Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Përshëndetje të gjithëve,

Ju falenderoj për ftesën dhe për mundësinë që më jepni për të biseduar këtu me ju në një ambient akademik dhe me pak zyrtar se zakonisht.

Bota akademike është një botë që të shtyn natyrshëm drejt reflektimeve dhe analizave afatgjata. Ndërsa bota ime e përditshme, ajo e veprimit politiko-diplomatik, të imponon një ritëm më të shpejtë. Çelësi është si t’i ndërthurim këto dy botë me njëra-tjetrën.

Ndaj mendoj se këtu është vendi i duhur për të reflektuar mbi pyetjen që parashtrojmë sot: “A ka Shqipëria një politikë të jashtme?”

Mbase dikujt kjo mund t’i duket një pyetje absurde, por në kontekstin aktual ndërkombëtar është një pyetje e natyrshme për një Ministër të Jashtëm.

Shqipëria vjen nga një histori e ndërprerë zhvillimi me kapërcime të befta nga një rend historik në tjetrin. Kjo reflektohet edhe në tranzicionin e gjatë dhe të vështirë të vendit tonë drejt vendosjes të shtetit të së drejtës.

Tranzicioni 25 vjeçar përkon gjithashtu me një krizë të thellë besimi tek vetja dhe tek institucionet që na përfaqësojnë.

Janë pikërisht këto kriza që e kanë shndërruar refuzimin e djeshëm paranojak ndaj të huajve në një adhurim shpesh pa kushte.

Kalimi nga një ekstrem në tjetrin ka pasur si pasojë edhe dyshimet herë të justifikuara dhe herë jo mbi ekzistencën e një doktrine të mirëfilltë të politikës së jashtme të Shqipërisë.

Një vend i vogël, deri dje jashtë hartës politike, grupimeve dhe kornizave që përcaktonin fatet e rajonit, Shqipëria e viteve ‘90 rendi drejt anëtarësimeve dhe përfshirjes në disa organizata ndërkombëtare.

Por sot, në një bote në kaos, në mungesë të një rendi të qartë botëror, thënë ndryshe, një botë “zero-polare”, është e natyrshme të reflektosh mbi orientimin e politikës sonë të jashtme.

Si kurrë më parë, bota po përjeton një transformim që vjen i imponuar nga rreziqet që burojnë nga globalizimi, urbanizimi i pandalshëm, ndryshimet demografike, flukset migratore, kriza financiare dhe thellimi i pabarazisë ekonomike dhe shoqërore.

Kjo botë e pasigurt, pa rend dhe pa ekuilibra shkakton dilema që prekin të gjitha vendet e botës, të mëdha ose të vogla, të fuqishme ose jo.

Duke pasur parasysh sa më lart, lind pyetja: cilët janë boshtet që orientojnë politikën e jashtme të vendit tonë?

Sigurisht, Shqipëria ndërvepron dhe ka detyrime brenda kornizës euro-atlantike. Por politika jonë e jashtme orientohet pikë së pari nga interesat kombëtare të cilat mbrohen:
1)    Nga vlera dhe parime: që përbëjnë shtratin e vijueshmërisë së politikës sonë.

2)    Nga vullneti transformues: çka nënkupton përkufizimin e objektivave të qarta dhe skicimin e strategjisë përkatëse për arritjen e tyre.

3)    Nga përdorimi dhe krijimi i instrumenteve të veprimit diplomatik – që jetësojnë strategjinë në rezultate konkrete dhe të matshëm.

Pra, duhet filluar gjithnjë nga parimet dhe vlerat e patjetërsueshme ku mbështetet aksioni ynë diplomatik.
Ndërsa rrethanat por edhe pozitat e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë ndryshojnë e përditësohen, vlerat dhe parimet mbeten.

*  *  *

Së pari, dëshiroj të nënvizoj atë që quhet filli i kuq i politikës sonë të jashtme: përcaktueshmëria jonë perëndimore dhe përkushtimi ndaj vlerave euro-atlantike.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për dimensionin e veçantë të marrëdhënies sonë me SHBA-në. Por deri para pak muajsh, ne nuk kishim ende një dokument të mirëfilltë politik që ta strukturonte këtë marrëdhënie.

Këtë pranverë nënshkruam në Washington, Deklaratën e Partneritetit Strategjik, si dhe Planin e Veprimit për ta jetësuar atë gjatë viteve të ardhshme.

Dokumenti i Partneritetit Strategjik përbën formën më të avancuar të bashkëpunimit dypalësh dhe instrumentalizon bashkërendimin në mënyrë kapilare, duke përfshirë:
–    Partneritetin për çështjet globale dhe ato rajonale.
–    Sigurinë: ku bën pjesë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimi në operacionet ndërkombëtare.
–    Forcimin e shtetit të së drejtës.
–    Zhvillimin ekonomik.
–    Sigurinë energjetike.
–    Shkëmbimet arsimore-kulturore.

