Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I dashur Boaz

I dashur Johan

E nderuar Mimi

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq e kolegë,

Mirëserdhët në ceremoninë përkujtimore për Holokaustin, tashmë pjesë e traditës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Holokausti ishte një prej kapitujve më të errët të historisë moderne. 73 vjet më parë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, bota u njoh me një krim më makabër. 6 milionë hebrenj të shfarosur në kampet e përqendrimit gjatë përndjekjes më sistematike dhe çnjerëzore.

Dita ndërkombëtare për përkujtimin e Holokaustit është dita e brejtjes së ndërgjegjes kolektive ndaj një krimi që nuk duhet të kishte ndodhur në zemrën e Evropës së qytetëruar.

Kur ndalim të reflektojmë mbi këtë ligësi njerëzore, kujtojmë sesi gjithçka filloi nga fjala. Nëpërmjet fjalëve u krijua një rrëfenjë e rreme për hebrenjtë, nëpërmjet fjalëve u ngjiz frika që më pas u shndërrua në urrejtje. Nëpërmjet fjalëve paragjykimet u shndërruan në stereotipe dhe ajo që dikur nuk mund të imagjinohej u shndërrua në mendimin e ditës: në urrejtje të verbër kundër hebrenjve deri në përndjekje e shfarosje të justifikuar.

Në kohën e platformave sociale, “lajmeve të rreme”, të narrativave që e shtrembërojnë realitetin, rëndësia e fjalës mbetet e jashtëzakonshme.

Rëndësia e përdorimit të drejtë të platformave sociale dhe e vërtetësisë së lajmeve të botuara në to, nuk është vetëm çështje etike, por çelësi i krijimit të një narrative kolektive. Përpjekjet e disa prej platformave kryesore të medias sociale sot në botë si Facebook apo Twitter për të filtruar lajme tregojnë vetëm fillimin e një beteje të re, ku armiku nuk është lehtësisht i identifikueshëm. Kjo është luftë pa armë luftarake dhe sheshbetejat nuk janë më vende gjeografike. Në vend të tyre kemi fjalët dhe botën kibernetike.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është pjesë e zhvillimeve globale dhe shoqëria e hapur dhe demokratike që synojmë të ndërtojmë, nuk mund të perceptohet pa lirinë e shenjtë të të shprehurit. Por bashkë me lirinë për t’u shprehur, duhet kuptuar edhe përgjegjësia për atë që ne shprehim.

Ndaj dhe dëshiroj të theksoj se dita e përkujtimit të Holokaustit nuk është vetëm një rast më shumë për t’u ruajtur nga anti-semitizmi por mundësi për një reflektim të thellë për të kuptuar se çfarë sjell urrejtja dhe një politikë përçarëse ndaj atij apo asaj që është ndryshe. Dje ishin hebrenjtë, sot emigrantët, madje edhe shqiptarët kanë qenë dhe në disa vende janë ende pjesë e stereotipeve që tregojnë se sa përtace mund të jetë mendja e njeriut modern kur modifikohet nëpërmjet narrativave fallco.

Ndryshe nga të tjerët, shqiptarët ditën të tregojnë vlerat e vërteta njerëzore të popullit tonë. Si në asnjë vend tjetër të Evropës madje, Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Evropë. Por krenaria me paraardhësit tanë nuk mjafton. Shembullin e tyre, që nën kërcënimin e vdekjes arritën të shpëtonin hebrenj, duhet ta lartësojmë duke vijuar në rrugën tonë të ndërtimit të një shoqërie më tolerante dhe pa ndasi.

Dhe në këtë kontekst edukimi i brezave të rinj merr vlerë të veçantë

Nuk mund të gjenim dot një temë më të mirë se kjo me të cilën të nisnim një traditë të hapjes së institucionit tonë për studentë e studiues, qytetarë e komunitete: vazhdën e asaj që ne do ta quajmë ditët e hapura të Ministrisë së Evropës së Punëve të Jashtme.

Motoja e këtij viti, jo më kot, të përkujtimit të Holokaustit është ‘Përtej detyrës’ jo më kot. Sepse mësimet e nxjerra nga Holokausti e tejkalojnë detyrën imediate. Ato shndërrohen në mësime kardinale historie. Nuk është e rastësishme që fill pas Holokaustit u hartua Deklarata Universale e të të Drejtave të Njeriut. Ishte kushtrimi i njerëzimit për të mos harruar atë çka ndodhi dhe për të mos lejuar të ndodhë sërish.

Të shtunën e kaluar së bashku me ambasadorin e Izraelit ishim në Shkodër për promovimin e librit të një prej të mbijetuarve të Holokaustit. Zonja Ergas-Faraxhi shkroi një libër me kujtime dhe tregoi se si shpëtoi duke u strehuar në Shkodër, te familja Shurdha. Aty ajo lindi një vajzë, Dritën, e cila ditën e shtunë u takua pas 75 vjetësh me Ahmet Shurdhën, një nga anëtarët e familjes Shurdha ku ishte strehuar kur lindi. Është e kotë të përshkruash emocionet të atij takimi por ajo çka na la mbresa të forta, janë vlerat më të mira njerëzore që edhe në periudha të ndryshme të historisë, fitojnë mbi ligësinë, mbi mendjengushtësinë e paragjykimet. Ndaj, ne të gjithë duhet të jemi pjesë e këtij misioni, brenda dhe jashtë zyrave tona pavarësisht pozicioneve që ne mbajmë.

Ju faleminderit!