj fenomenit të luftëtarëve terroristë të huaj.

Më lejoni t’i kthehem tani shqetësimit të Sekretarit të Përgjithshëm në lidhje me gjendjen e sistemit të drejtësisë në zonën e Këshillit të Evropës. Situata është shqetësuese, sepse dështimi për të siguruar një sistem gjyqësor të drejtë dhe të pavarur gërryen besimin e qytetarëve tanë në procesin demokratik. Megjithatë, unë besoj se Këshilli i Evropës është në një pozicion unik për të ofruar mbështetje në adresimin e kësaj sfide, përmes aktiviteteve të bashkëpunimit dhe “praktikave më të mira”.

Të nderuar kolegë,

Këshilli i Evropës ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në ankorimin e Kosovës në komunitetin evropian të vlerave. Qëllimi ynë parësor është të sigurojmë që të gjithë qytetarët evropianë-theksoj, të gjithë qytetarët, pa përjashtim- të gëzojnë standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga i gjithë sistemi ynë i konventave. Për këtë arsye, sa më parë të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës, aq më shpejt shtetasit kosovarë do të mund të gëzojnë mbrojtjen që ofron sistemi ynë i konventave. Mbajta e Kosovës jashtë e privon atë dhe shtetasit e saj nga mbështetja jetike që kjo organizatë ofron sa i përket përforcimit të sigurisë demokratike.

Lidhur me krizën në Ukrainë, dua të ripërsëris mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin politik të Ukrainës. Paketa e Marrëveshjeve të Minskut ofron një mundësi reale për zgjidhje paqësore të negociuar të krizës në Ukrainën Lindore.

Zonja dhe zotërinj,

Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj mbi zhvillimet në Maqedoninë fqinje. Nuk i referohem këtu vetëm luftimeve, shkatërrimit dhe humbjes së jetëve në qytetin e Kumanovës pak ditë më parë, ngjarje që, jo vetëm për shkak të përbërjes etnike komplekse të Maqedonisë, kërkojnë transparencë të plotë. Do t’ju kërkoja që t’i shihni zhvillimet në Maqedoni nga këndvështrimi i sigurisë demokratike- siguri e bazuar në angazhimin tonë, si anëtarë të Këshillit të Evropës, ndaj demokracisë pluraliste e parlamentare, pandashmërisë dhe universalitetit të të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe trashëgimisë sonë kulturore të përbashkët, të pasuruar nga shumëllojshmëria e saj. Marrëdhëniet ndëretnike janë jetike për ekzistencën e Maqedonisë, ashtu sikundër është dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. T’i quash zhvillimet e fundit në Maqedoni përplasje me karakter ndër-etnik dhe ndër-fetar është më shumë se sa një pakujdesi, është papërgjegjshmëri dhe përpjekje për të ndezur tensione ndëretnike. Kjo nuk është në interesin e sigurisë së Maqedonisë, të rajonit apo të vetë Evropës”.

Së fundi, do të doja t’i uroja suksese Bosnjës dhe Hercegovinës për Kryesinë e radhës.

Faleminderit!