Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Ministër Kishi,
I dashur Sekretar i Përgjithshëm z. Agaci,
I dashur Ëngjëll,
I nderuar Ambasador ITO,
zonja dhe zotërinj,

Ishte kënaqësi e veçantë sot për mua që të mikpritja në Tiranë Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë z. Nobuo Kishi me të cilin do të përurojmë pas pak edhe hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë.

Bisedimet me z. Kishi na dhanë mundësinë që të bëjmë një bilanc të marrëdhënieve tona të cilat kanë njohur një dinamikë të re vitet e fundit, sidomos në rrafshin e shkëmbimeve tregtare.

Japonia nuk është më një vend donator por edhe një partner ekonomik premtues për zhvillimin dhe modernizimin e sektorëve kyç të ekonomisë sonë.

Në këtë kontekst, ne patëm mundësi që të diskutojmë për mbështetjen që qeveria japoneze i ka dhënë Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, por edhe për kalimin në një fazë të re të këtij bashkëpunimi.

Shqipëria ka treguar se është një vend që mund të reformohet, mund të ndryshojë dhe mund t’i ofrojë më shumë hapësirë dhe lehtësi investimeve të huaja, përfshirë këtu edhe investimet japoneze. Ndaj hapja e Ambasadës Japoneze në Shqipëri në fakt përkon me këtë realitet të ri.

Në emër të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Rama dëshiroj të falënderoj qeverinë Japoneze për akordimin e këtij granti bujar, për dhurimin e makinave Toyota të gjeneratës së re, që janë makina miqësore në fakt ndaj mjedisit.

Natyrisht një falënderim më i veçantë shkon për Sistemin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICS) për punën e dedikuar për realizimin e këtij projektit.

Siç u theksua edhe nga Ministri dhe nga Ambasadori, qëllimi i akordimit të këtij granti është në fakt reduktimi i ndotjes mjedisore përmes promovimit të makinave të gjeneratës së re.

Këto makina natyrisht do të shërbejnë edhe për nxitjen e ndërgjegjësimit në radhë të parë të institucioneve shtetërore dhe publikut për përmirësimin e cilësisë dhe performancës mjedisore.

Ne besojmë se do të kemi një përmirësim të ofrimit të shërbimeve publike në ato institucione ku është bërë dhe shpërndarja e këtyre automjeteve dhe gradualisht do ta përdorim si një praktikë për t’u pasuruar në mënyrë që të gjitha institucionet shtetërore ta kenë si pikë referimi përdorimin e automjeteve të cilët janë miqësore ndaj mjedisit.

Duke përfunduar dëshiroj të falënderoj edhe një herë tjetër Ministrin Kishi, për praninë e tij sot këtu me ne, qeverinë japoneze, për mundësimin e këtij granti dhe të shpreh në të njëjtën kohë dëshirën dhe vullneti e qeverisë shqiptare që marrëdhëniet mes nesh të thellohen, të zgjerohen më shumë dhe të  transmetojmë një mesazh të qartë të këtij angazhimi dhe mbështetjes reciproke.

Faleminderit!
Aligato!