Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar të Zonja dhe zotërinj,

Lejomëni fillimisht të falenderoj kolegun tim, deputetin dhe rektorin e Universitetin Mesdhetar, Anastas Angjeli, që më krijoi mundësinë të ndaj me ju disa mendime mbi rajonin e Europës Jug-Lindore në lidhje me sfidat e integrimit ekonomik rajonal.

Një cerek shekulli nga rënia e Murit të Berlinit, jemi sërish në kërkim të një rendi ndërkombëtar. Jetojmë në një periudhë ku fuqi të natyrave të ndryshme me veprimet e tyre kanë vënë në pikëpyetje parimet dhe praktikat e konsideruara të gjithpranuara pas shembjes së perandorisë komuniste.

Sfida të rëndësishme që lidhen me fusha jetike, ndër të cilat siguria, energjia, mjedisi, të drejtat e njeriut, po trondisin projektin Europian, Europën në tërësi, sikundër fqinjët e saj në lindje dhe në jug.

Për më tepër, ligjërimi mbi BE-në po ndryshon, duke përfshirë: lodhjen nga zgjerimiGrexit,Brexit dhe ndasitë jug-veri. Ndërsa euro-skepticizmi përhapet ngadalë, por sigurtë, platformat politike anti-europiane po fitojnë tërren.

Por pavarësisht euro-skepticizmit në rritje në vendet anëtare dhe pasojave të krizës së euros, qytetarët e Ballkanit Perëndimor vijojnë të identifikohen me projektin Europian. Ata besojnë në vlerat dhe parimet e BE-së dhe e konsiderojnë integrimin në BE si procesin e vetëm që garanton transformimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Në këtë pasiguri dhe ankth që përjetohet në Europë, ky përbën natyrisht një lajm të mirë.

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për BE-në sepse kështu ajo siguron Jug-Lindjen e saj, ku po ndërtohen rrugë të rëndësishme energjitike. Ka gjithashtu rëndësi ekonomikesepse këto arterie energjitike do ta përmirësojnë edhe më tej sigurinë e BE-së, duke garantuar kësisoj diversifikimin e furnizuesve dhe korridoreve të energjisë.

Mos të harrojmë se BE-ja e ka gjenezën e saj në një bashkësi energjitike. Sot ajo është importuesi më i madh në botë i energjisë, me një kosto prej 400 miliard euro/vit. Tregu i përbashkët i energjisë është ende i papërfunduar, ndërsa tregje si ato të Europës Jug-Lindore vuajnë ende nga mungesa e ndërlidhjes.

Të nderuar të pranishëm,

Që prej vitit 2003, kur BE-ja u zotua në Samitin e Selanikut për një të ardhme Europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, hendeku ekonomik midis vendeve më të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara të Ballkanit, është rritur edhe më shumë. Nga njëra anë Bullgaria, Rumania dhe Kroacia dhe nga ana tjetër Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia.

Po marr si ilustrim tre lloje treguesish për harkun kohor 2003-2011, i konsideruar si periudha e rritjes ekonomike, ku kriza e euro-zonës nuk ishte shpërfaqur ende në rajonin tonë:

–      prodhimin e përgjithshëm bruto për frymë,

–      rritjen e të ardhurave të përgjithshme bruto për frymë,

–      eksportin vjetor të mallrave e shërbimeve për frymë.

Së pari: Prodhimi i përgjithshëm bruto për frymë në vendet e Europës Jug-Lindore, evidenton qartë raportin e drejtpërdrejt midis anëtarësimit në BE dhe zhvillimit ekonomik të një vendi. Sa më pak i zhvilluar të jetë një vend, aq më pak ka avancuar ai në integrimin Europian. Dhe sa më pak të ketë avancuar dejt integrimit Europian aq më pak i zhvilluar është.

Nëse konsiderojmë si bazë 100 mesataren e Produktit të Brendshëm Bruto të vendeve anëtare të BE-së, Kosova ka për shembull një koeficient 18, Shqipëria dhe Bosnja 30, Serbia 35, ndërsa Bullgaria 46, Rumania 49, Kroacia 61 dhe Greqia 79.

Së dyti: rritja e të ardhurave të përgjithshme bruto për frymë në vendet e anëtarësuara në BE ka qenë më e madhe krahasuar me vendet që kanë mbetur jashtë BE-së.

Për shembull, Rumania ka pësuar rritje afërsisht me +8200 USD, Bullgaria +6000 USD, Kroacia +5800 USD. Ndërsa në Maqedoni është rritur afërsisht me +5000 USD, Serbi +4700 USD, Shqipëri +4400 USD, B-H +3500 USD, dhe Kosovë +1700 USD.

 

Së treti: Eksporti vjetor i mallrave dhe shërbimeve në vende si Bullgaria është rritur afërsisht tre herë krahasuar me eksportin vjetor të Shqipërisë.

Treguesit e lartpërmendur që përkojnë me një periudhë rritje ekonomike, përforcojnë idenë e rritjes së hendekut ekonomik midis vendeve brenda dhe atyrë jashtë BE-së. Për aq kohë sa ky hendek do të vijojë të thellohet, rajoni i Evropës-Juglindore nuk do mund të quhet rajon.

Zonja dhe zotërinj,

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bashkëpunimi rajonal mund të kenë sukses vetëm nëse ne shndërrohemi në një rajon të vërtetë nga pikëpamja politike, ekonomike dhe e sigurisë.

Konferenca e Berlinit dhe iniciativa të tjera rajonale si Procesi i Bashëpunimit i Europës Jug-Lindore (SEECP) nxisin bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë mes vendeve tona duke synuar përmirësimin e ndërlidhjes në fusha të ndryshme si: infrastruktura, energjia, turizmi dhe klima e biznesit.

Këtë vit, Procesi i Berlinit do të kurorëzohet me një tjetër Konferencë,  në Vjenë në gusht 2015. Në këtë kontekst, Shqipëria është aktive në koordinimin e përzgjedhjes së projekteve që do të prezantohen pranë Komisionit Europian dhe vendet anëtare për mbështetje.

Por, në mënyrë që këto projekte të prodhojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, vendet e rajonit duhet të plotësojnë kuadrin ligjor dhe institucional ku përparësi të vecantë kanë:

–      Marrëveshja mbi Komunitetin e Transportin me qëllimin që ta përfundojmë atë brenda 2015;

–      Ripërtëritja e Traktatit rajonal për Energjinë – i cili është mbi 10 vjecar. E për pasojë nuk reflekton as nevojat e sotme dhe as potencialet që burojnë nga projektet e reja.

Procesi i Berlinit është një mundësi për të rigjallëruar projektin e integrimit Europian, që ai të jetë një instrument transformimi i Ballkanit Perëndimor në një rajon më të përparuar ekonomikisht.

Do të isha i lumtur të flisja sot para jush për një treg të përbashkët rajonal, por treguesit janë kokëfortë. Po ju paraqes edhe një tregues të fundit që ilustron mungesën e ndërlidhjes ekonomike rajonale nga pikëpamja e Shqipërisë.

Në vitin 2013 vëllimi tregtar me rajonin përfaqësonte vetëm 9% të vëllimit të përgjithshëm tregtar të Shqipërisë. Cka tregon se jemi ende larg përparësisë rajonale në marrëdhëniet tona tregtare.

Zonja dhe zotërinj,

Kriza në Ukrainë dhe rëndësia e rrugëve të sigurta të energjisë për ekonominë e BE-së nxjerrin në pah rëndësinë e projekteve strategjike energjitike si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) dhe degëzimi i tij Adriatiko-Jonian (IAP).

Këto dy gazsjellës janë në linjë me Strategjinë e Sigurisë Energjitike të BE-së dhe do të luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm në efikasitetin e energjisë dhe diversifikimin e burimeve energjitike, por edhe në krijimin e një tregu të integruar rajonal që funksionon sipas rregullave dhe standarteve të BE-së.

Sigurimi i furnizimit me energji dhe zhvillimi i ekonomisë së rajonit, varet gjithnjë e më shumë nga zhvillimi i rrjeteve energjitike dhe infrastrukturës rajonale.

Mangësitë në ndërlidhjen dhe tregtinë rajonale vazhdojnë ta kufizojnë potencialin që ka rajoni për rritje. Një rajon më i integruar do të ndihmonte për rritje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke e kufizuar hendekun midis vendeve që kryesojnë dhe atyre që kanë mbetur pas në procesin e integrimit Europian.

Ndërlidhja rajonale mund të ndihmojë të clirojë potencialin e rritjes që vjen nga afërsia gjeografike. Reduktimi i distancave dhe integrimi i tregjeve do të ndihmojë që nënrajone me të ardhura të ulëta të arrijnë nivele të ardhurash që nuk do të mund t’i arrinin po të ishin vetëm, vecanërisht ato nënrajone që nuk kanë dalje në det.

Paqja dhe stabiliteti demokratik në rajonin tonë mund të transformohen në një narrativë mirëqënie shoqërore dhe suksesi ekonomik vetëm përmes instrumenteve të reja që rajoni kërkon nga Bashkimi Europian.

Është e rëndësishme që rajoni ynë, me një të kaluar të larmishme në konflikte, të vijojë rrugën drejt përparimit duke bërë që edhe interesat e aktorëve të tretë në rajon të jenë plotësuese, jo konkurruese dhe jo përjashtuese.

Falemnderit për vëmendjen!