Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmbrëma të gjithëve,

Të dashura motra dhe nëna,

E dashur Mimi,

Të nderuar të pranishëm,

 

Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar në të njëjtën kohë që më jepet mundësia për të qenë sot këtu me ju dhe si fillim do të doja t’ju falënderoja dhe t’ju kërkoja një duartrokitje për mendimet shumë të vlefshme dhe për kontributin shumë të vyer që dhanë sot në panel Paskualina, Lumturia, Valdeti, Mirela, Shpresa dhe Liljana.

Kur po vija këtu, mendova gjatë se për çfarë do të flisja dhe në fakt isha pak në vështirësi. Më në vështirësi se herët e tjera sepse duhet që të flisja me fjalë të zakonshme për vajza dhe për gra të jashtëzakonshme. Sepse secila këtu tregoi një histori të vogël nga jeta e saj, por që jam shumë i bindur që në qoftë se do të kishim më shumë kohë dhe do ta kalonim mikrofonin në sallë, këto histori njerëzore do të shumëfishoheshin.

E pra, roli juaj në fakt është si roli i regjizorit pas kuintave apo pas perdeve, siç thonë zakonisht në Shkodër. Gjithnjë të pranishme, ndonëse shpeshherë të padukshme. Por mendoj se puna që ju bëni si nëna, motra, bashkëshorte, edukatore, jo me profesion por me vokacion, për nga natyra, është një punë e jashtëzakonshme që bëhet nga gra e vajza të zakonshme.

Nga të gjitha qytetet, (sepse u thanë shumë fjalë këtu në fakt për Shkodrën),  Shkodra e bën dallimin në raport me të tjerat sepse ka në themelin e saj legjendën e një gruaje, atë të Rozafës. Është falë sakrificës së saj që kalaja e Shkodrës qëndron edhe sot e kësaj dite si pjesë e identitetit tonë jo thjesht në Shkodër, por në fakt të identitetit kombëtar. Si të thuash që e gjithë zanafilla e këtij qyteti qëndron tek gruaja. Nuk është e rastit që shumë prej personaliteteve gra, më të nderuara shqiptare, kanë dalë pikërisht nga kjo tokë, nga ky truall.

Shkodra, e kam thënë disa herë, me identitet të spikatura, një nga portat kryesore në fakt të Europës Adriatike, vijoj të jetë edhe sot një qytet me komunitet vibrant, duke dhënë një kontribut unikal në të gjithë kulturën e vendit tonë.

Kontributi për kulturën nuk do të ishte i plotë në rast se nuk përmendim kontributin e grave fisnike shkodrane. Të atyre motrave e nënave që me shembullin e jetës së tyre krijuan figura të cilat kanë mbetur të pashlyera në kujtesën tonë. Marie Logoreci, Tringe Smajli, Marie Shllaku, Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Marie Kraja, Paskualina Gruda, Justina Aliaj, Lucie Miloti dhe Naile Hoxha, janë vetëm disa nga dafinat e kurorës që e bën Shkodrën me fisnike dhe kulturën shqiptare në fakt, më të përmbushur.

Personalitete të tilla, veprën e të cilave shumëkush e merr si të mirëqenë, janë përballur me sfida të paimagjinueshme që i tejkalonin caqet e një mentaliteti të vjetëruar patriarkal. Ato nëna e motra kanë qenë luftëtare në vijën e parë të sulmit, jo thjesht për të drejtat e grave, por për të drejtat e njeriut. Sepse të luftosh për të drejtat e grave, do të thotë të luftosh për të drejtat e njeriut.

8 Marsi nisi në 1909-ën, si një protestë e grave, e heroinave të heshtura të të gjithë historisë së njerëzimit, ato që deri dje janë fshehur pas çdo burri gjeni. Vetëm pas 68 vitesh, në 1977-ën, Kombet e Bashkuara e shpallën 8 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pra, përpjekjet janë lehtësisht të imagjinueshme.

