Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Ndjehem shumë i lumtur sot pranë jush dhe dëshiroj të falënderoj ELIAMEP për ftesën e këndshme dhe që më mundësoi të takohem me disa miq të mirë dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri.

Kam kënaqësinë për mundësinë që më jepet të ndaj me ju disa mendime mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në kontekstin aktual, gjeopolitik, si dhe përse duhet të mos i humbim mundësitë që na paraqiten.

Të gjithë e dimë se si vendet i lidh ngushtë gjeografia, historia dhe kultura. Nuk është nevoja t’ju them se sa të vjetër janë shqiptarët dhe grekët në këtë kënd të Evropës.

Ndaj, nuk do të ndalem të flas se tepërmi për kolonitë greke në brigjet ilire, as për kolonitë shqiptare në Greqinë e Mesjetës, apo për rolin vendimtar të Arvanitasve gjatë luftës së Greqisë për pavarësi dhe pjesëmarrjen e tyre në përpjekjet e shtet-ndërtimit të Greqisë së shekullit XIX.

Dëshiroj mirëkuptimin tuaj për t’i thënë gjërat hapur: në Shqipëri ekziston një perceptim i përgjithshëm se Greqia e ka pasur të vështirë të mirëprese krijimin e shtetit të modern shqiptar, ndërsa perceptimi i përgjithshëm në Greqi është se shqiptarët, kanë agjendën e fshehtë të zvogëlimit të influencës së  Greqisë në rajon.

Vizita ime në Athinë dhe diskutimi ynë këtu janë përpjekje për t’i ndryshuar këto perceptime hap pas hapi.

Me pak fjalë, marrëdhëniet tona karakterizohen ende nga një mungesë e konsiderueshme besimi. Kjo sigurisht e ka një shpjegim: shekulli XX nuk ka qenë shumë bujar, duke prodhuar një varg të gjatë ngjarjesh të dhimbshme dhe emocionesh të forta.

Nga këndvështrimi i Shqipërisë mund të evidentojmë dëbimin tragjik dhe të dhunshëm të çamëve pas Luftës së Dytë Botërore; Ligjin absurd të Luftës, i cili sot është ende në fuqi, bashkë me efektet e tij; retorikën e ashpër gjatë regjimit komunist; dhe së fundmi, lëvizjet migratore që kanë përcaktuar ndërveprimin tonë shoqëror dhe ekonomik gjatë 25 viteve të fundit.

Fundi i Luftës së Ftohtë hapi një kapitull të ri: ndërkohë që Shqipëria po dilte nga izolimi dhe rilidhej me fqinjët e saj, Greqia gjeti mundësinë për të ndihmuar në ndërtimin e të ardhmes së rajonit.

Megjithatë, pavarësisht mundësive, rrugës me ulje e ngritje ku kemi kaluar, 25 vitet e fundit karakterizohen nga një përzierje e çuditshme e hapave para dhe hapave pas.

Të dashur miq,

Kur mora detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme, në shtator të vitit 2013, marrëdhëniet tona dypalëshe ishin thuajse të ngrira, të karakterizuara nga një mosbesim i konsiderueshëm dhe mungesë e kontakteve të nivelit të lartë.

Më duhet të pranoj faktin se marrëdhëniet me Greqinë zënë një vend të veçantë në punën time të përditshme. E njëjta gjë vlen edhe për kolegun tim Nikos Kotzias.

Gjatë këtyre dy vjet e gjysmë mundëm të vëmë në lëvizje përsëri trenin, në saje të asaj që e kemi cilësuar si “politika e hapave të vegjël”, duke u fokusuar në arritjen e rezultateve konkrete.

Mënyra se si e zgjidhëm çështjen e “Toponimeve” është shembull i punës konkrete se si mund të kapërcehen sfidat e trashëguara nga e kaluara.

Gjithashtu, disa komisione të përbashkëta kanë rifilluar punën dhe të dyja palët janë dakord se nevojitet një progres i shpejtë dhe thelbësor. Kjo është edhe arsyeja pse gjendem këtu sot.

Partnerët mund të mos jenë dakord me njëri-tjetrin, por është gjithnjë e domosdoshme të punojnë. Nuk ka tabu midis nesh; vetëm çështje dhe sfida. Për t’i kapërcyer ato, kemi nevojë për mekanizma që rrisin besimin dhe krijojnë potencial pozitiv në marrëdhëniet tona.

Kjo kërkon qartësi strategjike, vullnet politik dhe një qëndrim që sheh drejt së ardhmes: ky është mesazhi kryesor që unë i përcolla të gjithë kolegëve të mi grekë gjatë kësaj vizite.
Greqia është pjesë e katërkëndëshit strategjik të Shqipërisë në rajon së bashku me Italinë, Austrinë dhe Turqinë.

