Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Jam shumë i kënaqur që jam sot këtu për të ndarë disa mendime me këtë audiencë të nderuar mbi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përpjekjet tona gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë për të ndërtuar një realitet të ri për ne dhe për të projektuar një të ardhme të re për fëmijët tanë. Faleminderit Ministër Grapperhous për ftesën, mikpritjen dhe mundësinë për të ndarë sot me ju këtë platformë.

Falenderoj gjithashtu Institutin Asser, Qendrën për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar-CILC, Qendrën Ndërkombëtare kundër Terrorizmit – ICCT, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Drejtësisë e Sigurisë të Holandës, si dhe Komitetin holandez të Helsinkit.

Nevoja për të ngulitur në shoqërinë tonë konceptin dhe praktikën e sundimit të ligjit ka qenë në qendër të përpjekjeve tona të gjithanshme gjatë 25 viteve të fundit. E kemi bërë këtë udhëtim bashkë me miqtë dhe partnerët tanë. Prandaj, dua ta filloj duke shprehur vlerësimin tim për miqtë tanë evropianë, në mënyrë të veçantë për Holandën, për ndihmën e tyre të vazhdueshme për Shqipërinë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të saj ligjor.

Është i njohur fakti se koncepti i sundimit të ligjit ka një histori të gjatë. Studiuesit tregojnë se ai u kodifikua fillimisht në Magna Carta në vitin 1215, kur fisnikët anglezë kërkuan kufizimin e fuqive të Mbretit John për të arbitruar gjykimin ose burgosjen e tyre. Statuti thotë se edhe vetë Mbreti duhet të ndiqte ligjin.

Sundimi i ligjit hodhi themelet e asaj çka do të shndërrohej më vonë në arkitekturën e shoqërive moderne, ku pushtetet e ndryshme janë qartësisht të përcaktuara dhe përkatësisht të ndara. Sundimi i ligjit konsiderohet gjerësisht si arritja më e rëndësishme dhe me më shumë ndikim e mendimit perëndimor dhe është një shtyllë e demokracisë liberale. Në nivel ndërkombëtar ai gjendet në themelin e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ky kusht bazik, se Ligji është i njëjtë për të gjithë, ka ndihmuar në krijimin e një shoqërie mbi baza qytetarie, ku janë të garantuara mirëqenia, të drejtat dhe liria e të gjithëve.

Por ligji nuk mjafton pa zbatimin e tij. Përvoja ka treguar se ligji merr kuptim vetëm kur zbatohet nga agjencitë ligjzbatuese në mënyrë të qëndrueshme, besnike dhe të paanshme. Qeveritarët dhe çdokush tjetër, duhet të mbajnë ligjërisht dhe publikisht përgjegjësi në gjykata. Që kjo të ndodhë, duhet që gjyqësori të jetë efikas, shumë i kualifikuar dhe i pavarur nga interesat politike apo ekonomike.

Tani më lejoni të vendos këtë pasqyrë shumë normative apo të përsosur përkundrejt imazhit të papërsosur të tranzicionit të Shqipërisë në demokraci dhe në shoqërinë e mbështetur në ligj:

Që në momentet e para kur shqiptarët vendosën të përqafojnë ndryshimin, në fillim të viteve ’90, integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë prioriteti më i rëndësishëm i politikës tonë të jashtme. Megjithatë, për një vend që kishte vuajtur pesë dekada të gjata nën një nga regjimet komuniste më të rrepta, krijimi dhe forcimi i sundimit të ligjit rezultoi në një nga sipërmarrjet më të rëndësishme dhe më të vështira.

Në vitin 2014, mbështetur në progresin e bërë, Komisioni dha rekomandimin dhe BE i dha Shqipërisë statusin formal të kandidatit, duke kërkuar më shumë progres dhe reforma në pesë prioritete kryesore, ku përfshihej në veçanti, fusha e gjyqësorit. U bë e qartë se reformat e ngushta dhe përmirësimet me arna nuk ishin një opsion i qëndrueshëm për transformim të thellë strukturor.

Të ballafaquar me probleme afatgjata dhe strukturore që kishin lëkundur besimin e publikut, qeveria shqiptare u përball me një sfidë dhe mundësi historike për të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme për fuqizimin e sundimit të ligjit. Nevojitej diçka e guximshme, gjithëpërfshirëse dhe transformuese. Në këtë mënyrë lindi reforma e cila po vijon.

Në vitin 2016 përmes një angazhimi dhe vullnetit politik  të madh u ndryshua me konsensus 1/3 e kushtetutës shqiptare. Kjo u pasua menjëherë nga miratimi i disa ligjeve kryesore dhe vendimeve të tjera të nevojshme për fillimin e zbatimit.