Në eksperiencën tonë disavjeçare si anëtarë të NATO-s, mund të them se pjesëmarrja në Aleancë e ka transformuar Shqipërinë në një vend që prodhon dhe duhet të rrezatojë stabilitet.

Ndërkohë, procesi i anëtarësimit në BE është një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Evropës së Bashkuar.

Një element thelbësor në këtë drejtim është dhe fakti se gjatë dy viteve të fundit kemi qëndruar konsistentë në linjëzimin 100% të qëndrimeve tona me ato të Bashkimit Evropian.

Marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim përbën aktualisht përparësinë e veprimit tonë politik dhe diplomatik. Reforma në drejtësi dhe sundimi i së drejtës në ekonomi mbeten përcaktuese për arritjen e këtij objektivi.

Procesi i Berlinit, si një proces shpresëdhënës dhe komplementar, ka synuar krijimin e kushteve për një ndërlidhje më të mirë të rajonit dhe kthimin e shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon të vërtetë.

Në këtë proces, Shqipëria ka qenë pararendëse duke bashkërenditur aksionin e saj me atë të Gjermanisë  si një vend që i kushton vëmendje të posaçme rajonit tonë. Për Shqipërinë, Gjermania ka qenë dhe mbetet një partner i fortë dhe një kritik i rreptë.

Së dyti: politika jonë e jashtme është e orientuar nga promovimi i paqes, sigurisë dhe prosperitetit, mbi të gjitha në rajonin tonë.

Me fjalën rajon nënkuptojmë hapësirën imediate (1-1,5 orë fluturim nga Tirana) që kufizohet në veri nga Vjena, në jug nga Athina, në lindje nga Ankaraja dhe në perëndim nga Roma.

Gjithçka që ndodh brenda këtij katërkëndëshi përbën automatikisht një interes të drejtpërdrejtë për ne.
Kjo nuk është thjesht një shtrirje gjeografike por edhe hapësira ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë: pra të kyçur në Ballkan dhe të hapur në Mesdhe.

Marrëdhënia me Italinë mbart një rëndësi strategjike të veçantë, si një promovuese e ambicies evropiane të Shqipërisë dhe përcaktuese për dimensionin mesdhetar të politikës sonë të jashtme.

Me Austrinë, marrëdhëniet e shkëlqyera datojnë që nga gjeneza e themelimit të shtetit të parë Shqiptar, e deri në rolin dinamik aktual të Austrisë në mbarëvajtjen e proceseve integruese të rajonit.

Po ashtu, marrëdhëniet me Greqinë dhe Turqinë kanë një dimension strategjik, si vende anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është thelbësore në Ballkan dhe Mesdhe.

Por, nuk duhet harruar se, rajoni ynë imediat, Ballkani Perëndimor, ndonëse gjeografikisht i pozicionuar në Evropë, përbëhet nga shtete të cilat, teksa përpiqen të largohen nga influencat e Perandorive të rëna të shekullit 19-të, janë ende në përpjekjet e tyre të para të shtet-ndërtimit demokratik.

Besojmë se  “rikthimi në Evropë i Shqipërisë dhe rajonit” kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor.

Paqja që po përjeton sot rajoni, për ne nuk është thjesht pacifizëm, as status-quo, por një proces dinamik ku dialogu i vazhdueshëm dhe pa komplekse rimëkëmb besimin tek vetja dhe tek tjetri.

Për ne, të jesh fqinj i mirë do të thotë të përballesh me sfidat,  duke rënë dakord se fryma evropiane dhe e drejta ndërkombëtare përbëjnë gurëthemelet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Më lejoni këtu të marr shembullin e marrëdhënieve me Greqinë dhe ecurinë e tyre gjatë viteve të fundit. Marrëdhënie të cilat kanë ndjeshmëri të lartë në opinionin publik.

Kur mora detyrën, marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor ishin thuajse të ngrira, të mbizotëruara nga një frymë mosbesimi dhe nga mungesa e kontakteve të nivelit të lartë.

Aktualisht, falë asaj që unë e quaj “politika e hapave të vegjël”, kemi vënë në veprim një aksion diplomatik të përqendruar te arritja e rezultateve konkrete dhe jo te retorikat e ënjtura me pathos nacionalist.

Zgjidhja e çështjes së “Toponimeve” ishte veç fillimi i përpjekjes sonë për të tejkaluar sfida të mbartura nga e kaluara. Gjatë dy viteve të shkuara rifilloi puna e komisioneve dypalëshe, ndërsa Greqia pranoi se Ligji i Luftës krijon një situatë anormale dhe të papranueshme midis fqinjësh.

Qëndrimet tona konsistente kanë treguar se me Greqinë mund të diskutojmë si palë të barabarta për çështje të cilat duhen trajtuar ballazi, pa drojë dhe pa komplekse.

