Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
E nderuar znj. Ministre e Mbrojtjes,
I nderuar ambasador Arvizu,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot këtu për të përshëndetur punimet e këtij takimi të rëndësishëm të bashkëpunimit parlamentar të vendeve të Kartës së Adriatikut, të kryesuar këtë vit nga Shqipëria.

Karta jonë u nënshkrua në 2 Maj 2003 në Tiranë, për Shqipërinë nga Ministri i Punëve të Jashtëm i atëhershëm, z. Ilir Meta. Nënshkruesi për palën amerikane, Sekretari i Shtetit Colin Powell, në fjalën e tij shpalosi vizionin dhe konfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore.

Ne besojmë se ky vizion dhe angazhim vazhdojnë të jenë edhe sot një vlerë e pazëvendësueshme për vendet tona. Dhe me këtë rast, më lejoni të falënderoj Ambasadorin e Arvizu për ndihmën e vazhdueshme e të vyer të Shteteve të Bashkuara në këtë udhëtim tonin të suksesshëm.

Karta e Adriatikut ka si qëllim integrimin nëpërmjet bashkëpunimit, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë midis vendeve anëtare. Si e tillë ajo luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe paqes në rajon.

Në këtë kuadër, po kaq rëndësi kanë institucionet e specializuara të sigurisë në secilin vend. Ndërsa në drejtim të shkëmbimit të përvojave, por dhe të forcimit cilësor të bashkëpunimit, rol të veçantë luan edhe diplomacia parlamentare dhe komisionet parlamentare të sigurisë.

Mbështetur në parimet e politikës së saj të jashtme, Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë procesit të bashkëpunimit rajonal dhe ofron angazhimin e saj maksimal ne këtë proces. Kryesia shqiptare e Kartës, që për herë të parë zgjat një vit të plotë kalendarik, do të këtë në fokusin e saj promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Vendet e rajonit, ndonëse me ritme të ndryshme, janë përfshirë tërësisht në proceset e integrimit në Bashkimin Europian. Kroacia është anëtari më i ri i BE-së. Mali i Zi ka hapur pesë kapituj të rinj në bisedimet për anëtarësim. Serbia sapo filloi bisedimet për anëtarësim. Ndërsa, Kosova po përfundon Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria, nga ana e saj, ka ndërmarrë një sërë reformash që synojnë avancimin e vendit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në qershor 2014.

Pavarësisht rrugëtimit euro-atlantik, rajoni është përballë sfidave që kërkojnë veprimin tonë të përbashkët. Siguria është një proces kompleks dhe shumëdimensional. Ajo duhet të kuptohet dhe trajtohet si e tillë. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe kohezioni social përbejnë një element thelbësor për sigurinë e rajonit.

Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria luan një rol aktiv dhe kontribuon në drejtim të forcimit të sigurisë, dhe stabilitetit demokratik në rajon. Në këtë kuadër, ne kemi mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjet e arritura, siç mbështesim përpjekjet e vendeve të rajonit në procesin e integrimit euroatlantik.

Ne i inkurajomë shqiptarët të jenë qytetarë aktivë dhe të kontribuojnë në proceset demokratike dhe integruese kudo ku jetojnë në rajon. Po ashtu, inkurajojmë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Në të njëjtën kohë, kemi mbështetur dhe nxisim zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si busull për modernizimin e Maqedonisë dhe të ardhmen e euro-atlantike të saj.

Krahas kryesimit të A5, Shqipëria mban aktualisht kryesinë e Nismës Adriatiko-Joniane dhe po përgatitet të marrë kryesimin e radhës së SEECP, në qershor të këtij viti.

Vizioni ynë për këto tre kryesi mund të përmblidhet me dy fjalë: gjithëpërfshirje dhe efikasitet.

