Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zoti President,

Kultura nuk është një nocion abstrakt, por më tepër një instrument për të na ndihmuar të arrijmë një ekuilibër, të zhvillojmë një dialog të qëndrueshëm dhe të ndërtojmë një shoqëri më të mirë.

Në thelbin e saj, UNESCO ka të bëjë me ruajtjen dhe nxitjen e përbërësve kulturorë, arsimorë dhe shkencorë të shoqërive tona, përmes së cilëve ajo synon ruajtjen e paqes dhe sigurisë për popujt tanë.

Shqipëria ka paraqitur një projekt-rezolutë për pranimin e Kosovës në UNESCO, e cila ka si qëllim distancimin nga linjat ndarëse dhe muret e së kaluarës.

Kjo nënkupton gjithëpërfshirjen.

Është përgjegjësia jonë që gjithmonë, si fqinjë të mirë, të thellojmë bashkëpunimin, si një instrument për të forcuar sigurinë.

Sot, Evropa Juglindore është një rajon shumë më i zhvilluar, më i qëndrueshëm dhe më i integruar se më parë.

Anëtarësimi i suksesshëm i Kosovës në organe të rëndësishme ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore, si dhe në organizatat rajonale, i ka dhënë një kuptim të vërtetë konceptit të bashkëpunimit rajonal.

Kohët e fundit, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në e ka ankoruar Kosovën në rrjedhat evropiane, duke treguar se paqja arrihet përmes bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes, jo izolimit.

Në këtë drejtim, do të doja të  sillja në vëmendjen tuaj letrën e hapur dërguar kohët e fundit nga ish-administratorët e OKB-së në Kosovë. Qartësisht në favor të kërkesës së Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s, ata dëshmojnë për një progres të jashtëzakonshëm të vendit, në sajë të veprimtarisë dhe këmbënguljes së Kombeve të Bashkuara.

Të shumtë janë gjithashtu zërat në rajonin tonë të cilët shprehin një mbështetje të qartë për kërkesën e Kosovës.

Në fakt, shumë prej këtyre zërave janë nga Serbia, si ai i Presidentit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili nënvizon se:

Së pari: integrimi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar ka sjellë paqe, stabilitet dhe zhvillim në rajon.

Së dyti: Si shqiptarët ashtu dhe serbët meritojnë mundësinë për t’u njohur më mirë, për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin dhe për të kontribuar në promovimin e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

Rajoni ynë është përplot me shembuj të cilët tregojnë se kur vjen puna tek instrumentet për ndërtimin e paqes, është gjithmonë e nevojshme të shkohet përtej stereotipave.

Krijimi i një mjedisi për zhvillimin e politikave publike efikase, të monitoruara rreptesisht nga rregulla të pranuara bashkërisht, nuk është vetëm një çështje e vullnetit politik, por edhe një çështje e legjitimitetit institucional.

UNESCO do të ndihmonte Kosovën dhe popullin e saj në adresimin e sfidave sociale dhe etike, nxitjen e promovimin e larmisë kulturore dhe dialogut ndërkulturor.

Sepse UNESCO është një platformë për diskutim dhe dialog. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, pa dyshim, do të sigurojë mbështetjen e mëtejshme për një dialog më të mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Votimi në favor të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO:

• Nuk nënkupton një votë që do të sillte politikën në punën e UNESCO-s;

• Nuk është një kërkesë për njohjen e pavarësisë së saj, edhe pse pjesa më e madhe e anëtarëve të kësaj Organizate e kanë njohur tashmë Kosovën si shtet të pavarur.

• Nuk është një kërkesë për tu anëtaresuar në OKB, sepse kjo çështje i përket një tjetër kohe e tjetër vendi.

 

Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO:

• Para së gjithash lidhet me promovimin e vlerave universale përmes arsimit, shkencës dhe kulturës.

• Së dyti, është një votë që do t’i siguronte Kosovës dhe popullit të saj akses të plotë në punën e vyer të UNESCO-s.

• Së fundi, është një votë që do të mbështeste misionin e UNESCO-s: ndërtimin e paqes në mendjet e burrave dhe grave, përmes dialogut të qytetëruar;

 

Prandaj sot, pyetja e vërtetë është:

A duam të mirëpresim një anëtar të ri mes nesh, me qëllim promovimin e mëtejshëm të paqes dhe sigurisë, arsimit dhe bashkëpunimit, të drejtave të njeriut dhe harmonisë fetare, në një rajon i cili deri para pak kohësh ishte i pllakosur nga luftërat, mosmarrëveshjet dhe tensionet?

Përgjigja mund të jetë vetëm një PO kumbuese!

Të dashur miq, Shqipëria u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të votojnë në favor të kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar familjes së UNESCO-s!

Faleminderit!