Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj të falenderoj Danielin për mikpritjen dhe mundësinë e krijuar për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit që na prekin të gjithëve

Shkurtimisht, dëshiroj të nënvizoj katër cështje:

Së pari, dua të theksoj rëndësinë e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore (SEECP), një organizatë që shënon 20 vjetorin e saj dhe që ka dëshmuar se është një instrument përshpejtues i bashkëpunimit rajonal.

Karakteri gjithpërfshirës i SEECP-së është një pikë e fortë që duhet promovuar në të gjitha formatet rajonale.

Por në këtë 20 vjetor ne duhet gjithashtu të hedhim një vështrim kritik mbi mënyrën se si veprojmë. Sic dihet, ne kemi nisur një proces rishikimi të SEECP, por deri tani ky  proces nuk ka ecur përpara.

Nëse dëshirojmë që SEECP-ja të mbetet një faktor sigurie, stabiliteti dhe prosperiteti në Evropën Jug-Lindore, atëherë duhet ta aktivizojmë këtë forum në një mënyrë më konkrete dhe kuptimplotë.

Cështja e dytë ka të bëjë me krizën e refugjatëve dhe efektet e saj anësore në të gjithë kontinentin. Si pasojë e kësaj krize, jemi bërë dëshmitarë:

–  të rritjes së shqetësimeve legjitime për lidhjet e terrorizmit me rrymat migratore;
–  të rritjes, aspak legjitime, të stereotipeve negative;
–  të rritjes së mbështetjes për partitë ekstreme në Evropë;
–  dhe së fundmi të thellimit të mosbesimit midis fqinjëve e aleatëve.

Të gjitha këto, në kurriz të bashkëpunimit ndërkufitar dhe të një përgjigjeje të unifikuar ndaj krizës.

Përgjatë vitit të shkuar, rruga evropiane e trajtimit të krizës së refugjatëve kaloi përmes një shumëllojshmërie mesazhesh dhe politikash konfuze.

Një vëzhgues i jashtëm mund të shkojë edhe më larg duke vlerësuar se jemi shfaqur “të bashkuar në egoizëm”. Ose thënë ndryshe, të gjendur midis, nga njëra anë, vlerave të lirisë dhe solidaritetit dhe, nga ana tjetër, një seri politikash gjithnjë e më shumë anti-liberale, që po turbullojnë debatin politik në mbarë Europën.

Në këtë kontekst, pajtohem plotësisht me frymën e përgjegjësisë, solidaritetit dhe ndërvarësisë të Deklaratës sonë të Përbashkët mbi Sfidat Migratore. Kjo sigurisht tregon se ne duam vërtet të jemi pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.

Javët në vijim do të jenë kritike, teksa përpiqemi bashkërisht të kalojmë nga koha e përgjigjeve konfuze në atë të vendimmarrjeve dhe zbatimit të tyre.

Besoj se në këtë moment është me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të evitojnë shndërrimin e tyre në vende stacionimi të refugjatëve, pasi kjo mund të rezultojë tejet destabilizuese për rajonin. Pa përmendur këtu shqetësimet nga pikëpamja e sigurisë.

Cështja e tretë ka të bëjë me luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Natyrisht, dimensioni i sigurisë merr rëndësi të dorës së parë. Të gjithë e dimë se bota nuk do të jetë në paqe pa shkatërruar DAESH.

Por ne nuk duhet të harrojmë se kjo është një betejë afat-gjatë, një betejë për të krijuar mirëqënie, kohezion dhe respekt të ndërsjellë brenda shoqërive tona.

Kjo është tepër e rëndësishme për të ardhmen. Ndaj dhe po ndërmarrim hapa konkretë. Në Shqipëri këto hapa përkthehen në një fokus të dyfishtë:

–  Së pari në masat e sigurisë dhe përpjekjet për ndërtimin e kapaciteteve për t’iu kundërvënë të gjithë fenomeneve (të tilla si trafikimi) të cilat mund të ushqejnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, terrorizmin. Masat tona kundër trafikimit kanë qenë të thella dhe tërësore.

–  Së dyti, jemi duke u përqendruar në një sërë veprimesh, të përcaktuara në strategjinë kombëtare të miratuar së fundmi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Këto masa synojnë promovimin e metodave të edukimit dhe të ndërveprimit social që e kanë bërë Shqipërinë një vend që mund të krenohet me me tolerancën e vet.

Në mbyllje, dëshiroj të ndalem tek cështja e fundit, që ka të bëjë me politikën e zgjerimit të BE-së.

Çështjet e përmendura më sipër kanë ndikuar që zgjerimi i BE-së të kthehet një çështje e rëndësisë së dytë. Të gjithë po ndjejmë pasojat e debatit brenda BE-së mbi rivendosjen e kufijve dhe fundin e Schengen-it.

Megjithatë, si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit kanë dëshmuar ndërvarësinë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Eshtë e rëndësishme që kjo ndërvarësi të përkthehet në një mundësi bashkëpunimi të përforcuar të BE-së me vendet e rajonit, në mënyrë që këto vende të përmbyllin me sukses proceset e shtet-ndërtimit demokratik.

Vijimi i “Procesit të Berlinit” dhe i përpjekjeve tona, ndërsa përgatitemi për Samitin e Parisit, për të patur rezultate konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të jenë veçanërisht të rëndësishme në këtë drejtim.

 

Ju Falemnderit!