Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi për mua t’i drejtohem Konferencës së Nivelit të Lartë dedikuar bashkëpunimit rajonal dhe të ndaj me ju disa ide mbi trendet dhe sfidat e deritanishme që paraqet bashkëpunimi në rajonin tonë.

Do të doja të falënderoja si RCC-në ashtu dhe përfaqësinë e Baden –Vurtenbergut në BE dhe Fondin Evropian për Ballkanin, që kanë arritur të mbledhin një audiencë kaq të shquar për të diskutuar çështjet më aktuale që prekin rajonin tonë.

Vitet e fundit vendet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në rrugën e anëtarësimit në BE, çka ka nxitur dialogun politik dhe konsultat diplomatike ndërmjet vendeve tona, si mjete për konsolidimin e kulturës politike të bazuar në shkëmbim dhe bashkëpunim.

Në një kontekst të tillë të favorshëm, gjatë Kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ne i kemi përqendruar forcat tona në:

  • Forcimin e rolit rajonal që luan kjo organizatë;
  • Promovimin e dialogut ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, si një mjet për përmirësimin e funksionimit të vetë SEECP-së;
  • Konsolidimin e relevancës sektoriale të procesit tonë të bashkëpunimit.

Këto përpjekje mund të duken të kota nëse konsiderojmë numrin e madh të nismave dhe formateve rajonale që ekzistojnë në rajonin tonë, por ne besojmë fuqimisht se duhet të synojmë më shumë cilësi dhe rezultate të mëtejshme.

Në këtë moment të veçantë të historisë, barrierat e së shkuarës, që e kanë cenuar bashkëpunim tonë, duket se janë zvogëluar duke ia lënë vendin ndërveprimit.

Por ne nuk mund të përfitojmë nga energjia e ndërveprimit të intensifikuar nëse vazhdojmë të ndërtojmë vetëm platforma diskutimi mbi bashkëpunimin, në vend që ta vëmë në praktikë këtë të fundit.

Në fakt, është mirëqenia e qytetarëve tanë që duhet të jetë shtysa e përpjekjeve tona për bashkëpunim rajonal.

Kjo mund të arrihet duke e mbështetur konsolidimin e rajonit, i cili nuk është thjesht një nocion gjeografik, por një zonë me ekonomi të ndërlidhura, e si pasojë dhe të ndërvarura.

Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në një rajon të ndërlidhur nëse plotësohen dy kushte:

  1. një perspektivë evropiane e besueshme dhe e parashikueshme;
  2. një qasje pro-aktive e vendeve tona, me qëllim identifikimin e nevojave vendore për bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhjeve që burojnë nga brenda rajonit tonë.

Procesi i anëtarësimit në BE ka rezultuar të jetë faktori mobilizues më efikas për stabilizimin dhe reformimin e Ballkanit Perëndimor. Nëse ky rajon gëzon sot paqe, kjo i detyrohet kryesisht perspektivës së tij evropiane.

Duke na ofruar perspektivën për një të ardhme të përbashkët, procesi i zgjerimit të BE-së nxit atë frymë bashkëpunimi rajonal që është në zemër të projektit evropian.

Gjithsesi, unë nuk mund të mos vërej një paradoks që ekziston ndërmjet qëllimit tonë për anëtarësim të plotë në BE dhe instrumenteve të bashkëpunimit rajonal që kemi në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi.

Në fakt duket sikur nga njëra anë i kemi vënë vetes qëllime të vështira, ndërsa nga ana tjetër kemi arritur të gjejmë veçse instrumente të lehta për arritjen e tyre.

Kjo do të thotë se, si rajon, ne duhet të bëjmë më shumë dhe t’i mësojmë më mirë boshllëqet dhe mospërputhjet që ekzistojnë midis ambicieve dhe kapaciteteve tona.

Nëse krahasojmë PBB-në, PKB-në (Prodhimin Kombëtar Bruto) dhe rritjen e eksporteve vjetore të mallrave dhe shërbimeve per capita nga viti 2003 në vitin 2011, shihet qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur më të varfra, jo vetëm krahasuar me vendet anëtare të BE-së, por edhe me vende të tjera ballkanike që janë anëtarësuar së fundmi në BE.

Kjo tregon se rajoni ynë nuk është thjesht i ndryshëm në terma të zhvillimit ekonomik, por edhe se procesi i integrimit evropian vazhdon të reflektojë realitete të së shkuarës.

Me fjalë të tjera, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk ka nxitur ende transformimin e plotë ekonomik dhe shoqëror që vjen me agjendën e zhvillimit.

