Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar miq,

Fjala “religjion”, vjen nga latinishtja “religiare”, që do të thotë, “harmoni”, “bashkim”. Është ndjenja e njeriut për dicka më të lartë, më sublime, më të shenjtë. Për Krijuesin.

Në respekt të një marrëdhënieje të tillë, kam nderin t’ju mirëpres sot në Darkën e Iftarit, e cila organizohet për të tretin vit radhazi nga MPJ, duke e kthyer këtë festë të shenjtë në një traditë të mirëfilltë.

Në vendin tonë, është traditë festimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, krahas festimit të Krishtlindjes, Pashkëve apo festës së Hashures. Kjo tregon qartë diçka që të parët tanë e kanë mëkuar në shekuj: tolerancën dhe vëllazarinë ndërfetare, gjithnjë në shërbim të identitetit kombëtar.

Kjo arritje e padiskutueshme e të parëve tanë, duhet promovuar dhe duhet ndarë me të tjerët si një shembull unik i një shoqërie në harmoni ndërfetare.

Feja promovon integrimin dhe solidaritetin në shoqëri duke mbështetur norma dhe vlera në shërbim të kohezionit shoqëror. Për shoqërinë tonë e cila ende vuan fragmentarizimin e tranzicionit, roli i bashkësive fetare fiton përmasa të reja, vecanërisht në lidhje me edukimin e brezit të ri.

Toleranca, dhembshuria, vetëpërmbajtja dhe respekti ndaj tjetrit – vlera të cilat promovohen nëpërmjet besimit në Zot – nuk janë trende mode, por vlera thelbësore për një shoqëri demokratike. Muaji i madhnishëm i Ramazanit është një mundësi për t’i mbruajtur këto vlera, nëpërmjet një rrugëtimi të brendshëm shpirtëror.

Sot bota përjeton atë që Papa Francesku e ka përkufizuar si “globalizmin e indiferencës”. Krizat shumëpërmasore në botë kanë nevojë të adresohen duke patur në vëmendjen pikërisht këto vlera të patjetërsueshme.

Shqipëria mbase nuk është vend i pasur materialisht, por pasuria jonë shpirtërore e shprehur nëpërmjet mozaikut të besimeve fetare, mund dhe duhet të jetë vlerë e shtuar edhe për shoqëritë e vendeve të BE-së, ku ne synojmë të anëtarësohemi.

Harmonia ndërfetare dhe mënyra se si bashkësi të ndryshme fetare, kanë jetuar dhe jetojnë krahas njëra-tjetrës, është si një laitmotiv që përshkon historinë e vetë shtetit shqiptar dhe shqiptarëve. Ishin të krishterë e muslimanë ata që ngritën flamurin në Vlorë dhe hodhën bazat e shtetit shqiptar; që mbrojtën gjuhën shqipe dhe zakonet e traditat shqiptare; dhe që me shembullin e tyre frymëzojnë edhe brezat e sotëm.

Elementi i harmonisë është një nga më të rëndësishmit në krijimin e një kulture të paqes pozitive, cka do të thotë: paqe dhe drejtësi për të gjithë.

Ne shqiptarët kemi patur një marrëdhënie te veçantë me drejtësinë. Jemi ende në kërkim të saj. Edhe psherëtima e Migjenit e para 80 viteve, “Pak dritë, o shok, o vlla. Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen” – tingëllon ende aktuale.

Ndaj dhe përpjekja titanike për të rivendosur Drejtësinë në themelet e shoqërisë është përpjekje për të hedhur bazat për të ardhmen e duhur të Shqipërisë dhe të fëmijëve tanë.

 

Të nderuar miq,

Avicena, filozofi i shquar i mesjetës, thoshte se: “gjerësia e jetës është më e rëndësishme se sa gjatësia e saj”. Uroj që muaji i Ramazanit të ketë sjellë sadopak gjerësi në jetën tuaj.

Duke ju falenderuar për praninë, ju uroj të gjithëve Gëzuar Muajin e shenjtë të Ramazanit!

Ju falemnderit!