Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

 

I uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve: diplomatëve të rinj, familjarëve të tyre, dhe të ftuarit tonë të nderit, zotit Pëllumb Xhufi, i cili ka pranuar të jetë “mentor” i gjeneratës 2015 që betohet sot.

Kjo ceremoni është e para që organizohet në këtë institucion në 25 vjet dhe uroj që të shndërrohet në traditë, sikundër ka qenë në zanafillën e këtij institucioni.

Ky moment solemn, lidhet me një prej parimeve kryesore mbi të cilin duhet të funksionojë shërbimi i jashtëm, atë të meritokracisë.

Të dashur diplomatë,

Duhet të jeni krenarë që jeni pjesë e trupës së shërbimit të jashtëm shqiptar, i cili mbart me vete peshën historike 103-vjeçare të Shqipërisë.

Të shumtë kanë qenë ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre. Historitë, vuajtjet e sakrificat e tyre mund të përshkruajnë fare mirë historinë e popullit tonë ndër vite.

Dëshiroj të nënvizoj fjalën “shërbim”, sepse është në fakt thelbi i misionit tonë. Një mision i përbërë nga ndjenja e devotshmërisë, disiplinës dhe përkushtimit.

Jetojmë në një botë të ndërlidhur dhe të ndërvarur, në të cilën nuk ka aspekt të jetës së brendshme të vendit që të mos preket nga zhvillimet e jashtme.

Krahas rritjes së diapazonit të marrëdhënieve me jashtë, është rritur dhe numri i aktorëve që veprojnë në këtë fushë. Sikundër jam shprehur dhe më parë, sot diplomati nuk e ka më ekskluzivitetin e diplomacisë.  Prandaj, vendit tonë i nevojitet një trupë me diplomatë të aftë profesionalisht, të përgjegjshëm dhe vetëveprues. Nuk mund të ketë vendimmarrje të mirë politike pa patur një punë përgatitore të bazuar mbi premisa të shëndosha. Dhe këtu roli i diplomatit është thelbësor.

Të jesh diplomat nuk është thjesht një profesion, por është mënyrë jetese.

Perfeksioni nuk është domosdoshmërisht një karakteristikë e zakonshme e njeriut. Nuk do të jenë të rralla rastet kur nuk do të keni sukses në përpjekjet tuaja si diplomatë. Do të bëni gabime në analiza, ashtu sikundër do të ketë politikanë që do të bëjnë gabime në gjykimin e analizave tuaja.

Të synosh perfeksionin është e zakonshme; ta arrish atë, ndonjëherë, është e rrallë. Por mos e humbni kurajën.

Ju uroj suksese!

Falemnderit!