Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar President Mojsiu

Shkëlqesi ambasadorë,

Zonja e Zotërinj,

Para disa javësh, festuam 70-vjetorin e krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërsa sot, kam kënaqësinë dhe nderin që, duke ju falënderuar për praninë, t’ju ftoj të shënojmë së bashku 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Është kënaqësi gjithashtu për mua që pata sot mundësinë të mikpres Koordinatorin e ri Rezident të OKB-së në Shqipëri, zotin Brian Williams dhe së bashku me të, të kemi nderin të përshëndesim këtë takim.

Janë 6 dekada të ndara në dy epoka, në dy rrugëtime me kahe e shpejtësi të ndryshme, atë të Shqipërisë në OKB.

Periudha e parë u shënjua nga logjika e Luftës së Ftohtë, barrierat dhe vetëizolimi paranojak i regjimit komunist.

Natyrisht, Shqipëria e ‘55 nuk ka asgjë të përbashkët me atë të pas vitit ‘1990. Ndryshimet janë epokale, transformimi i gjithanshëm.

Por nëse do të kërkonim një element apo një fill që lidh 6 dekadat e pranisë sonë në OKB, përtej sistemeve e ideologjive, ai është qëndrimi i pandryshuar i shtetit shqiptar në favor të paqes e sigurisë. Është pjesë e ADN-së sonë si komb, për të qenë në harmoni e në paqe me të tjerët.

Prania e roli ynë në OKB, gjatë çerek shekullit të fundit, përkon me përpjekjet e pandalshme për një shtet-ndërtim demokratik dhe përcaktueshmërinë  tonë perëndimore në, çështjet më të nxehta me të cilat është përballur kjo organizatë.

Veprimi ynë në OKB është i gjithanshëm dhe i shtrirë në të gjithë spektrin e veprimtarisë së Organizatës.

Për shembull: kemi kontribuar me trupa ushtarake dhe policore në Misionet e OKB-së. Jemi angazhuar në mënyrën më aktive në mbështetje të reformës së ndihmës për zhvillim nëpërmjet zbatimit të modelit “Një OKB”. Jemi promotorë të mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Gjithnjë në ndërveprim me shtetet e tjera, në një përpjekjeje kolektive për një OKB të efektshme dhe koherente, në adresimin e sfidave të një bote gjithnjë në ndryshim.

Zonja dhe Zotërinj,

Historia jonë në OKB ka edhe anën tjetër të medaljes: atë të OKB-së në Shqipëri.  Nuk ka dyshim se tranzicioni ekonomik e social i vendit do të kishte qenë edhe më kompleks, pa kontributin e ekipit të agjencive të OKB-së në Shqipëri. Dhe për këtë ne do t’ju jemi gjithnjë mirënjohës.

Projektet e OKB-së për zhvillimin kanë ndihmuar në transformimin e shumë prej politikave dhe sektorëve publikë. Së bashku, po përmbyllim jetësimin e Objektivave të Mijëvjeçarit. Po përgatitemi për sfidën vijuese, atë të zhvillimit të qëndrueshëm, por edhe në zbatimin e masave të duhura për të përballuar efektet e ndryshimeve klimatike.

Me këtë rast dëshiroj të përshëndes arritjen historike të Marrëveshjes së Parisit, në përfundim të Konferencës për Klimën.

Marrëveshja e Parisit, është njëherazi udhërrëfyes për tranzicionin ndërkombëtar drejt një bote me energji të pastër, dhe produkt i një mënyre të re të bashkëpunimit shumëpalësh. Ajo krijon një kuadër ndërkombëtar ku ndërthuren angazhimet kombëtare, që ndryshojnë nga njëri tjetri, si në ambicie ashtu edhe në aftësi zbatimi.

Shpreh bindjen se, përtej çështjeve që lidhen drejpërdrejt me klimën, marrëveshja do të shërbejë për të trajtuar edhe çështje të tjera të mëdha si siguria e ushqimit, shëndeti publik, lufta kundër varfërisë, dhe të drejtat themelore, duke kontribuar kështu në mënyrë të drejpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në botë.

 

Të nderuar miq,

Nobelisti për paqen Dag Hammarskjold e përkufizon OKB si një organizëm “jo të përsosur”, por “të domosdoshëm”, për një rend botëror të drejtë e të sigurtë.

Është fakt se bota po ndryshon me ritme të shpejta. E po kaq shpejt janë shtuar zërat dhe kërkesat për reformimin e Kombeve të Bashkuara. Sepse qasjet dhe mjetet e vjetra nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për të zgjidhur krizat e reja.

Shqipëria beson tek OKB-ja pavarësisht mangësive dhe instrumenteve të kufizuara që ajo disponon. OKB-ja mbetet një platformë e pazëvendësueshme për zgjidhjen e krizave, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për një vizion të përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm të planetit tonë.

Prandaj mbështesim reformën e OKB-së me synimin për ta bërë atë më përfaqësuese dhe më efikase. Në këtë kontekst, është i domosdoshëm debati mbi krijimin e mekanizmave të rinj dhe më fleksibël të vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit për parandalimin dhe zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

 

Zonja dhe zotërinj,

60 vitet tona në OKB janë pjesë e historisë 70-vjeçare të Organizatës. Shqipëria do të vijojë të jetë në të ardhmen një aktor i përgjegjshëm e dinamik, një partner i besueshëm, i gatshëm të japë kontribut në fushat e aktivitetit të OKB-së.

Shqipëria ka dhënë prova se ka çfarë të ofrojë për një botë më të paqtë, më të sigurtë dhe më të zhvilluar. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë, së pari brenda vendit, në rajon, dhe në rrugëtimin tonë europian.

Ju falemnderit!