Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Dëshiroj së pari të shpreh kënaqësinë e veçantë që së bashku me kolegë ministra, personalitete të fushës së kulturës, studiues, aktorë të ndryshëm qeveritarë e shoqërorë, përfaqësues nga UNESCO, marr pjesë në këtë fazë të parë të festimeve të 60 vjetorit të anëtarësimit të vendit në UNESCO. Pas pak javësh, në periudhën 19-23 nëntor, do të zhvillohen në Paris aktivitete shtesë për të shënjuar edhe në Selinë e Organizatës, këtë moment të rëndësishëm.

Sot mbushen plot gjashtë dekada nga dita e anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO. Si pjesë e zinxhirit të sistemit të Kombeve të Bashkuara, UNESCO u themelua për të zhvilluar solidaritetin intelektual dhe moral të njerëzimit, si një instrument ndërqeveritar për të ndërtuar paqe të qëndrueshme. Pas më shumë se shtatë dekadash, mund të themi pa droje se aktiviteti i saj ka ndihmuar në ndryshimin e jetës dhe ndërtimin e së ardhmes për miliona vetë, ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit në mbarë globin e shohin dhe kuptojnë njëri-tjetrin dhe në tërësi botën në të cilin jetojmë.

Shqipëria e kohës së anëtarësimit në UNESCO, siç e tha pak më parë dhe Mirela, ka qenë një tjetër, kryekëput ndryshe nga Shqipëria e sotme, demokratike, moderne, e zhvilluar, e etur dhe pakthyeshëm e angazhuar për progres. Nuk ka shumë për të thënë për praninë, rolin dhe kontributin tonë në UNESCO – si edhe në pjesë të tjera të aktivitetit shumëpalësh,   gjatë dekadave nën regjimin komunist. Megjithatë, përpos kufizimeve drastike të imponuara nga diktatura, orientimit ideologjik, paranojës dhe vet-izolimi ndërkombëtar, prania në UNESCO e ndihmoi Shqipërinë të luftonte analfabetizmin në përpjekje për të nxjerrë vendin nga një prapambetje e theksuar.

Me ndryshimet rrënjësore të sistemit politik në vend, ndërveprimi ynë me UNESCO-n e vuri në qendër nevojën për mbështetjen për integrimin e vendit në botë, ndryshimin e imazhit dhe rritjen e shikueshmërisë, mbështetjen për lirinë e shprehjes, përmirësimin e sistemit arsimor, ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, ndërtimin dhe funksionimin e shoqërisë civile dhe qytetarisë, mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore përmes politikave të reja si dhe, në mënyrë të veçantë, mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut.

Në harkun kohor të tre dekadave, Shqipëria është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive në diskutimet mbi çështje madhore të agjendës së organizatës dhe i’a ka dalë të përfshijë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish që përfaqësojnë dhe nxjerrin në pah vlerat universale të padiskutueshme e të vyera të trashëgimisë tonë kulturore, shpirtërore, natyrore. Butrinti, Berati, Gjirokastra, Iso-polifonia, “Kodikët e Purpurt të Beratit”, Pyjet e Hershëm Ahorë të Lumit të Gashit dhe Rajcës, Rezerva e Biosferës së Prespës, janë tashmë faqe të ndritura në pasaportën tonë kulturore dhe natyrore, pjesë e trashëgimisë botërore dhe regjistrave të tjerë ndërkombëtarisht të njohur e botërisht të vlerësuar.

Një tjetër dosje rëndësishme, ajo e Rajonit të Ohrit, është aktualisht nën shqyrtim dhe ne kemi besim se vitin e ardhshëm ajo do të bëhet një margaritar në gjerdanin e Trashëgimisë Botërore.

Dëshiroj të veçoj, gjithashtu angazhimin tonë të vazhdueshëm në kuadër të dialogut mes qytetërimeve dhe kulturave. Konferenca ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar, “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri”, organizuar në vitin 2003, nën patronazhin e ish-Presidentit Moisiu dhe ish-Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Matsuura, përbën një aspekt konkret të bashkëpunimit të veçantë me organizatën. Të tjerë shembuj ilustrojnë vëmendjen dhe kujdesin tonë të përhershëm për të ruajtur e ushqyer një nga pasuritë tona më të mëdha kombëtare, asnjëherë e ngurtë por e përhershme dhe e gjithëpranishme, atë të mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit te sinqertë e shembullor mes besimeve fetare.

Në epokën e sotme të angazhimit të fuqishëm, si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë global për të luftuar ekstremizmin, radikalizimin, dhunën ekstreme dhe terrorizmin, modeli shqiptar i kohezionit social dhe përpjekjet tona për të forcuar në shkollë mendimin dhe analizën kritike të botës dhe fenomeneve, janë një kontribut konkret në këtë drejtim, në pajtim të plotë dhe tërësisht të koordinuara edhe me UNESCO-n.

Zonja e zotërinj,

Më lejoni në këtë moment të theksoj tre momente, të cilët, në gjykimin tim, kanë rëndësi të posaçme.

