Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Jam i lumtur që ndodhem sot këtu dhe po ju uroj mirëseardhjen, jo vetëm si Ministër i Jashtëm, por si një njeri që personalisht është angazhuar në mënyrë aktive me shoqërinë civile në të kaluarën.
E kam kaluar rininë time në kohët e pritshmërive të mëdha, siç thotë dhe titulli i një libri të mirë, që ishte koha kur BE-ja ishte fëmija i ri në lagjen e një Lufte së Ftohtë të vjetër dhe të dështuar. Të gjithë e donin.
Tani BE-ja duket disi e vjetëruar, si një grup muzikor dikur i famshëm, tashmë jashtë mode, me ne fansat e vjetër dhe grupdashësit që vazhdojmë të ndjekim ritmin e dikurshëm.
Për ata që këto fjalë mund t’u tingëllojnë si të zhytura në pesimizëm, u them se besoj shumë, siç kam besuar edhe atëherë, se BE-ja është ende opsioni më i qenësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa hedhim hapa drejt integrimit Europian, kam kënaqësinë të konstatoj se Procesi i Berlinit i ka dhënë një shtysë të re bashkëpunimit rajonal.
Gjatë tri viteve të fundit kemi shtrënguar duart më shumë se më pare, kemi mënjanuar disa nga nga stereotipet e së kaluarës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë përmes projekteve të përbashkëta të ndërlidhjes. Shpresojmë se këto përpjekje do të sjellin prosperitet për qytetarët tanë dhe do ta ndryshojnë Ballkanin Perëndimor nga një rajon i copëzuar në një rajon të ndërlidhur dhe funksional.
Procesi i Berlinit ka potencialin të ofrojë një vizion afatgjatë të zhvillimit strategjik të rajonit, gjë që shkon përtej mandateve tona politike.
Ka krijuar një forum për aktorët politikë në rajon që të bashkëveprojnë ngushtë me BE-në dhe institucionet financiare ndërkombëtare, Këshillin e Bashkëpunit Rajonal, Komunitetin e Energjisë dhe Organizatën e Transportit.
Kjo ka sjellë një tjetër komponent të rëndësishëm në proces: dimensionin human – atë të kontakteve dhe marrëdhenieve midis njerëzve. Prandaj, e shoh mbledhjen tuaj sot, në këtë format – në Forumin e Shoqërisë Civile – si një rezultat logjik dhe pozitiv.
Të dashur miq,
Nëpërmjet angazhimit të saj konstruktiv, Shqipëria ka vërtetuar që është një forcë shtytëse në promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Ky angazhim politik po materializohet në projekte dhe iniciativa konkrete. Siç e dini, në Tiranë janë themeluar dy iniciativa rajonale që lidhin drejtpërdrejt qytetarët: Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor. Ata që njihen me këto dy organizata e dinë se sa energji dhe përpjekje të vazhdueshme kemi investuar në mënyrë që t’i bëjmë këto “dy organet e para që i përkasin Ballkanit Perëndimor” plotësisht funksionale.
Në këto kohëra të vështira nuk mjafton të luftojmë stereotipet dhe gjuhën e urrejtjes. Prandaj është e rëndësishme të forcohet shoqëria civile rajonale dhe të angazhohemi në projekte rinore të afta për të promovuar vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me masat e buta dhe “lojrat Pokemon”.
Ndërlidhja nuk është vetëm një plan zhvillimi ekonomik. Përkundrazi, ka të bëjë me shtimin e dimensionit të kontakteve midis njerëzve si pjesë themelore të një mendimi të ri që shkon përtej kufijve kombëtarë dhe rajonalë. Procesi i Berlinit nuk është thjesht një plan zhvillimi rajonal. Është gjithashtu projektimi i rrugës sonë drejt integrimit Europian.
Megjithatë, zhvillimet e fundit na kanë treguar se arritjet pozitive në rajon mund të kërcënohen lehtësisht nga retorika ndarëse dhe përjashtuese. Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një mungese të angazhimit politik dhe dialogut në rajon, duke provokuar kështu një hap mbrapa në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Për pasojë, angazhimet që ne të gjithë kemi marrë në samitet e fundit për të përmirësuar realisht marrëdhëniet dypalëshe janë penguar nga interesat politike afat-shkurta.
Jemi tashmë të familjarizuar me aleancat përgjatë vijave etnike, por, kohët e fundit, rajoni është duke përjetuar aleanca kundër sundimit të ligjit dhe llogaridhënies. Në të gjithë rajonin shohim kriza artificiale të krijuara nga rezistenca kundër reformave, si rezultat i testit të drejtësisë që janë duke kaluar vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një mjedis të polarizuar brënda dhe përreth rajonit ne duhet të vazhdojmë me vrullin e Procesit të Berlinit.
Por veç vullneti i mirë nuk mjafton! Ndërkohë që grumbullojmë projektet tona Samit pas Samiti, ne kufizohemi nga mungesa e mjeteve financiare. Nuk po sigurojmë dot rezultate të prekshme për qytetarët tanë dhe rrezikojmë ta kthejmë këtë në një proces abstrakt për ta. Gjithashtu, jemi duke u rikuperuar nga kriza globale financiare e cila çoi në një rënie në investime private në të gjithë vendet e rajonit dhe të një konsolidimi fiskal të njëkohshëm. Kjo e ka kufizuar kapacitetin tonë për investime publike.
Ekziston një rrezik i qartë se hendeku i zhvillimit midis Bashkimit Europian dhe rajonit tonë është thelluar në vend që të tkurret. Për shëmbull, alokimi i IPA-s për Shqipërinë në periudhën 2014-2020 është 225 euro për frymë. Për ta krahasuar me një shtet anëtar të ri të BE-së, në madhësinë e Shqipërisë: pozicioni neto i Lituanisë në të njëjtën periudhë është 3296 euro për frymë- 14 hërë më shumë se i Shqipërisë.
Prandaj, së bashku me Bashkimin Europian, duhet të mendojmë dhe të hartojmë një agjendë më të qëndrueshme financiare për projektet lidhëse. Kjo perspektivë bëhet e domosdoshme në një kontekst ku rajoni po bëhet një terren pjellor për investimet dhe kapitalet me origjinë nga vendet e treta që potencialisht mund të prishin trajektoren Europiane të Ballkanit Perëndimor.
Për të korrur përfitimet e vërteta të agjendës së ndërlidhjes duhet të bëjmë progres në integrimin ekonomik rajonal, veçanërisht në fushat e tregtisë dhe investimeve.
Mirëpresim iniciativat për bashkëpunim të mëtejshëm që mbështeten në bashkëpunimin ekzistues në kontekstin e CEFTA, RCC dhe Bankës Botërore. Është e rëndësishme të theksohet vazhdimësia me këto nisma ekzistuese e të theksohet se integrimi ekonomik është pjesë e përgatitjeve për pranimin në BE.
Megjithatë, integrimi i mëtejshëm ekonomik mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse ka përparim në normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Dhe çdo iniciativë duhet të bazohet në një vizion që shikon drejt Bashkimit Europian, dhe jo nostalgjisë për kohët e vjetra.
E gjithë kjo është e dobishme nëse rezultati përfundimtar është më shumë mundësi për biznesin ndërkufitar. Prandaj, duhet të punojmë me sektorin privat dhe të bëjmë progres me një axhendë të investimeve rajonale.
Shqipëria sugjeron që për Samitin e ardhshëm të Triestes, fokusi në projektet e ndërlidhjes makro-rajonale të transportit dhe energjetikës duhet të plotësohet me fokus të ri në investimet ndërkufitare të infrastrukturës lokale që do të lehtësonte qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve përtej kufijve dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për biznesin ndërkufitar.
Gjithashtu, lidhja ekonomike nuk mund të konsiderohet veçmas nga inovacioni. Potenciali i madh që ekziston në lidhjen digjitale – si një motor për zhvillimin ekonomik – duhet të hulumtohet më tej në kuadër të procesit të Berlinit, si platforma e duhur për të ankoruar projekte konkrete dixhitale dhe të ndërlidhjes ekonomike.
Në këtë drejtim, ne mirëpresim propozimin Italian për përfshirjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në kuadër të këtij procesi. Rajoni ka nevojë për një lidhje më të mirë dhe të përforcuar, por gjithashtu duhet të përmirësojmë prodhimin lokal, nxitjen e punësimit të të rinjve dhe rritjen e zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit.
Përveç kësaj, duhet t’i japim një vëmendje më të madhe zhvillimit profesional të të rinjve dhe në mundësive të tyre të punësimit. Në këtë drejtim, Shqipëria është fokusuar në arsimin profesional, në mënyrë specifike, ndërtimin e infrastruktures, ndërsa në të njëjtën kohë ndihmon këtë target-grup të hyjë në tregun e punës.
Është e rëndësishme të largohemi nga Trieste me iniciativa konkrete e të prekshme për njerëzit. Nuk mjafton që të ulesh rreth tryezës një herë në vit. Prandaj, është e nevojshme të mblidhemi më shpesh për të ndjekur progresin e adresuar pengesat.
Përsa i përket lidhjes së qytetarëve me Procesin e Berlinit, shoqëria civili mund të jetë një urë lidhëse e shkëlqyer. Kjo lidhje e rëndësishme do të siguronte mbylljen e boshllëkut në narrativën mes aktorëve politik dhe vetë shoqërisë.
Ky proces mbetet platforma kryesore ku integrimi në BE i 6 vendevë të Ballkanit Perëndimor mbetet fokusi ekskluziv. Kjo është veçanërisht e rëndësishme dhe domethënëse, nën dritën e debateve të ndezura rreth BE-së dhe të ardhmes së saj, të nxitur nga Brexit, rritja e partive ekstreme në Europë dhe sfidave më të cilat është përballur BE-ja së fundmi.
Në një mjedis sfidues ndërkombëtar dhe pasigurie strategjike, Ballkani Perëndimor gjithashtu ka provuar të jetë një ofrues i besueshëm stabiliteti dhe sigurie për Bashkimin Europian.
Nuk ka dyshime se një Bashkim Europian i fortë dhe i begatë është i lidhur ngushtë me të ardhmen e qytetarëve të rajonit tone. Është një e ardhme, një e ardhme e përbashkët që mund dhe duhet ta ndërtojmë së bashku.
Faleminderit!