Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit Bushati me rastin e inaugurimit të

shërbimit konsullor online (SHKO)

15 shkurt, 2017, MPJ

 

Z. Kryeministër,

E dashur Milena,

I dashur Valon, faleminderit që je sot këtu me ne,

Të dashur miq,

Mirë se erdhët!

 

Teksa merrnim votëbesimin e Kuvendit në shtator 2013, pak kush debatoi rreth zotimit të qeverisë sonë për mbështetjen e shqiptarëve me banim jashtë vendit dhe reformimin e shërbimit konsullor, sipas praktikave më të mira europiane.

E kam ende të freskët në kujtesë një nga vizitat e para të punës jashtë vendit. Krahas takimeve me personalitetet më të larta të vendit mikpritës, u takova me përfaqësues të komunitetit tonë aty. Ndër ta ishte një zonjë e thyer në moshë, e cila në fund të takimit më afrohet e më thotë: “ju bëni shumë mirë që merreni me politikat e mëdha, po unë një kërkesë të vogël kam. Më duhet një çertifikatë”. Të them të drejtën më zuri në befasi. Ngrita supet dhe i thashë se kemi konsullatën për këto çështje. Por ajo më thotë se nuk e lëshon konsullata jonë një çertifikatë të tillë. Dhe më shpjegoi se për çertifikatën i duhet të udhëtonte në Shqipëri, fillimisht në Vlorë ku kishte lindur, pastaj në Berat ku ishte e regjistruar, për të përfunduar në Tiranë për të marrë një vulë dhe një legalizim në ministri, pra një mori veprimesh pa fund.

 

Ky shembull tregon një të vërtetë të thjeshtë. Dimensionin e prekshëm e njerëzor të shërbimit konsullor. Aq më tepër sot, ku lëvizja e njerëzve nga një shtet në tjetrin është një realitet i zakonshëm dhe rreth 1/3 e shqiptarëve jeton jashtë vendit. Por ata i ruajnë lidhjet me Shqipërinë, japin kontribut të çmuar në ekonominë e vendit dhe na ndihmojnë për t’u projektuar në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Është merita e tyre dhe jo zemërgjerësia jonë ajo që na shtyn të reformojmë shërbimin konsullor.

Por për të kuptuar më mirë se çfarë prezantojmë sot, është e nevojshme të reflektojmë mbi të kaluarën, sepse në këtë mënyrë do të mund të projektojmë të ardhmen.

Fatkeqësisht, për dekada me radhë, shërbimi konsullor ishte në një amulli totale. Korrupsion, radhë të gjata, dokumentacion i mbajtur si mos më keq në qitapë të dalë nga pluhuri i një epoke të paharruar.

Shërbim i atrofizuar dhe në amnezi institucionale, shëmbëlltyrë e një tranzicioni konstant. Korrupsioni ka fytyrë. Deri dje ai mbante fytyrën e konsujve të korruptuar që shfrytëzonin gjendjen komatoze të shtetit për përfitime personale, në kurriz të qytetarëve, të dorëzuar para faktit se nuk i deshën as në atdhe dhe nuk i duan as jashtë atdheut.

Natyrisht, është e paimagjinueshme që një sfidë e tillë monumentale të tejkalohet menjëherë. Sepse, nuk kemi të bëjmë me ndërrime kompjuterash apo printerash, as me rregullime zyrash, por me ndryshim mentaliteti.

Përmirësimi i infrastrukturës, burimeve njerëzore të dedikuara, rritja e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë, shtimi i gamës së shërbimeve, siguron themelet e shëndosha ku do të mbështetet e gjithë veprimtaria konsullore për dekadat e ardhshme.

 

I jemi përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve lidhur me tarifat e larta të shërbimeve, gamën e reduktuar dhe mungesën e transparencës e cilësisë në ofrimin e tyre.

Më konkretisht, për herë të parë që prej vitit 1998, kemi rishikuar plotësisht tarifat e shërbimeve konsullore. Disa shërbime ofrohen falas dhe disa të tjera ofrohen me tarifë të reduktuar. Për shembull kemi përgjysmuar tarifën e dublikimit të çertifikave dhe kemi ulur me 25% tarifat e legalizimeve.

Nga ana tjetër, shtuam gamën e shërbimeve konsullore në shtete me prani të madhe shqiptarësh, duke mundësuar për herë të parë lëshimin e çertifikatave të gjendjes civile në Itali. Ndërkohë, jemi në negociata për ta shtrirë këtë praktikë edhe në vende të tjera.

Dëshiroj të nënvizoj faktin se hapat e mësipërm janë ndërmarrë me të njëjtin numër personeli, ç’ka do të thotë se mund të luftojmë korrupsionin, përmirësojmë shërbimet e administratës sonë dhe llogaridhënien pa rënduar në xhepat e taksapaguesve.

Kjo reformë ka rritur dukshëm besueshmërinë e shtetit shqiptar karshi partnerëve tanë dhe qytetarëve.

Vende anëtare të BE-së si Belgjika, Gjermania dhe Spanja, tërhoqën rezervat e tyre për vulën apostille. Çka përkthehet në më shumë lehtësi dhe më pak shpenzime për qytetarët tanë. Mezi presim që edhe Greqia, vendi i vetëm i BE-së që nuk i është bashkuar kësaj praktike, të ndjek shembullin e vendeve të tjera, si një sinjal i qartë i përkushtimit ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë.

