Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryeministër Rama,

Z. Kryeministër Mustafa,

Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotërinj,

Ka kaluar pak më shumë se një vit nga takimi i Prizrenit, në të cilin u firmos deklarata e përbashkët e Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës, një dokument i një rëndësie historike, për ne dhe mbarë rajonin.

Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: shfrytëzimi i potencialeve tona për një bashkëpunim të thelluar strategjik dhe përshpejtimi i procesit të integrimit Europian.

Sipërmarrja jonë politike i ka dinamizuar marrëdhëniet tona. Falë bashkëpunimnit strategjik sot disponojmë një instrument bashkërendimi qevesisës për politikat zhvillimore, me impakt të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve, si në këtë anë ashtu dhe në anën tjetër të bjeshkëve.

Eksperienca e grumbulluar nga takimi i Prizrenit në takimin e sotëm të Tiranës, kundërshton të gjitha ato zëra skeptikë që nuk besonin në qëndrueshmërinë dhe vlerën e një partneriteti të natyrshëm që shkon përtej rrethanave politike dhe partiake.

Në harkun kohor të këtij viti, kemi qenë protagonistë të zhvillimeve të rëndësishme. Sikundër e nënvizoi edhe Kryeministri Rama, infrastruktura, energjia, bujqësia, kultura dhe turizmi janë fushat ku jemi përpjekur të krijojmë kushtet e një ndërveprimi produktiv dhe një ndërvarësie harmonike.

Në fokus të punës tonë mbetet zhvillimi ekonomik sepse ai është ende i pashfrytëzuar dhe larg objektivave që kemi përcaktuar. Ndaj dhe “Protokolli për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë” që nënshkruajmë sot do të mundësojnë gradualisht krijimin e një hapësirë tregtare unike pa barriera.

Në rrafshin e politikës së jashtme anëtarësimi i dy shteteve tona në familjen e përbashkët Europiane dhe ankorimi në aleancën euro-atlantike mbeten prioritetet tona kryesore.

Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në Bashkimin Europian, do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të mundësuar mbylljen me sukses të MSA-së; jetësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në hapësirën Schengen sikundër qytetarët e rajonit; dhe institucionalizimin e  marrëdhënieve të saj me NATO-n.

Gjithashtu, Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe pranisë së saj me të drejta të plota në të gjitha platformat rajonale. Rruga e anëtarësimeve të reja dhe shtimi i njohjeve, do t’i japë Kosovës vendin që meriton në institucionet ndërkombëtare.

Sikundër e përmëndi edhe Kryeministri Rama, Europës i duhet të përballet në lindje dhe në jug me fenomene dhe kriza që sfidojnë  arkitekturën e sigurisë së kontinentit. Këto zhvillime kanë përforcuar peshën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes nësh bëhet edhe më thelbësor.

Bashkërednimi dhe bashkëveprimi në cështje të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar, është një mënyrë që dy vendet tona të kontribojnë edhe më shumë në drejtim të forcimit të paqes dhe konsolidimit të rajonit tonë si një rajon i mirëfilltë nga pikëpamja e sigurisë.

Të nderuar të pranishëm,

Ballkani Perëndimor – falë “Procesit të Berlinit” – është tashmë pjesëmarrës në formësimin e politikave të BE-së për ndërlidhjen dhe zhvillimin e rajonit.

Konferenca e Berlinit, e cila do të pasohet këtë vit nga ajo e Vienës, është një ogur i mirë për transformimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon të vërtetë nga pikpamja ekonomike dhe e ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike dhe e burimeve njerëzore.

Projektet e reja, që duhet të nxisim gjatë muajve në vijim, si ato në fushën e transportit rrugor, hekurudhor, përfshirjen e Kosovës në degëzimet e projektit të gazifikimit TAP-IAP, rrjetëzimin e plotë energjetik midis vendeve tona, janë në funksion të drejtpërdrejtë të nxitjes së zhvillimit, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe të ndërlidhjes së rajonit tonë.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Kosova, falë bashkërendimit të aktivitetit të tyre politik, kanë treguar se mund të jenë aktore kuptimplota në përpjekjet e rajonit tonë për të zvogëluar hendekun ekonomik dhe shoqëror që ende ndan Ballkanin Perëndimor me Bashkmin Europian.

Të nderuar të pranishëm,

Mbledhja e sotme midis dy qeverive tona do të shoqërohet edhe me nënshkrimin e një numër marrëveshjesh. Por më shumë se numri i marrëveshjeve që nënshkruhen ka rëndësi fryma e mesazhit që përcjellim sot dhe cilësia e zbatimit të zotimeve tona.

Duhet të jemi të vetëdijëshëm se kjo frymë dhe kjo cilësi kumbojnë kudo ku jetojnë shqiptarë në rajon. Ato kumbojnë në diasporë ku gjënden një pjesë e mirë e bashkëkombasve tanë, të cilët presin me padurim që bashkëveprimi ynë t’i kushtojë një vëmëndje të strukturuar, duke dashur me të drejtë të bëhen pjesë e sukseseve që mund të arrrijmë bashkërisht.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, uroj punë të mbarë mbledhjes së sotme