Sipas dispozitave të reja të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do t’i nënshtrohen një procesi të verifikimit të figurës dhe integritetit profesional si dhe të kontrollit të pasurive të tyre personale. Funksionimi i komisioneve të verifikimit do të monitorohet nga afër nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ku, duhet të thuhet, Holanda është mjaft e përfaqësuar: 2 nga 8 monitorues të ekipit të huaj të Monitorimit Ndërkombëtar janë holandezë.

Gjithashtu, është dakordësuar një arkitekturë tërësisht e re e drejtësisë, në mënyrë që të zvogëlohet çdo ndërhyrje politike. Kjo e bën reformën të paprecedentë  dhe unike, si në përmbajtje dhe thellësinë e saj, ashtu edhe në rolin e marrë nga partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë në këtë përpjekje.

Ne besojmë se ajo që po bëjmë jo vetëm që do t’i shërbejë më mirë shoqërisë sonë, por gjithashtu mund të shërbejë edhe si një model për ndryshim të gjyqësorit për vendet e rajonit. Në këtë kontekst përgëzojmë vëmendjen dhe hapësirën e dedikuar në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit për masat që duhet të ndërmarrin të gjitha vendet, duke përfshirë këtu edhe ato që po negociojnë tashmë me BE-në, në mënyrë që të forcojmë sa më shpejt sundimin e ligjit në rrugën drejt anëtarësimit.

Ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe efikas. Jemi gjithashtu të bindur se përparimi në zbatimin e reformave në këtë fushë do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në fushat e tjera kritike të jetës publike, të tilla si të drejtat themelore, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe jo më pak e rëndësishme në klimën e biznesit dhe të tregtisë. Duke qenë investitori i dytë më i madh në vend, holandezët mund të tregojnë dallimin që forcimi i shtetit të së drejtës bën për inkurajimin dhe mbështetjen e interesit të investitorëve privatë në vend.

Nuk ka dyshim se ajo që kemi arritur përbën një bazë solide për progres të mëtejshëm drejt integrimin të Shqipërisë në BE, pasi ajo do të hedhë themelet për vijimin e punës së mëtejshme në kuadër të negociatave mbi kapitujt 23 dhe 24.

Në këtë kontekst dëshiroj të përsëris edhe njëherë mesazhin tim më të rëndësishëm. Ne kemi bërë një zgjedhje kombëtare, atë të bashkimit me Bashkimin Evropian. Muajt e ardhshëm janë veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim. Strategjia e Zgjerimit e publikuar nga Komisioni Evropian është një përpjekje e rëndësishme për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së. Ne jemi të inkurajuar dhe jemi të vendosur të punojmë sa më mirë çdo ditë, çdo javë dhe të mbajmë këtë ritëm pozitiv.

Është koha për të hapur një kapitull të ri dhe të angazhohemi në ushtrimin më transformues për të vendosur perspektivën e integrimit në binarë të sigurt, bisedimet për anëtarësim. Ashtu siç kemi vepruar me vendosmërinë për reformën e sistemit të drejtësisë, nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta arritur këtë. Por kjo nuk mund të bëhet vetëm, do të kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Unë sinqerisht shpresoj që Holanda të jetë pjesë e mbështetjes.

Në mbyllje më lejoni të them pak fjalë në lidhje me programin katërvjeçar MATRA – Sundimi i Ligjit, i cili po zbatohet për të forcuar kapacitetet institucionale në fushën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe në disa vende të tjera. Programet e trajnimit, të cilat ofrohen çdo vit, u kanë ofruar pjesëmarrësve praktikat më të mira në një sërë temash të sundimit të ligjit, si integriteti i zyrtarëve publikë, administrimi i drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe të pakicave etj. Duke kombinuar teorinë, aftësitë praktike dhe vizitat studimore, këshilltarët e politikave, anëtarët e gjyqësorit dhe nëpunësit e tjerë civilë fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të nxitur reformat dhe për të përmirësuar metodat e tyre të punës.

MATRA gjithashtu u ka mundësuar pjesëmarrësve të bëhen pjesë e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar të studentëve, lektorëve dhe departamenteve përkatëse qeveritare, këtu në Holandë dhe në vendet të përcaktuara. Ky program ka rezultuar të jetë një platformë për mësimnxënie, shkëmbim dhe bashkëpunim. Personalisht, vërtet besoj se brezi i ri i cili nuk ka mbartje të së kaluarës dhe nuk është i ndikuar nga interesa, mund të marrë arsimin dhe trajnimin më të mirë të mundshëm nëpërmjet programit MATRA ose programeve të tjera evropiane, të cilët do të bëjnë të mundur një ndryshim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Dëshiroj të falënderoj Holandën e cila po na ndihmon të vendosim themelet e punës dhe ndryshimit që do të sjellë ky brez i ri.

Faleminderit.