Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar drejtues të komuniteteve fetare në Shqipëri,

Të nderuar ministra dhe deputetë,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar që jemi së bashku në këtë Iftar, të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Jemi mbledhur jo vetëm për të qenë pranë njëri-tjetrit, por edhe në respekt të atyre vlerave që ne shqiptarët shpesh i marrim si të mirëqena. E kam fjalën për Lirinë e besimit dhe Harmoninë Fetare.

Shqiptari ndër shekuj është karakterizuar nga etja për liri. Dhe nga liritë, askush nuk ka qenë për ne kaq e shtrenjtë sa liria e besimit. Respekti për lirinë e besimit, na ka bërë gjithashtu, tolerantë.

Sepse të kuptosh lirinë tënde, do të thotë të kuptosh edhe kufijtë e saj. Do të thotë të kuptosh tjetrin.

Sami Frashëri, një nga pishtarët e Rilindjes thoshte se “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”

Shteti shqiptar në ngjizjen e tij, në atë ditë të shënuar të 28 Nëntorit 1912, kishte për dëshmitarë bijtë e tij shqiptarë, të krishterë e myslimanë. Të gjithë tok, për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri Evropiane.

Për të qenë myslimanë e të krishterë të mirë, shqiptarëve i nevojitet një shtet i konsoliduar e demokratik, një shoqëri e arsimuar dhe e zhvilluar, që edhe feja të ketë truallin e saj ku të ngjizet dhe mbruhet.

Në ditët e sotme, me keqardhje vërejmë se si feja, kjo marrëdhënie intime e njeriut me krijuesin, është shndërruar në jo pak raste në instrument ndasie, lufte e vëllavrasjeje.

Ne shqiptarët e kemi kuptuar me kohë vlerën e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Atë që sot në shumë vende mbetet ende një projekt i parealizueshëm.

Unë – ashtu sikundër shumica e brezit tim – vij nga një familje, që edhe pse nuk e ka praktikuar besimin, më ka mësuar mbi të gjitha vlerën e respektit për besimin e tjetrit.

Bashkëshortja ime është e krishterë, dhe familja jonë ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare, feston Krishtlindjet, Bajramin dhe Pashkët.

Kjo është Shqipëria jonë. Ajo ka qenë dhe është një vend evropian, me të krishterë e myslimanë. Me zemër e mendje. Jo të ndarë disa nga lindja e disa nga perëndimi.

Të nderuar të pranishëm,

Feja myslimane është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Feja nuk është as trend, as modë. Është besim i palëkundur të Krijuesi. Dhe besimi në Zot vetëm sa e pasuron shpirtin e popullit.

Shumë jo-praktikantë kujtojnë se Ramazani ka të bëjë vetëm me shmangien e ushqimit dhe pijeve gjatë ditës. Por muaji i Ramazanit nuk është vetëm agjërim për trupin. Para së gjithash, është një kohë thellësisht shpirtërore, gjatë së cilës njeriu përpiqet të bëhet njeri më i mirë, të gjejë paqen e brendshme dhe të jetë sa më pranë Zotit.

Presidenti Obama me të drejtë ka theksuar se çdo fe ka veçoritë e saj.
Mirëpo Ramazani, bashkon tradita që i ndajnë edhe shumë fe të tjera: Besimtarët luten dhe agjërojnë para Zotit; familjet mblidhen bashkë me dashuri për njëri-tjetrin; fqinjët që me mëshirë dhe dhembshuri u shërbejnë njerëzve në nevojë. Njerëz nga fe të ndryshme që bashkohen, duke rikujtuar detyrimet ndaj njëri-tjetrit – për paqe, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë njerëzit.

Me këto fjalë lejomëni t’ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj,

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!