Së pari, mbi rëndësinë dhe ruajtjen e forcimit të multilateralizmit. Pas pak javësh, bota do të përkujtojë 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, e cila, siç e dimë, i pati fillesat pikërisht në Ballkan. Ndryshimet epokale gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të e deri sot, kanë ulur varfërinë, kanë zvogëluar dallimet mes vendeve të zhvilluara e atyre në zhvillim, kanë ndryshuar rrënjësisht gjeopolitikën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, e kanë bërë botën një vend më të paqtë e më të sigurtë. Por, do të ishte iluzive nëse do t’i merrnim gjerat të mirëqena.

Retorika populiste në rritje edhe në shoqëritë e zhvilluara, banalizimi i gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, presioni ndaj multilateralizmit dhe tendencat për tkurrje nacionale na thërrasin për vigjilencë të shtuar dhe imponojnë nevojën për një fokus të përtërirë, më të qartë, më kërkues dhe për bashkëpunim më efikas.

Në besojmë fort në një botë ku vendet takohen për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta, për të gjetur zgjidhje bashkërisht dhe për të projektuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Pikërisht edhe për këtë arsye, kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në UNESCO, si një investim i njëmendtë për qytetarët e Kosovës, por edhe për forcimin e bashkëpunimin rajonal. Siç e ka treguar përvoja e viteve të fundit, bashkëpunimi efektiv rajonal e më gjerë në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, komunikimit, nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje dhe kontribut gjithëpërfshirës. Ne do të vijojmë të jemi në linjën e parë të përpjekjeve të sinqerta e të pareshtura, për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, përfshirë përmes nxitjes, evidentimit dhe konsolidimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore, shpirtërore dhe diversitetit kulturor.

Së dyti, dhe e lidhur edhe me sa më lart, mbi nevojën për të investuar më shumë dhe në mënyrë më të mençur, rininë. Është e rëndësishme që të mundësojmë me çdo mjet që energjia dhe krijimtaria e brezit të ri të vihet në shërbim të zgjidhjes së probleme të së sotmes dhe të së ardhmes. Angazhimi, vullneti, aftësitë dhe shkathtësitë e brezit të ri do të jenë vendimtarë si për Shqipërinë dhe rrugëtimin tonë evropian por, edhe për të ndërtuar një rajon që jeton më së fundmi në paqe dhe prosperitet. Pikërisht për këtë arsye, ne kemi mbështetur fort krijimin e Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, dy iniciativa me seli në Tiranë, për të iniciuar procesin e pajtimit rajonal përmes rinisë dhe shoqërisë civile, me besimin se duke ndërtuar një urë solide komunikimi mes të rinjve, do të jemi në gjendje të ndërtojmë ura të tjera bashkëpunimi e mirëkuptimi mes shoqërive.

Së treti, nevoja për të reformuar UNESCO-n, për ta bërë atë më efektive, më të zhdërvjellët dhe më rezultative, si pjesë e zinxhirit të një organizate të madhe burokratike që ka nevojë për reformë të vazhdueshme. Ndërsa me të drejtë vlerësojmë arritjet e organizatës gjatë 7 dekadave, jemi të ndërgjegjshëm se më shumë mbetet për t’u bërë. Në shumë vende, miliona vajza dhe djem ende nuk kanë qasje në mësim. Analfabetizmi pengon qindra miliona të tjerë të marrin pjesë plotësisht në shoqëritë ku jetojnë. Liria e shprehjes është ende e cunguar ose e keqpërdorur në shumë pjesë të botës. Ndryshimet klimatike janë identifikuar tashmë si një kërcënim real për njerëzimin. Prandaj, ne mbështesim projektin e transformimit strategjik të iniciuar nga Drejtorja e Përgjithshme që synon t’i japë Organizatës një rol të ripërtërirë në një botë kryekëput të ndryshuar, e cila kërkon ide, energji, vizion, projekte dhe mbi të gjitha rezultate bindëse.

Zonja e Zotërinj, anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që prej vitit 2013 për dy mandate të njëpasnjëshme, Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në fushat e kompetencës së UNESCO-s në arsim, shkencë, komunikim si dhe në ruajtjen dhe nxitjen e trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore, pasi gëzon nevojën e jetësimit të mandatit të organizatës si një instrument i pazëvendësueshëm ndërkombëtar për paqe e mirëkuptim.

Ne kemi bindjen se kultura dhe dialogu kulturor, me energjinë e “fuqisë së butë”, mbeten një përbërës i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i diplomacisë publike, i përpjekjeve për mirëkuptim, të cilat, bota e sotme komplekse dhe shpesh e polarizuar, i ka nxjerrë në plan të parë.

Njerëzimi ka sot nevojë për një UNESCO të fortë e të aftë, për eksperiencën e pasur, dijen e akumuluar, “fuqinë e butë” dhe për një kontribut të shtuar për të ruajtur arritjet dhe projektuar bashkarisht të ardhmen, një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe të denjë për të gjithë, të cilën mund ta ndërtojmë veçse duke punuar të gjithë bashkë, në  paqe, mirëkuptim, besim, e respekt të ndërsjelltë.

Ju faleminderit!