Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

[metaslider id=”2678″]

 

Lejomëni fillimisht të përgëzoj Kryetaren dhe Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për organizimin e këtij takimi që sjell së bashku në Tiranë përfaqësues të nderuar të komisioneve parlamentare të politikës së jashtme të vendeve të rajonit.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

E nderuar kolege Gjosha,

Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Komisioneve të Politikës së Jashtme,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Kam kënaqësinë të ndaj me ju sot disa prej linjave kryesore të këndvështrimit shqiptar mbi procesin e anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rolin e bashkëpunimit rajonal. Këtë këndvështrim jemi munduar ta reflektojmë në prioritetet dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Para pak javësh, zhvilluam në Tiranë takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse. Për herë të parë në një Ministerial të këtij niveli, me iniciativën tonë, u miratua edhe një Deklaratë e Përbashkët kundër Terrorizmit. Ajo u vlerësua si një  përgjigje e përbashkët që vendet tona i japin kërcënimeve të përbashkëta, me theks të veçantë edhe ndaj fenomenit të luftëtarëve të huaj. Ky ishte një mesazh i fortë dhe në kohen e duhur që vendet anëtare të SEECP-së dhanë në angazhimin e përbashkët në luftën kundër terrorizimit, si pjesë e një aleance të gjerë ndërkombëtare.

Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive në Evropën Juglindore dhe posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, paqja dhe siguria nuk duhen marrë si të mirëqena.

Për të qenë sa më konciz, mund të them se, rajonit tonë i mungojnë ende disa elementë për t’u quajtur një rajon i vërtetë. Nëse shohim mënyrën se si vendet e rajonit i përgjigjen sfidave të reja me të cilat përballet arkitektura e sigurisë Evropiane, do të shohim se kemi të bëjmë me një rajon që nuk është ende i harmonizuar nga pikëpamja strategjike.

As në rrafshin politik, as në atë ekonomik dhe as të sigurisë, Ballkani Perëndimor nuk është ende një hapësirë rajonale e harmonizuar. Një ilustrim domethënës ishin reagimet ndaj krizës në Ukrainë ku vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi linjëzuan qëndrimet e tyre me ato të Bashkimit Evropian.

Rajoni vijon të jetë një hapësirë e papërfunduar nga pikëpamja e sigurisë, me tre vende aspirantë për t’u anëtarësuar në NATO (Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja); Serbia që sapo ka nënshkruar IPAP me Aleancën; Kosova që nuk ka ende një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n.

Vështruar nga ky prizëm, për fat të keq, Ballkani Perëndimor mbetet një mozaik procesesh të ngrira,  me mosmarrëveshje dhe problematika te trashëguara, si dhe çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe. Këto natyrisht ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe rrezikojnë të ardhmen e tyre. E për më tepër atë që kemi arritur deri më sot bashkërisht.

Kësisoj, qartësia e projektit tonë të përbashkët Evropian është një element i domosdoshëm për stabilitetin dhe konsolidimin e bashkëpunimit rajonal. Tërheqja e vëmendjes dhe interesit të vendeve anëtare të BE-së për rajonin tonë, jo vetëm do të shmangë ngërçet në procesin e zgjerimit, por do të shërbejë edhe si nxitje për zbatimin e reformave demokratike.

Interesi i BE-së dhe i vendeve anëtare përbën instrumentin kryesor të motivimit të administratës sonë e te shoqërisë civile si dhe ruajtjen e mbështetjes publike për procesin e anëtarësimit.

Për pasojë, dinamizimi i procesit të zgjerimit,  do të përcillte një inkurajim të rëndësishëm për të ruajtur fokusin në reformat e nevojshme.

Më duhet të jem edhe më i qartë në këtë pikë për të mos krijuar asnjë iluzion apo keqkuptim. Nuk kërkojmë shtigje më të shkurtra në këtë rrugëtim, por këmbëngulim për një trajtim e vlerësim të esëllt, duke përfshirë një qasje gjeo-strategjike të rajonit tonë dhe të gatishmërisë së secilit prej vendeve tona për të kontribuar në stabilizimin dhe sigurinë e Evropës Jug-Lindore.

Të nderuar të pranishëm,

Procesi i nisur në Berlin vitin e kaluar, ofron një mundësi të re, duke nxitur transformimin dhe modernizimin e rajonit si dhe rritjen ekonomike. Ky proces ka fituar dhe qëndrueshmërinë e duhur falë kontributit të pritshëm të Austrisë, Francës dhe Italisë.

Qeveritë e vendeve tona po bashkëpunojnë për identifikimin e projekteve të përbashkëta në fushat e infrastrukturës, transportit, energjisë, turizmit, të cilat do të ndihmojnë që Ballkani Perëndimor të shihet si rajon në kuptimin politik dhe ekonomik.

Shpresojmë që projektet si “Korridori Blu” dhe “Gazsjellësi Adriatiko Jonian”, projektet ndërkufitare dhe ulja e barrierave jo-tarifore, do të intensifikojnë jo vetëm lidhjet ekonomike, por do të zgjerojnë dhe konsolidojnë lidhjet njerëzore.

Me interes është edhe bashkëpunimi rinor, i cili i jep një dimension të ri perspektives së zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona, duke vështruar nga e ardhmja.

Integrimi rajonal përshpejton integrimin Evropian. Kontributi konkret i Shqipërisë në këtë drejtim ka gjetur vend në politikën tonë dinamike në drejtimin e disa nismave të rëndësishme rajonale. Nisma Adriatike Joniane dhe Karta e Adriatikut (A-5) vitin e kaluar dhe këtë vit, Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Jug-Lindore (SEECP), forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit politik në këtë rajon të Evropës.

Kryesia jonë i ka përqendruar përpjekjet e saj në konkretizimin e mesazheve të Konferencës së Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor, si një arritje që ka efekte pozitive për gjithë Evropën Jug-Lindore.

Përtej realizimit të aktiviteteve klasike për një forum tashmë të konsoliduar, kemi dashur të zgjerojmë gamën e bashkëpunimit duke parashikuar, deri në Qershor 2015, disa takime në fusha si energjetika, bujqësia, punët e brendshme dhe drejtësia.

Zonja dhe zotërinj,

Dimensioni parlamentar i bashkëpunimit rajonal në Evropën Jug-Lindore, i iniciuar rreth 20 vite më parë, sot është më i strukturuar e i institucionalizuar, edhe përmes krijimit të Asamblesë Parlamentare të vendeve të Evropës Jug Lindore.

Në maj të këtij viti, këtu në Tiranë, do të organizohet takimi i parë i kësaj Asambleje. Shpreh bindjen se përmes kontributit tuaj, ky takim do të vërë në jetë, edhe në këtë instancë parlamentare të SEECP-së, parimin e gjithëpërfshirjes, duke pranuar pjesëmarrjen e Parlamentarëve të Kosovës.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, e konsideron si detyrë rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e besueshmërisë së proceseve euro-atlantike.

Jemi të vetëdijshëm se kërcënimet aktuale me të cilat përballen shoqëritë dhe shtetet tona janë të brendshme dhe të jashtme. Prandaj përpjekjet tona për t’iu bërë ballë këtyre kërcënimeve duhet të jenë të bashkërenduara dhe gjithëpërfshirëse.

Deviza e kryesisë sonë të SEECP-së është: Pronësi rajonale, solidaritet dhe gjithëpërfshirje. Parlamentet dhe parlamentarët kanë një rol të spikatur dhe të pazëvendësueshëm për të konkretizuar një devizë të tillë.

Ju faleminderit!