Ky paradoks mes qëllimeve të vështira dhe instrumenteve të lehta është veçanërisht i vërtetë nëse e shohim rajonin tonë nga këndvështrimi gjeopolitik.

Rajonet fqinje me Evropën po ndryshojnë me ritme gjithnjë e më të shpejta dhe me pasoja të paevitueshme për rajonin tonë. Rishfaqja në skenë e logjikës së sferave të influencës ka potencialisht një efekt ndarës në Ballkanin Perëndimor. Kjo është diçka që ne duhet ta shmangim.

Për këtë arsye ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje rëndësisë gjeopolitike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të mos humbasë rolin e tij si forca shtytëse e bashkëpunimit rajonal.

Në këtë kontekst sfidues gjeopolitik, perspektiva e prekshme dhe e besueshme evropiane ka rëndësi thelbësore në mbajtjen e vendeve tona në rrugën e europianizimit dhe bashkëpunimit.

Zonja dhe zotërinj,

Integrimi evropian dhe bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndahen apo ta zëvendësojnë njëri – tjetrin.

Në të njëjtën kohë, paqja, stabiliteti dhe integrimi afatgjatë në BE nuk mund të garantohen pa rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo është arsyeja pse vendet e rajonit  kanë nisur menjëherë një agjendë konektiviteti me BE-në.

Përmirësimi i lidhjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet tyre dhe me Bashkimin Evropian është një faktor kyç për rritjen e konkurrencës në rajon dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ne besojmë fuqimisht se procesi i filluar në Berlin duhet të jetë në qendër të objektivave tona të përbashkëta.

Kjo qasje adreson ambiciet e bashkëpërcaktuara që vijnë nga brenda rajonit, si një parakusht për një kuadër të vërtetë efektiv të BE-së dhe mbështetje ndërkombëtare.

Marrëveshja për Rrjetin Kryesor e arritur këtu në Bruksel vetëm dy javë më parë është një shembull mjaft i mirë që dëshmon se si ambiciet rajonale mund të mbështeten dhe përforcohen përmes angazhimit dhe udhëheqjes kolektive.

Gjej rastin për të vlerësuar rolin e Komisionit dhe veçanërisht atë të Komisionerit Hahn për mbështetjen e tij të fortë dhe vizionin e qartë.

Projektet infrastrukturore të miratuara në bazë të metodologjisë së Rrjetit Kryesor janë të rëndësishëm jo vetëm për shkak se do të mundësojnë ndërlidhjen ekonomike të rajonit dhe do të sigurojnë përfitime reale për qytetarët tanë nga proceset e integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Ata janë të rëndësishëm sepse kanë mundësinë të forcojnë kontaktet dhe besimin ndërmjet njerëzve, që është kapitali shoqëror për bashkëpunim rajonal.

Në fund të fundit, ndjenja e përkatësisë në një rajon të caktuar është vendimtare për zhvillimin e çdo strategjie rajonale.

Ne presim që kjo prirje të jetë në krye të agjendës evropiane të muajve të ardhshëm, ndërsa ne përgatitemi për një Samit të fokusuar dhe produktiv në Vjenë, në gusht të këtij viti.

Me këtë rast, ne mirëpresim vëmendjen që do t’i kushtohet bashkëpunimit rajonal ndërmjet organizatave të shoqërisë civile gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Në këtë kuadër, Shqipëria do të përgatisë disa propozime për bashkëpunimin e të rinjve ndërmjet vendeve të rajonit.

Kryesia aktuale e SEECP-së i ka ofruar Shqipërisë mundësinë për të kontribuuar në koordinimin e të gjithë partnerëve për të mbajtur procesin e Berlinit gjallë, si një arritje të rëndësishme me implikime pozitive në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Mundësitë për të ecur përpara në bashkëpunimin rajonal ekzistojnë dhe janë të shumta, por ne duhet të jemi praktikë, të fokusuar dhe gjithëpërfshirës.

Do të doja të shprehja edhe një herë thirrjen për SEECP-në për të vepruar si katalizator drejt një organizimi më efikas të bashkëpunimit rajonal.

RCC-ja (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) mund të na ndihmojë të mendojmë për formula të ndryshme, në mënyrë që të zvogëlojmë numrin e mekanizmave rajonalë që janë vjetërsuar dhe të përforcojmë ato forume rajonale që u sjellin vlerë të shtuar përpjekjeve tona drejt anëtarësimit të plotë në BE.

I dashur Goran, kemi besim në ndihmën tuaj për ta arritur këtë; edhe njëherë urime për mandatin tuaj të dytë si Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së.

Ju faleminderit për vëmendjen!