Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar Ministër i Brendshëm,
Zonja dhe zotërinj,

Në dukje Ministria e Punëve të Jashtme të jep përshtypjen e një institucioni të ngurtë dhe burokratik që preokupohet vetëm me diplomacinë “tradicionale”.

Por Ministria e Punëve të Jashtme ka edhe një anë shumë të rëndësishme të saj, që e lidh drejtpërdrejt me qytetarin: atë të shërbimeve konsullore për qytetarët shqiptarë e të huaj.

Ky aspekt i rëndësishëm i punës së shërbimit të jashtëm, ka një vlerë të jashtëzakonshme sidomos për vendin tonë, ku rreth 1/3 e popullsisë gjendet jashtë vendit.

Për pasojë, një nga prioritetet e punës tonë, ka qenë dhe mbetet përmirësimi i shërbimeve që ofrojmë. Qasja jonë ndaj shërbimeve konsullore është e dyanshme.

Nga njëra anë jemi përqendruar në rritjen e aksesit të publikut për informacion dhe nga ana tjetër po zgjerojmë gamën dhe po përmirësojmë cilësinë e shërbimeve.

Informacioni gjendet lehtësisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pranë përfaqësive tona diplomatike e konsullore, në platformat online të komunikimit dhe mediat sociale.

Në dallim nga e kaluara, sot të gjitha përfaqësitë diplomatike e konsullore të Shqipërisë janë të pranishme në hartën e botës digjitale, duke ofruar informacione në kohë reale.

Ne synojmë që brenda 2016, në kuadër të projektit të “Konsullatës Digjitale” t’i ofrojmë të gjitha shërbimet konsullore brenda një platforme online.
Përmirësimi i aksesit në informacion shkon paralelisht me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve konsullore për qytetarët. Synimi ynë është që shërbimet e ofruara të rrezatojnë cilësi, transparencë dhe përgjegjshmëri.

Në rrjetin e përfaqësive tona në botë, gjatë vitit 2014, kemi ofruar shërbime për afro 92 mijë qytetarë shqiptarë. Ose 17% më shumë se në vitin 2013. Natyrisht, shumica e përfituesëve të këtyrë shërbimeve janë të vendosur në Itali dhe Greqi.

Zgjerimi i gamës së shërbimeve tona pranë sporteleve konsullore mbetet një sfidë në vetvete. Pas 6 muajsh punë intensive, kemi arritur që certifikatat, që deri dje merreshin vetëm në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri, sot mund të merren në konsullatat tona në Itali. Kjo është hera e parë që bashkëkombasve tanë iu mundësohet një shërbim i tillë.

Sepse deri dje, të gjithë shqiptarët me banim në Itali, që kishin nevojë për një certifikate familjare, duhet të bënin 6 hapa:
1.  të dërgonin një prokurë në Shqipëri te i afërmi;
2.  pastaj i afërmi duhej të shkonte në zyrën e gjendjes civile;
3.  në prefekturë;
4.  te përkthyesi zyrtar;
5.  në Ministrinë e Punëve të Jashtme;
6.  dhe në fund tek ambasada italiane.

Të gjitha këto me një kosto prej 48 eurosh dhe duke pritur 2 muaj për një shërbim.

Ndërsa sot, ky shërbim mund të merret direkt në një prej konsullatave tona në Itali më kosto 20 euro dhe brenda 1 dite.

Certifikata është një dokument thelbësor për të gjitha procedurat administrative e gjyqësore. Marrja e këtij dokumenti pranë sporteleve tona konsullore në Itali krijon rrjedhimisht shumë lehtësira për bashkëkombasit tanë.

Ky projekt nuk mund të përmbyllej me sukses pa bashkëpunimin efikas të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe autoriteteve italiane.
Përvojën pozitive me Italinë jemi të vendosur ta aplikojmë edhe në Greqi, duke kapërcyer pengesat ekzistuese.

Veprimi ynë nuk është ndalur këtu. Pas më shumë se një dekade kemi rishikuar tërësisht politikat tarifore të shërbimeve konsullore.

Konkretisht:
–       Kemi zeruar tarifat për dokumenta në rast fatkeqësie;
–       Kemi ulur me 30 % cmimin për certifikatat (nga 30 në 20 euro);
–       Kemi ulur me 50 % tarifën e duplikimit të certifikatave (nga 20 në 10 euro);
–       Kemi ulur me 25% tarifat e legalizimeve (nga 20 në 15 euro);

Zonja dhe zotërinj,

Nisma ligjore që po ndërmarrim na krijon mundësinë që për herë të parë të kemi të dhëna konkrete dhe të besueshme për të gjithë shqiptarët me banim jashtë vendit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen.

Procesi i regjistrimit do të mundësojë të kuptojmë më mirë shtrirjen e tyre gjeografike dhe strukturën demografike.

Projektligji i regjistrimit nuk është thjesht vazhdimësia e reformave të nisura dy vjet më parë, por një proces i dyanshëm dhe një partneritet midis shtetit, që ndërmerr reformën dhe qytetarit që e përqafon atë.

Është fillimi i një procesi shumë të vështirë që kërkon jo vetëm angazhim maksimal nga qeveria, burime njerëzore dhe financiare. Por, edhe qytetari nga ana e bashkëkombasve tanë.

Nëpërmjet këtij procesi ne do të vijojmë me hartimin e një plan-veprimi kombëtar për shqiptarët në botë, i cili mundëson strukturimin e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me shqiptarët jashtë atdheut dhe përfshirjen e tyre në politikat zhvillimore të vendit.

Në mbyllje dëshiroj të theksoj se përmirësimi rrënjësor i shërbimit konsullor rrit besueshmërinë e shtetit shqiptar para qytetarëve tanë, partnerëve ndërkombëtarë si dhe ndihmon në përmbushjen e reformave shtetndërtuese në kuadër të procesit të integrimit europian.

Ju falemnderit!