8 Marsi, në fakt nuk është thjesht Dita Ndërkombëtare e Gruas, ajo është kujtesë dhe thirrje që mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të grave do të thotë kontribut i drejtpërdrejtë për një shoqëri me më shumë barazi dhe me më shumë drejtësi. Nuk mund të ketë një familje të shëndoshë e të lumtur nëse nëna lëndon. Mjaft të kujtojmë këtë për t’u bërë sado pak të ndërgjegjshëm që lufta për të drejtat e nënave e motrave, nuk duhet të jetë vetëm lufta e tyre, prandaj do ta mirëkuptoni dhe prezencën tonë sot këtu.

Përpjekjet titanike të grave fisnike shkodrane, si Nebie Çobaj që unë takova pak më parë dhe vizitova punishten e saj në Zogaj, do të shkonin dëm, nëse gjenerata e re nuk e merr stafetën. Pavarësisht përpjekjeve, përparimeve në lidhje me  të drejtat e fituara, gjatë njëqind viteve të fundit, gratë dhe vajzat sot përballen me sfida të mëdha.

Para pak kohësh një shoqja ime më thoshte se paragjykimet ndaj grave janë ende aq të forta sa po të jesh grua e të mos martohesh të quajnë si e ngelur e prindërve në derë.

Po të jesh e martuar por pa fëmijë, atëherë të quajnë egoiste. Nëse je e martuar dhe ke fëmijë, por punon jashtë shtëpisë, je karrieriste.  I bie të jetë rasti i bashkëshortes time.

Nëse je e martuar ke fëmijë por rri në shtëpi, atëherë ke çuar dëm shkollimin tënd.
E pra sot nuk është e lehtë të jesh grua.

Sidomos në Shqipëri, ku historia e gruas shqiptare fatkeqësisht, ka qenë shënuar si çmimi i librit, te faqja e fundit.

Regjimi komunist e përdori gruan vetëm si armë politike dhe shpesh si krah pune. Ndërsa ajo që pasoi, tranzicioni kronik dhe i pafund, e polarizoi pozitën e gruas duke bërë që edhe ato pak përmirësime të shembeshin herë në emër të së ardhmes, e herë në emër të së shkuarës.

Në gjithë këtë, shpesh harrojmë se jemi shqiptarë.

Më lejoni t’ju tregoj një kuriozitet të shkurtër gjuhësor. Fjala ‘motër’ në shqip vjen nga një rrënjë e vjetër indo-evropiane që do të thotë nënë, (në anglisht është mother). Gjuhëtarët thonë se kjo prejardhje tregon, ndër të tjera, se sa e rëndësishme është motra si figurë për kulturën tonë. Aq shpesh sa ajo barazohej me vetë nënën. E tregoj këtë për të thënë se në rrënjët tona, që mbase ne shpesh bëjmë sikur i harrojmë, gjendet respekti midis burrit dhe gruas. Respekti ndaj gruas, qoftë kjo nënë, motër, bashkëshorte apo shoqe, është një karakteristikë që e ka dalluar shqiptarin e vërtetë brez pas brezi. Ndaj dhe ja vlen ndonjëherë të kthejmë kokën pas e të mësojmë nga të parët tanë.

Sot, gruaja shqiptare ndonëse është larg asaj që ajo meriton, ka një hapësirë më të madhe për t’u shprehur dhe realizuar. Gratë sot janë aktive në të gjitha fushat e jetës në shkencë, arsim, sipërmarrje, politikë, sport,  art. Fakti që unë kam nderin të jem në prani të Mimit, ministres së parë të Mbrojtjes së Shtetit Shqiptar, ka gjithashtu domethënien e vetë. Por nga ana tjetër, shumë gjëra mund të jenë më vështirë se më parë.

Sot njeriu e ka të drejtën e zgjedhjes, gjenerata e re ka të drejtë të zgjedhë jetën dhe kjo nuk është pak.

Por pavarësisht jetës që zgjedhim apo zgjidhni, mbi të gjitha duhet të zgjidhni që të bëheni heroina të jetës tuaj dhe jo viktima të saj, siç e ka thënë me të drejtë eseistja amerikane, Nora Ephron.

Dhe me këtë citim, unë dëshiroj ta mbyll këtë përshëndetje timen duke ju falënderuar dhe njëherë tjetër të gjithave që jeni sot këtu dhe si bir nëne, vëlla motre, burrë gruaje dhe babë vajze dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë.