Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Zonja dhe zotërinj,

 

Promovimi i Shqipërisë si vend me potencial ende të pashfrytëzuar, në fusha të ndryshme, mbetet një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme.

Natyrisht, promovimi nuk është thjesht një listë me avantazhe. Është një detyrë që lidhet me krijimin e kushteve dhe krijimin e një perceptimi tek investitorët e huaj se në Shqipëri ia vlen të investosh.

Kriza financiare e 2008-ës që mbërtheu Europën nuk e kurseu as Shqipërinë. Në veçanti, kriza që mbërthu Italinë dhe Greqinë, që janë jo vetëm partnerë kryesorë tregtarë (2/3 e tregtisë) por edhe vendet ku punojnë dhe banojnë rreth 1,2 milionë shqiptarë, e vështirësuan zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Për më tepër, në këto 25 vjet tranzicioni, ekonomia shqiptare është karakterizuar nga suksese dhe dështime spektakolare, ku monopolet dhe oligopolet pasqyrojnë modelin e pasurimit të shpejtë dhe shpesh herë të padrejtë.

Ndaj dhe sot pritshmëria e qytetarëve shqiptarë për zhvillimin ekonomik të vendit është në përpjestim të zhdrejtë me durimin e tyre për një jetë më të mirë.

Qeveria jonë, tashmë në vitin e tretë të mandatit të saj, e kuptoi mirë se ky tranzicion mund të përfundojë, duke krijuar kushtet optimale për një klimë sa më të mirë biznesi. “Easier said than done”
3 vitet e fundit janë karakterizuar nga reforma të thella, me synim rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së bizesit.

Kuadri i ri ligjor mbi turizmin, investimet e huaja, partneritetin publik-privat dhe mbi zonat e lira ekonomike, janë vetëm disa nga reformat e ndërmarra për rritjen e zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë, programi i konsolidimit fiskal, i filluar në bashkëpunim me FMN, është shoqëruar nga reforma të thella mbi menaxhimin e financave publike, sektorin e energjisë, sistemin e pensioneve, të cilat kanë krijuar kushtet për rritjen e besimit të sipërmarrjes.

Falë këtyre masave rritja ekonomike e vendit arriti në 2,6% në 2015 dhe pritshmëria mbetet pozitive për këtë vit (3,4%).

Natyrisht rritja ekonomike mund të ishte edhe më e madhe, por cmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet botërore dhe kriza financiare ende e papërfunduar në Itali dhe Greqi, kanë qenë disa prej pengesave.

Marrja e statusit të vendit kandidat në BE, ka shërbyer si incentiv i fortë për të vijuar rrugën e reformave strukturore me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit.

Por rrugëtimi i Shqipërisë dhe i rajonit tonë drejt BE-së duhet të kalojë nëpërmjet zhvillimit ekonomik rajonal. Në këtë kontekst, Procesi i Berlinit merr një rëndësi të veçantë sepse përqendrohet në një nga problematikat e rajonit tonë, atë të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjitike.

MPJ, nëpërmjet rrjetit të saj të të përfaqësive në botë, dhe në bashkëpunim me institucionet e linjës në vend ka patur një qendër të vëmendjes zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.

Mbase të investosh në Shqipëri nuk është e lehtë, sidomos sot, në kushtet ku ballafaqimi midis rigorozitetit financiar dhe stimulimit ekonomik, nuk është thjesht përballje opinionesh, por dy këndvështrime për modele të ndryshme të një ekonomie europiane ende në kërkim të vendit të saj në një botë gjithnjë e më shumë të ndërvarur.

Roli i diplomacisë ekonomike është i gjithanshëm dhe parashikon angazhime lidhur me tregtinë e jashtme, promovimin e interesave ekonomike të vendit, sensibilizimin e investitorëve për mundësitë që u ofrohen, negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve ekonomike-tregtare, si edhe bashkëpunimin për eliminimin e divergjencave.

Por të gjitha sa më lart nuk mund të realizohen plotësisht nëse nuk ka sundim të ligjit në ekonomi, nëse nuk luftohet korrupsioni, nëse nuk përcaktohen qartë të drejtat e pronës dhe nëse nuk përmirësohet aq sa duhet infrastruktura e vendit.

Historitë e suksesit të bizneseve zviceriane tregojnë se deri më tani rruga e investimit në Shqipëri ka qenë një rrugë e mundimshme.

Në këto kushte të mundimshme, sic thoshte dhe shkrimtari zvicerian Friedrich Dürrenmatt, “kush kënaqet me botën ashtu sic është dhe përfiton nga mugesa e drejtësisë, do të thotë se refuzon ndryshimin”.

Ndryshimi për Shqipërinë nënkupton njëkohësisht sundimin e ligjit dhe rikthimin e besimit të munguar.

Është pikërisht ky ndryshim që ne mëkojmë dhe kërkojmë të nxisim dita ditës.

Ju falemnderit!