Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar bashkatdhetarë,

I dashur Enver,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më vjen mirë që shoh një interes të jashtëzakonshëm për këtë bashkëbisedim. Gjatë këtyre 3 viteve Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një ekipi të dedikuar për marrëdhëniet me  1,5 milion shqiptarët që banojnë jashtë vendit, ka drejtuar veprimtarinë e saj drejt tre objektivave kryesore:

  • Identifikimi dhe hartëzimi i Komuniteteve Shqiptare Jashtë Vendit.
  • Ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor e Komuniteteve Shqiptare Jashtë Vendit.
  • Dhe përfshirja e shqiptarëve jashtë vendit në promovimin e imazhit të Shqipërisë.

 

Vizioni ynë nuk është më një vizion emocional ose folklorik i një diaspore tradicionale dhe e largët, por një vizion i kthjellët dhe gjithëpërfshirës. Ndaj dhe preferoj të flas për “Shqiptarët në botë” dhe jo thjesht për “diasporën”.

Jemi të vetëdijshëm se komunitetet shqiptare në botë nuk kanë të gjitha të njëjtat nevoja. Disa kanë më shumë nevojë për shërbime konsullore, të tjerë kanë nevojë për mbështetje në arsim, shumë të tjerë kanë humbur besimin se shteti mund t’u sigurojë atyre shërbime cilësore.

Është pikërisht kjo larmishmëri e komuniteteve tona që na imponon një vizion të ri dhe qëllime të reja duke synuar që “shqiptarët në Botë” të jenë pjesë përbërëse e fuqisë së butë (soft power) të Shqipërisë. Fillimisht i kemi dhënë përparësi vendeve ku ka prani më të madhe të shqiptarëve (si Italia dhe Greqia), dhe ku nevoja për mbështetje nga shteti është edhe më e madhe.

Nevoja parësore ka të bëjë sigurisht me rritjen e cilësisë dhe të gamës së shërbimeve konsullore, në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Në këtë përpjekje nuk jemi vetëm. E thashë edhe dje: Shqipëria ka çka të mësojë nga Kosova dhe përvoja e saj e pasur me Diasporën.

Ndaj dhe kemi iniciuar një plan të përbashkët me Ministrinë e Jashtme të Kosovës për të rritur efikasitetin e përfaqësimit tonë diplomatik dhe konsullor. Shqipëria dhe Kosova kanë zyra të përbashkëta konsullore në Milano, Bari dhe së fundmi në Mynih. Dhe ky trend do të vazhdojë në vende të tjera në Evropë dhe në Azi-Paqësor.

Zonja dhe zotërinj,

Në këto 3 vite kemi reformuar rrënjësisht shërbimet konsullore, duke nisur nga digjitalizimi i tyre.

Janë gjithsej 36 shërbime të digjitalizuara:

  • 23 shërbime qytetari mund t’i marrë me postë në shtëpi.
  • Për 13 shërbime të tjera, qytetari do të duhet të paraqitet në konsullatë/ambasadë vetëm një herë.

 

Projekti i konsullatës digjitale do të jetë plotësisht funksional në fillim të vitit 2017, por duke filluar që sot, qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë online për marrjen e 6 shërbimeve ta para konsullore. Paralelisht kemi reformuar tërësisht tarifat e shërbimeve konsullore, për të parën herë që prej vitit të largët 1998, duke ulur tarifa për disa shërbime bazë dhe duke rritur numrin e shërbimeve që ofrohen për qytetarët.

Puna jonë intensive i ka dhënë tashmë rezultatet e para, duke ndikuar në uljen e korrupsionit dhe rritjen e transparencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe në monitorimin e punës së brendshme të administratës.

Vetëm në 2014 MPJ ofroi shërbime për afro 100 mijë qytetarë. Në vitin 2015 arritëm që t’u shërbenim 200 mijë qytetarëve. Dy herë më shumë por me të njëjtin personel dhe pa i rënduar taksapaguesve shqiptarë.

Vetëm konsullata e Selanikut me 3 konsuj dhe Konsullata e Milanos me 3 konsuj arritën që brenda 1 viti të ofrojnë 22 mijë pasaporta. Disa herë më shumë se sa njësia më e madhe e gjendjes civile në Shqipëri, njësia nr.5 e Tiranës, e cila ka 3 herë më shumë punonjës (rreth 15).

Gjithashtu, si shembull i angazhimit tone për të përmirësuar informimin në kohë reale të qytetarëve tanë kudo që ndodhën, është lançuar së fundmi aplikacioni “E-Konsullata”. Ky aplikacion ka nisur të shërbejë si një portë e drejtpërdrejtë komunikimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Konsullata digjitale e shërbimeve online, është një ndërmarrje e jashtëzakonshme, e cila do të mund të realizohet me sukses me ndihmën tuaj.

Jemi të ndërgjegjshëm se jemi ende larg asaj çka pret qytetari shqiptar i shekullit 21. Nuk na dekurajojnë aspak vështirësitë. Dëshirojmë thjesht që shtetasit tanë të ndihen të sigurt, të mirë përfaqësuar dhe të respektuar kur kalojnë pragun e ambasadave ose konsullatave tona.

Ju faleminderit!