Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar koleg Gjiknuri,

Të nderuar Zonja dhe zotërinj,
Mirësevini në këtë aktivitet të organizuar bashkërisht me Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë dhe me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, në kuadër të Ministerialit të Komunitetit të Energjisë.

Teksa po përgatitesha për këtë aktivitet në mendje më erdhi zanafilla e Bashkimit Evropian, si një projekt i bazuar në një element kyç: Energjinë. BE-ja ka njohur ndryshime të mëdha transformuese në këto 60 vjet – nga Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut te Paketa e Tretë Energjetike.

Energjia, ajo që dikur ishte mollë sherri midis fqinjësh, shërbeu si katalizator i farkëtimit të një historie përbashkimi të të gjithë kontinentit. Nga kjo pikëpamje, historia e sigurisë energjetike të Evropës është historia e përpjekjeve për paqëtimin e kontinentit.

Që prej shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të procesit të ribashkimit të kontinentit, përpjekjet për ta përmirësuar infrastrukturën evropiane të energjisë dhe për diversifikimin e burimeve energjetike, kanë mundësuar zbehjen e ndarjes ndërmjet Lindjes e Perëndimit, por ende nuk kanë arritur të zbehin një tjetër ndarje atë mes Jugut dhe Veriut.

BE-ja e ka kuptuar rëndësinë e një qasjeje strategjike për sektorin e energjisë në këtë kënd të Evropës. Sepse energjia është pazgjidhshmërisht e lidhur me sigurinë. Dhe sikundër ngjarjet e dy viteve të fundit kanë treguar (kriza e Ukrainës, e Sirisë, marrëveshja me Iranin, trazirat e vendeve të Magrebit, fluksi i pandalshëm i refugjatëve drejt hapësirës evropiane), krahu jugor dhe ai juglindor i Evropës janë ende në rrezik për t’u përpirë nga kriza të tjera të mundshme.

Natyrisht, për Shqipërinë, si vend kandidat në BE dhe anëtar i NATO-s, energjia përbën një element të rëndësishëm, jo vetëm për dimensionin e sigurisë që përmban, por edhe për ekonominë e vendit dhe rajonit. Garantimi i furnizimit me energji dhe zhvillimi ekonomik i rajonit është gjithnjë e më shumë i varur mbi zhvillimet e rrjeteve të energjisë dhe infrastrukturës rajonale.

Zonja dhe zotërinj,

Rajoni po përjeton një moment politik që shënjohet nga iniciativa dhe procese që kanë në fokus të veçantë sigurinë energjetike. Ndër to mund të veçoj:
· Procesin e Berlinit,
· Ngritjen e iniciativës së Ndërlidhjes së Gazit Evropian të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) si dhe
· Paketën e Unionit të Energjisë së BE-së.

Ndërlidhja energjetike përmes projekteve të Komunitetit të Energjisë synon përqendrimin e investimeve mbi projekte kyçe të cilat ndërlidhin rrjetet energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Për ne, Korridori energjetik i Jugut, që është në harmoni të plotë me politikat e BE-së, dhe ne veçanti gazsjellësi TAP (dhe në një fazë të mëvonshme IAP), do të mundësojnë kyçjen e Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të energjisë dhe shndërrimin e saj në një vend që e shfrytëzon më mirë potencialin energjetik.

Ky gazsjellës është vetëm hapi i parë në drejtimin e duhur: më shumë burime alternative të energjisë për rajonin dhe tregun e BE-së. Pra, TAP-i i ka të gjitha atributet për t’u bërë një element i suksesshëm i politikës së fqinjësisë së BE-së.

Natyrisht, përveç TAP-it, në rajonin tonë, deri tani janë diskutuar, planifikuar dhe ideuar një mori gazsjellësish të tjerë, të cilët kanë një gjë të përbashkët: janë të gjithë virtualë.

Gazsjellësit virtualë janë përdorur kohët e fundit si një përgjigje e shpejtë për sfida e kriza shumëpërmasore që kërcënojnë arkitekturën e sigurisë evropiane.

Kësisoj BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes së ndërlidhshmërisë energjetike, sepse aktualisht Ballkani Perëndimor ngjan me një mori ishujsh të izoluar energjie. Ndërlidhshmëria më e mirë energjetike do t’u japë mundësinë vendeve të rajonit për t’u integruar në rrjetin energjetik evropian dhe për t’u bërë ballë më mirë tronditjeve të mundshme të furnizimit me energji.

Projektet ekzistuese energjetike të ndërlidhshmërisë nuk mjaftojnë për të përforcuar nyjën Energji-Siguri në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ndërlidhja energjetike është e mundshme vetëm nëse mbështetet nga një paketë zhvillimore e BE-së për rajonin tonë.

Është jetike që të kemi një pamje të qartë, të mbështetur nga mjete financiare, me qëllim që këto ishuj të izoluar të kthehen në një arqipelag energjie.
Krahas BE-së edhe vendet e rajonit tonë duhet t’i rikonceptojnë politikat e tyre energjetike dhe njëkohësisht ripozicionimin e sektorit energjetik në përshtatje me ndryshimet që po ndodhin në kontekstin gjithnjë në ndryshim energjitik në BE dhe në botë.

Tani është e rëndësishme të punojmë së bashku – BE dhe vendet e Komunitetit të Energjisë – për :
– Përshpejtimin e ndërtimit të linjave infrastrukturore të munguara të gazit,
– Përdorimin më së miri të infrastrukturës ekzistuese dhe,
– Trajtimin e çështjeve të tjera teknike dhe rregullatore, të cilat vështirësojnë sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e një tregu energjetik plotësisht të integruar dhe konkurrues.
Kjo do të ndihmojë për t’i hapur rrugë një tregu energjetik më të lidhur, ku energjia të rrjedhë lirshëm nëpër kufijtë e vendeve të rajonit tonë e të jetë e kyçur në rrjetet energjetike të BE-së.

Rruga përpara nuk është pa pengesa: copëzimi i lartë në sektorin energjetik dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm rajonal përbëjnë disa prej tyre. Ndaj nevojitet një platformë e përbashkët energjetike që mundëson bashkëpunimin më të ngushtë energjetik në rajon, çka mund të realizohet në suazën e Komunitetit të Energjisë.

Vërtet, lidhja e ishujve energjetikë të Ballkanit Perëndimor do të ndihmojë në ndërtimin e një rajoni të vërtetë nga pikëpamja energjetike dhe ekonomike. Pra, një rajon që përgatitet për të qenë pjesë e BE-së, në sensin ekonomik dhe politik brenda një konteksti më të gjerë të sigurisë energjetike.

Ju faleminderit!