Nuk ka më tema tabu, por vetëm sfida që duhen tejkaluar. Tanimë, kemi hyrë në një fazë të re gjatë së cilës po hartojmë një dokument të ri për të adresuar probleme të mbartura dhe për të çliruar potencialin pozitiv të marrëdhënies sonë.

Qasja pa tabu dhe pa droje, vihet re edhe në ecurinë e marrëdhënieve tona me Serbinë.
Simbolika e vizitave të ndërsjella, është pasuar nga disa hapa normalizues në kuadër të Procesit të Berlinit, ku mund të veçoj nismën për bashkëpunimin rinor sipas modelit franko-gjerman.

Unë jam dhe mbetem realist për sa i përket vështirësive që ka marrëdhënia me Serbinë.
Përtej qëndrimeve mbi çështjen madhore të Kosovës, mendoj se  ajo që e ndan shumë më tepër Shqipërinë nga Serbia, është përcaktueshmëria perëndimore e shqiptarëve dhe identiteti i fragmentarizuar i Serbisë në këtë drejtim.

Së treti, fokusi i politikës sonë të jashtme ka të bëjë me rolin e Shqiptarëve në rajon, si faktor shtet-ndërtues dhe promovues të evropianizimit të rajonit.

Ismail Kadare me të drejtë ka thënë se: “Evropa është gjendja e natyrshme e Shqipërisë. E vetmja.” Dhe për mendimin tim kjo vlen për të gjithë shqiptarët.

Me këtë në mendje, partneriteti strategjik me Kosovën, i institucionalizuar në mbledhjen e Prizrenit më 11 janar 2014, është një instrument themeltar, që synon të jetësojë kursin evropian të faktorit shqiptar në rajon.

Angazhimi ynë karshi Kosovës në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtarë mbetet një konstante e politikës sonë të jashtme.

Falë aksionit diplomatik të Shqipërisë,  anëtarësimi i Kosovës në platformat më të qenësishme rajonale, i ka dhënë kuptimin e vërtetë  bashkëpunimit rajonal. Ndërsa nënshkrimi i MSA me BE-në shenjon ankorimin e Kosovës në rrjedhat evropiane.

Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe ne do të vijojmë ta mbështesim në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjike, pasi besojmë se paqja arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe përfshirjes dhe jo nëpërmjet izolimit.

Një tjetër konstante e aksionit tonë diplomatik në rajon është promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës.

Ne synojmë që nëpërmjet proceseve integruese, Shqiptarët e rajonit të gëzojnë të gjitha instrumentet që jo vetëm të mbrojnë të drejtat e fituara me mund, por edhe të jenë pjesë e proceseve politike me të drejta të barabarta.

Historikisht, Shqiptarët në rajon kanë dëshmuar se janë përçues të vlerave universale të tolerancës dhe vëllazërisë ndërfetare.

Ndaj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku jemi anëtarësuar për herë të parë vitin e kaluar, jemi angazhuar në nxitjen e modeleve më të përparuara të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke ndarë përvojën tonë rrezatuese.

Këto përpjekje u reflektuan edhe në axhendën tonë gjatë punimeve në OKB, falë bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, Jordaninë dhe Aleancën e Qytetërimeve.

* * *

Sa më lart, u mundova të prezantoj disa prej boshteve kryesore që orientojnë politikën tonë të jashtme: integrimi evropian, partneriteti transatlantik, fqinjësia e mirë shoqëruar me një projektim më efikas të Shqipërisë në rajonin Adriatiko-Jonian dhe ndërveprueshmëri më e madhe në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Por natyrisht, si në çdo sipërmarrje ka një element pa të cilin nuk mund të arrihet asgjë: është elementi njerëzor, diplomati dhe mënyra se si ai adaptohet me sfidat e kohës.

Me këtë nënkuptoj që fusha të cilat deri dje ishin të paimagjinueshme, sot janë pjesë e punës së përditshme të një diplomati modern.

Terma të tillë si diplomacia energjetike, diplomacia publike dhe digjitale, janë shembuj që tregojnë jo vetëm zgjerimin e fushës së diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por  edhe numrin e madh të aktorëve që janë të përfshirë.

Siç e kam përmendur edhe përpara trupit diplomatik shqiptar, sot diplomatët nuk e kanë më ekskluzivitetin e diplomacisë. Në këtë kuptim, edhe ju, studentë dhe analistë, jeni diplomatë të Shqipërisë.

E ritheksoj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për diplomatë profesionistë dhe vetëveprues. Sepse të jesh diplomat nuk është thjesht një zanat, por është mbi të gjitha një mënyrë jetese, ku aftësia për t’i bërë ballë situatave të pa-parashikuara është një nga cilësitë kryesore të një diplomati të suksesshëm.

Ju faleminderit!