Gjithashtu, prej 2014, kërkesat për shërbime konsullore janë dyfishuar. Për të kuptuar intensitetin e punës, çdo vit bëhen mesatarisht rreth gjysmë milioni legalizime dhe ofrohen rreth 255 mijë shërbime konsullore.

 

Shërbimi Konsullor Online kurorëzon hapin e dytë të digjitalizimit të shërbimeve konsullore, pas prezantimit vitin e kaluar të aplikacionit informues E-konsullata.

Përmbyllja e digjitalizimit të shërbimeve konsullore ishte një prej zotimeve konkrete të Samitit të Diasporës, duke çuar shërbimin te qytetari, e duke i dhënë atij mundësinë të ketë akses të menjëhershëm (nëpërmjet kompjuterit, tabletit apo telefonit) dhe me kosto të ulët.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Digjitalizimi mundëson që procesi administrativ i brendshëm i padukshëm dhe puna e konsujve të monitorohet në të gjitha nivelet duke garantuar shpejtësi, cilësi dhe llogaridhënie.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është krijimi për herë të parë i një arkive të saktë, digjitale dhe të aksesueshme, të të gjithë dokumentacionit dhe shërbimeve konsullore. Tashmë edhe shërbimi konsullor do të ketë kujtesën e vet institucionale.

Para kësaj reforme, ekzistonin rreth 1000 formate të ndryshme në sportelet konsullore që dallonin që nga gjuha e përdorur e firma e konsullit, e deri tek vendosja e vulave, shkrimi e përmbajtja e tekstit. Larmishmëria ishte vërtetë mbresëlënëse!

Tashmë, me anë të Platformës së Shërbimeve Konsullore Online (SHKO), janë përpiluar dhe standardizuar mbi 100 formularë dhe dokumente, me specifikimet dhe kodifikimet e regjistrimit të tyre elektronik. Të gjitha formatet e shërbimeve janë unifikuar dhe përmbajnë elemente të njëjtë. Kjo nuk nënkupton vetëm përmirësim estetik, por mbi të gjitha, garantimin e elementëve të sigurisë.

Ne sot ofrojmë përmes kësaj platforme 36 shërbime. Për 23 shërbime, qytetari do ta marrë shërbimin me postë në shtëpi, ndërsa për 13 shërbime qytetari do të paraqitet vetëm një herë pranë sporteleve konsullore.

Avantazhet janë të dukshme dhe të qarta: qytetari eviton humbjen e ditës së punës; udhëtimet e gjata; pritjen në përfaqësi; shmang kostot e larta; dhe përfiton një procedurë të thjeshtëzuar dhe me cilësi të lartë nëpërmjet një mekanizmi transparent.

Tashmë është e mundur që shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen të aplikojnë për shërbime tërësisht online, duke u futur në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Përfaqësive Diplomatike dhe Konsullore të Shqipërisë jashtë vendit apo nëpërmjet portalit E-Albania.

 

E njëjta metodë dhe e njëjta mendësi po zbatohet tashmë edhe lidhur me:

  1. Administrimin e burimeve njerëzore,
  2. Menaxhimin financiar të Shërbimit të Jashtëm,
  3. Automatizimin e procesit të legalizimeve,
  4. Mbështetjen teknike që nevojitet për funksionimin e sistemit konsullor online.

 

Platforma SHKO është në hapat e para të zbatimit, dhe natyrisht për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve mbi vështirësitë e mundshme teknike, sikundër dhe mirëpresim sugjerimet tuaja në përmirësimin e shërbimit. Fillimet janë shpresëdhënëse. Vetëm brenda disa javësh konsujt tanë kanë kryer rreth 5000 veprime konsullore përmes platformës digjitale.

Shërbimet konsullore digjitale do të ecin krah për krah zbatimit të ligjit për regjistrimin e shtetasve shqiptarë, proces që ne do ta nisim së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Prandaj dhe është e rëndësishme që çdo shtetas të regjistrohet sepse edhe shërbimet konsullore do të dërgohen në adresën e dhënë nga qytetari. Në këtë mënyrë, ne do t’i japim fund hamendjeve mbi numrin ekzakt të shtetasve tanë që banojnë jashtë atdheut.

Që të mos kemi ndonjë keqkuptim. Puna jonë nuk mbaron këtu. Sepse jemi ende shumë larg asaj ç’ka meritojnë qytetarët tanë. Por ky është një fillim i mbarë drejt një objektivi tonë: për një shërbim modern konsullor për shqiptarët kudo që ndodhen.

Dëshiroj të falënderoj në veçanti Kryeministrin Rama, si mbështetësi kryesor i këtij projekti për Konsullatën dixhitale dhe për shërbimet dixhitale.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Milenën për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur, dhe të gjithë ekipin e AKSHI-t. E natyrisht të fundit por jo më pak e rëndësishme të gjithë ekipin e MPJ-së që ka mundësuar mbylljen me sukses të këtij projekti që ne prezantojmë sot!

 

Ju faleminderit!