Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryetar,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Kolegë,

 

Prej kohësh tashmë, sa herë takohemi në dhjetor, diskutojmë mbi vështirësitë e vitit që lamë pas.

2015 ka dëshmuar të jetë një vit jashtëzakonisht i vështirë. Ai nisi dhe po përfundon me akte të përgjakshme terrori, të cilat po prekin hapësirën e OSBE-së.

Situata brenda dhe rreth Ukrainës mbetet shqetësuese, ndërsa zbatimi i plotë i marrëveshjes së Minskut, nga të gjitha palët, është e vetmja rrugë drejt një zgjidhjeje politike.

Harku i paqëndrueshmërisë me në epiqendër Sirinë, ka prodhuar një krizë humanitare me përmasa dramatike, krizë refugjatësh të paprecedentë dhe një krizë të sigurisë me pasoja për të gjithë hapësirën e OSBE-së.

Përgjatë vitit, kemi qenë dëshmitarë të dhunës së pamëshirshme të DAESH-it, dhe çdo ditë që kalon, na bind më tej se ky barbarizëm nuk do të zhduket lehtë.

40 vjet pas Aktit Final të Helsinkit, nevoja për të forcuar themelet e Organizatës sonë është më e fortë se kurrë.

Do të doja të falënderoja Panelin e Njerëzve të Shquar për punën dhe rekomandimet e tyre mbi rikonsolidimin e sigurisë evropiane, si një projekt i përbashkët.

Jam i bindur se ata i kanë ofruar organizatës një projekt për të adresuar rebusin aktual të sigurisë në Evropë, pa hequr vëmendjen nga parimet mbi të cilat është ngritur OSBE-ja, dhe duke i lënë hapësirë të mjaftueshme Kryesisë gjermane hapësirën e nevojshme për të ngritur Organizatën në nivelet e duhura.

Do t’ju ftoja të shihnim jo vetëm kërcënimet dhe sfidat, por edhe mundësitë që sjell ky rikonfigurim i sigurisë.

Kriza brenda dhe përreth Ukrainës ishte një mundësi për OSBE-në të rikonfirmonte aftësinë e saj për të funksionuar nën rrethanat më të vështira.

Shqipëria vlerëson përpjekjet dhe mbështet plotësisht Misionin Special Vëzhgues në Ukrainë, Grupin Trilateral të Kontaktit dhe formatin e bisedimeve të Normandisë.

Mjedisi aktual kërkues i sigurisë i paraqet OSBE-së një mundësi për të provuar se ajo disponon strukturat dhe instrumentet për të rivendosur besimin dhe lehtësuar dialogun mes shteteve, si dhe me organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria beson se OSBE-ja duhet përforcuar, sidomos në ato fusha të veprimtarisë ku organizata ka një vlerë të shtuar, në frymën e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe përplotësimit me organizata të tjera, si NATO dhe BE-ja.

Kjo vlen veçanërisht për sa i përket masave për forcimin e besimit dhe sigurisë, kontrollit të armëve, trafikut të drogës, terrorizmit e radikalizimit që çon në terrorizëm, si dhe migrimit.

Ne jemi të bindur se përditësimi i Dokumentit të Vjenës është prioritet për ndërtimin e besimit, i nevojshëm për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

Në të njëjtën kohë, institucionet e pavarura të OSBE-së meritojnë jo vetëm mirënjohjen tonë, por edhe mbështetjen tonë të plotë, politike dhe buxhetore, pasi ata realizojnë parandalimin e konfliktit dhe ushtrojnë funksionet e paralajmërimit të hershëm.

 

Zonja dhe zotërinj,

Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor ishte një nga prioritetet e kryesisë serbe në ikje, të cilën Shqipëria e mirëpriti, jo vetëm për shkak se ajo përkon me prioritetet e politikës sonë të jashtme.

Ballkani Perëndimor ka shënuar progres gjatë këtij viti në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i cili ka qenë thelbësor për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal.

Megjithatë, ekziston një dikotomi në rajonin tonë, ndërmjet:

• Gjuhës së diskursit tonë, i cili është ai i BE-së dhe vlerave evropiane.

• Dhe në anën tjetër, veprimet, të cilët nuk arritën të materializonin këtë gjuhë.

Një bashkëpunim rajonal i vërtetë dhe i prekshëm kërkon përkthimin e fjalëve në vepra.

Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, më lejoni edhe njëherë të theksoj rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, ku Kosova meriton të jetë anëtare.

E përsëris këtë, sepse Kosova nuk është as kutia e Pandorës, as një territor i aneksuar, dhe aq më pak një konflikt i ngrirë. Kosova është një realitet i pamohueshëm, dhe duke e quajtur atë çdo gjë tjetër është në kundërshtim me frymën e parimeve themeluese të kësaj organizate.

Do të doja të falënderoja Kryesinë Serbe për punën e saj gjatë këtij viti dhe mikpritjen e saj në këtë takim ministror.

I uroj suksese Kryesisë gjermane të radhës, i bindur mbi vendosmërinë e tyre për të udhëhequr OSBE-në në drejtimin e duhur, si dhe për të adresuar sfidat me të cilat përballet arkitektura evropiane e sigurisë.

Faleminderit!