Me gjithëpërfshirje nënkuptojmë parimin bazë i cili udhëheq proceset e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e kuadrit të tyre institucional. Ky qëndrim gjen mbështetje edhe në vizionin e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me efikasitet kam parasysh se një sërë nismash dhe mekanizmash rajonalë ndodhen para një sfide për të bërë një hap cilësor drejt një koordinimi më të mirë. Kjo do të garantojë një veprim më të efektshëm në funksion të forcimit të sigurisë, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

E ardhmja e rajonit tonë varet nga ndërthurja e dy dinamikave gjeopolitike: integrimi i mëtejshëm europian dhe përforcimi i dimensionit mesdhetar të BE-së.

Zonja dhe zotërinj,

Kryesia shqiptare e Kartës së Adritikut këtë vit përkon me ngjarje të rëndësishme për NATO-n dhe potencialisht edhe për rajonin tonë, siç është Samiti i Aleancës që do të mbahet në Uells, në Shtator 2014. Gjithashtu, i një rëndësie të veçantë do të jetë edhe takimi jozyrtar i Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), që do të zhvillohet në Maj 2014 në Tiranë. Një takim i Aleancës në rajon, për rajonin.

Sa herë flasim për Kartën, thuajse automatikisht përmendim edhe zgjerimin e Aleancës. Kjo është krejtësisht e kuptueshme në bazë të rolit komplementar të Kartës në procesin institucional të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) që i çon vendet aspirante drejt anëtarësimit në Aleancë.

Në takimin tonë të fundit ministror të NATO-s në Dhjetor 2013, vendosëm që të vlerësojnë deri në Qershor 2014 progresin e bërë nga vendet aspirante të rajonit tonë. Ndaj, është mjaft e rëndësishme që këto vende të paraqesin rezultate pozitive, në mënyrë që të gjenerohet mbështetje sa më e gjerë për procesin e zgjerimit të Aleancës.

Në këtë kontekst, takimi jozyrtar i Këshillit të Atlantikut të Veriut që do të mbahet në Tiranë, përbën një tjetër rast për Aleancën, që të diskutojë si mundësitë, ashtu edhe sfidat për rajonin tonë. Ky hap dëshmon gjithashtu rëndësinë që Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë për NATO-n.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është e vetëdijshme për ndjeshmërinë e çështjes së zgjerimit të Kartës së Adriatikut, por më lejoni të theksoj se ne udhëhiqemi nga nevoja për të nxitur më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, që janë parakusht i rëndësishëm për integrimin euro-atlantik, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Sot 11 vjet pas formimit të Nismës së Kartës së Adriatikut, rajoni është në paqe. Por paqja dhe stabiliteti që gëzojmë aktualisht nuk duhen marrë si të mirëqena, sepse vija të tjera ndarëse rrezikojnë të shfaqen. Duhet shmangur rreziku i grupimit të vendeve të rajonit në vende të dalluara dhe ngelëse në klasë. Pasi, një rajon që nuk është i integruar plotësisht nuk mund të eksportojë siguri.

Me këtë në mendje, dëshiroj të ndalem pak mbi kontributin e rëndësishëm që vendet tona janë duke dhënë në Afganistan. Ky kontribut i shërben mbrojtjes së vlerave dhe parimeve themelore të Aleancës, sikundër është dëshmi e prekshme e angazhimit tonë të përbashkët për përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë.

Mundësia që vendet e Kartës së Adriatikut të angazhohen së bashku në kontekstin e misionit të ri të Aleancës në Afganistan, “Resolute Support”, përbën një nga dimensionet kryesore të Kryesisë sonë. Diskutimi i hollësishëm i aspekteve të ndryshme të bashkëpunimit në nivel operacional, do të zërë një vend qendror në punimet e takimeve të planifikuara këtë vit nga Kryesia shqiptare, nën kujdesin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Kartës Adriatike.

Duke përfunduar, dëshiroj të falenderoj Kryetarin e Kuvendit dhe Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare për organizimin e kësaj konference dhe ju uroj punë të mbarë!