Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë ministra dhe deputetë,

Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri,

Zonja dhe zotërinj,

 

Ju uroj mirëseardhjen në përkujtimin e Holokaustit, që organizohet për të tretin vit radhazi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Dëshiroj të falenderoj zyrën e Këshillit të Evropës dhe zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, për mbështetjen që na kanë dhënë për organizimin e këtij aktivititeti.

Përkujtimi i Holokaustit, është tregues jo vetëm i respektit sublim ndaj atyre që humbën jetën, por edhe i mirënjohjes ndaj paraardhësve tanë, të cilët dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj vlerave më të larta njerëzore.

Kështu, duke kujtuar tjetrin, kujtojmë edhe vetveten.

Në Deklaratën e Stokholmit, dokumenti themelues i Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, thuhet se “ne identifikohemi me dhimbjen e viktimave dhe marrim frymëzim nga beteja e tyre.”

Është ky frymëzim që duhet të shërbejë edhe për t’u përballur me sfidat aktuale në botë, të cilat na prekin të gjithëve.

Sot Evropa gjendet në udhëkryq midis pranimit të refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët ndiqen për arsye nga më të ndryshme, dhe ruajtjes së vlerave themelore të njeriut, mbi të cilën qëndron në këmbë ngrehina e Bashkimit Evropian.

Atyre që kërkojnë ti thjeshtëzojnë sfidat e tanishme duke i paraqitur ato si përplasje qytetërimesh apo përplasje ndër fetare, është kjo dita t’u themi se kjo nuk është e vërtetë.

E drejta për të jetuar është një e drejtë thelbësore e njeriut. Refuzimi i dëgjimit të klithmës për ndihmë të tjetrit nuk mund të justifikohet me pamundësi ekonomike dhe as të përligjet për të krijuar ndasi të reja.

Sot, ne shqiptarët kemi ç’të tregojmë. Diçka të zakonshme për ne, por të jashtëzakonshme për ata që u shpëtuan dhe për ata që e përkujtojnë.

Në ato kohëra të errëta, shqiptarët qëndruan ballëlartë para historisë duke zgjedhur anën e jetës.

Sfida jonë është se si këtë histori t’ia transmetojmë brezave dhe gjeneratave më të reja. Kjo është një nga arsyet perse, gjatë vizitës tonë në Izrael para pak javëve, ne firmosëm së bashku me Yad Vashemin, këtë institucion të rëndësishëm, një program që do të mundësojë përfshirjen e kësaj historie në kurrikulat e arsimit.

Po çfarë i lidhte shqiptarët e varfër me hebrenjtë evropianë të përndjekur nga nazizmi?

Asgjë tjetër përveç respektit për jetën njerëzore. Fisnikëria për të mbrojtur të tjerët – të ndryshëm, të huaj e nën kërcënimin e vdekjes – ishte më e rëndësishme sesa rreziku për jetën e shpëtimtarëve e të familjeve të tyre.

“Të jesh vend i vogël apo i madh nuk matet me sipërfaqen e tokës, as me numrin e popullsisë, por me vlerat e vendit dhe të edukimit të shoqërisë.” – Kështu e përkufizon nobelisti Shimon Peres veçorinë e Shqiptareve. Gjatë takimit mbresëlënës që patëm para pak javëve ne Izrael.

Të nderuar të pranishëm,

Shpesh ne shqiptarët çuditemi sa të ndjeshëm janë të tjerët për përbërjen fetare të shoqërisë sonë dhe po të mos na kujtohej herë pas here, as që do të na vinte në mendje.

Jo se nuk e dimë, por sepse nuk është thelbësore dhe nuk është përcaktuese për ne në raportet me njëri-tjetrin, e as në raportet me të tjerët.

Në historinë e Shqipërisë nuk gjejmë momente të ndonjë tensioni mes besimeve, nuk kemi ndonjë ngjarje që të jetë shënjuar nga raportet, e për më pak nga përplasjet, me bazë fenë.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe thënia e poetit tonë të madh Vaso Pasha, kur shkruante mjeshtërisht se ”Feja e shqiptarit është Shqiptaria”.

Në themel të shoqërisë sonë është mirëkuptimi, toleranca dhe bashkëjetesa, është kultura e respektit për të tjerët, për ritet e ceremonitë e tyre.

Kjo kulturë nuk është e dhënë; është e krijuar. Një kulturë që pasurohet dhe nuk përkufizohet nga feja.

Ky është shembulli ynë për Evropën, për botën ku gjendemi.

Duke përfunduar, dëshiroj të falenderoj z. Xhemal Veseli, vëllanë e Refik Veselit, emri i të cilit, bashkë me 72 shqiptarë të tjerë, qëndron si i Drejtë midis Kombeve, në Yad Vashem. Shembulli juaj na bën krenarë dhe të përgjegjshëm!

Ju faleminderit për vëmendjen!