Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Së pari, më lejoni të falënderoj Nikosin për mikpritjen dhe këmbënguljen e tij për të na mbledhur sot këtu. Ide mjaft e mirë.

Në vetëm pak vite, Mesdheu ka ndryshuar në mënyrë dramatike, duke u kthyer në një rajon më të paqëndrueshëm dhe më pak të sigurt, teksa numri i sfidave tona të përbashkëta vijon të rritet:

• Konfliktet e zgjatura në brigjet e Jugut dhe Lindjes kanë dëmtuar qeverisjen dhe kanë ndikuar ndjeshëm në përbërjen sociale,

• Kriza ekonomike dhe financiare ka zvogëluar kapacitetin e vendeve në brigjet veriore të Mesdheut, duke mos i lejuar të veprojnë si partnerët e shëndetshëm ekonomikë që i nevojiten jugut,

• Terrorizmi dhe grupet e dhunshme ekstremiste shfrytëzojnë pakënaqësitë e thella për të fituar mbështetje, zaptojnë territore e burime dhe kontrollojnë popullsi,

• Fatkeqësitë njerëzore përgjatë hapësirës sonë detare vënë çdo ditë në diskutim mjetet dhe instrumentet tona kolektive.

 

Rreziqet afatgjata të këtyre krizave janë të dukshme:

• Rreziku që Mesdheu të kthehet në një zonë të paqëndrueshme në planin afatmesëm, ku xhepat e stabilitetit luftojnë për reduktimin e foleve të kaosit,

• Rreziku që kjo zonë të kthehet në një pellg refugjatësh, me të gjithë pasojat e thella që mbart kjo për shoqëritë përgjatë ndarjes Veri-Jug,

• Rreziku që nga pikëpamja e bashkëpunimit politik, mund të mbetemi të ngatërruar në një gjendje menaxhimi të krizave,

• Dhe së fundi, parë nga një këndvështrim ekonomik, rreziku që të bëhemi më pak tërheqës dhe më pak të begatë.

 

Situata kaotike në Siri dhe Irak, por edhe në Libi, ka dhënë për një kohë tejet të gjatë prova të pakundërshtueshme të këtyre sfidave kaq reale dhe akute.

Autorizimi i fundit i misionit detar të BE-së në Mesdhe, “Sophia”, i cili i hap rrugë zbatimit të embargos së armëve të OKB-së me synim ndalimin e furnizimit me armë të ekstremistëve në Libi, është një hap i mirëpritur në përpjekjet tona për adresimin e këtyre sfidave në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Iniciativa e BE-së, e ndjekur nga vendimi për të filluar trajnimet e rojeve bregdetare dhe marinës libiane përfaqëson një qasje të re, proaktive dhe të nevojshme për të përballuar më mirë sfidat në Mesdhe.

NATO, përmes misionit të tij detar në Egje, po bashkëpunon me Sophia-n, FRONTEX-in e BE-së, Greqinë dhe Turqinë në përpjekje për të trajtuar krizën e emigrantëve dhe refugjatëve.

Shqipëria ka ofruar të marrë pjesë në këtë operacion gjatë muajve të ardhshëm.

Gjithashtu, operacioni i ri i sigurisë detare i NATO-s në Mesdhe, “Sea Guardian”, i lançuar në Varshavë, që përfshin anti-terrorizmin dhe shkëmbimin e informacioneve, është një shembull inkurajues për përpjekje të koordinuar.

Bashkëpunimi ndërmjet nesh është thelbësor për të shmangur adresimin e pasojave të veprimeve të njëanshme, jo vetëm për shkak të ndikimit negativ dhe rreziqeve që do të sillte për secilin nga vendet tona, por edhe sepse kjo nuk i jep zgjidhje problemit të krizës së refugjatëve.

Duhet të punojmë së bashku në zhvillimin e një dialogu, duke krijuar një aleancë civilizimi dhe duke shmangur mosbesimin dhe paragjykimet mes nesh. Në themel të veprimeve tona duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe promovimi i sundimit të ligjit.

Ballkani Perëndimor ndodhet në rrugëtimin ku pasojat e kaosit në Jug shkojnë drejt Evropës Veriperëndimore. Ndaj, si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit dëshmojnë ndërvarësinë e brigjeve veriore dhe jugore të Mesdheut.

Gjatë viteve të fundit kemi vënë re forma të reja të bashkëpunimit, të cilat kanë krijuar hapësirë për suksese të përbashkëta në sektorë kyçë, si energjia. Jam i bindur se bashkëpunimi në fushën e energjisë është ajo çka na duhet për ta shndërruar ndërvarësinë në stabilitet dhe prosperitet.

Shpresoj se, në të ardhmen, ky forum kaq i nevojshëm do të na ndihmojë të zhvillojmë instrumentet dhe mjetet që na mungojnë për ta kthyer edhe një herë ndërvarësinë tonë në burimin e rigjallërimit ekonomik të Mesdheut.

Faleminderit !