Ne kemi një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi në fuqi që nga vitet ’90, por kuadri ligjor dypalësh nuk i ka prodhuar rezultatet e pritura pozitive.

Traktati nuk reflekton disa të vërteta të mëdha që kanë ndodhur sidomos kohët e fundit: në veçanti, fakti se që nga viti 2009 Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që nga 2014 një vend kandidat i BE-së.

Për më tepër, ne kemi një listë mosmarrëveshjesh të cilat nuk kemi qenë ende në gjendje t’i zgjidhim. Unë do t’i ndaj ato në tri shporta të ndryshme:

Në shportën e parë: çështjet e trashëguara nga e kaluara:
·         Këtu gjendet çështja më e çuditshme në marrëdhëniet tona, “çështja e ligjit të luftës”;
·         Gjendet gjithashtu edhe çështja e pronave të sekuestruara të qytetarëve shqiptarë në Greqi gjatë           dhe pas Luftës së Dytë Botërore;
·         Gjithashtu, çështja e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre;

Në shportën e dytë:
·      çështjet e së tashmes, që kanë një impakt mbi jetën e përditshme, ku përfshihet puna e                        komisioneve të përbashkëta dypalëshe, si dhe çështjet konsullore;

Në shportën e tretë:
·      çështjet që kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen. Delimitimi i Shelfit Kontinental dhe Zonës     Ekskluzive Ekonomike është sigurisht një çështje kyçe. Por, nuk duhet të harrojmë nxitjen e                 marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin për sigurinë energjetike.

Kam dëgjuar disa herë, duke përfshirë edhe në nivelet më të larta në Athinë, se nuk ka gjendje lufte midis dy vendeve.  Sipas këtij argumenti gjendja e luftës nuk ekziston më, ose siç shprehen disa kolegë, ajo është «një relike» e të shkuarës. Megjithatë, kjo relike është ende prezente.

Deri më sot Dekreti Mbretëror i 10 nëntorit 1940, i cili vendosi gjendjen e luftës me Shqipërinë nuk është shfuqizuar. Çuditërisht, një dekret i ngjashëm me Italinë është shfuqizuar nga Greqia disa vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

E pra, nuk mund të jemi miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Kjo situatë është joproduktive, qesharake dhe ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme.

Në qoftë se duam të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, Dekreti Mbretëror i 1940-s duhet të shfuqizohet bashkë me efektet e tij. Para se të mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme së bashku, duhet së pari t’i japim fund Luftës së Dytë Botërore.

Një vendim i tillë do të gjeneronte energji pozitive politike dhe do të ndihmonte në transformimin e rëndësisë strategjike të marrëdhënieve tona në një partneritet të vërtetë të rëndësishëm strategjik. Ky nuk është veçse sens praktik dhe realizëm politik.

Zonja dhe zotërinj,

Çdo bisedë që ka të bëjë me marrëdhëniet tona dypalëshe do të ishte e paplotë në qoftë se nuk analizojmë situatën në rajon, kontekstin gjeo-ekonomik të Evropës, krizën e refugjatëve dhe efektet e saj gjeneruese.

Në fakt gjatë vitit të kaluar kemi qenë dëshmitarë të:
·         rritjes së shqetësimeve legjitime të lidhjes mes terrorizmit dhe migrimit;
·         rritjes së stereotipeve negative jo aq legjitime;
·         rritjes së ekstremeve politike në të gjithë Evropën;
·         rritjes së mosbesimit mes fqinjëve dhe aleatëve.

E gjithë kjo në kurriz të bashkëpunimit ndërkufitar dhe të një përgjigjeje të unifikuar evropiane.

Gjatë vitit të kaluar, kemi qenë në një udhëkryq: nga njëra, vlerat e lirisë dhe solidaritetit, dhe nga ana tjetër, shumëfishimi i politikave gjithnjë e më pak liberale që kanë mjegulluar debatin politik në të gjithë kontinentin.

Shqetësimi im është se çështjet e përmendura më sipër kanë ndihmuar në uljen e vëmendjes mbi zgjerimin e BE-së si një çështje e dorës së dytë, ndërkohë që të gjithë po e ndjejnë në këtë moment nxehtësinë e debatit të BE-së në lidhje me rivendosjen e kufijve dhe fundin e Shengenit.

Edhe pse Evropa po përballet me një test të stresit politik, Shqipëria dhe Greqia duhet të kuptojnë mundësitë që i paraqiten.

Gjatë viteve të fundit, Greqia ka kaluar nëpër sfida serioze ekonomike dhe financiare.
Këto kanë pasur një ndikim në rajon, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Një rimëkëmbje e suksesshme dhe e qëndrueshme është e rëndësishme, jo vetëm për vetë Greqinë, por edhe për fqinjët e saj.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, Greqia është prekur rëndë nga kriza e paprecedentë e migrimit. Ajo nuk mund të lihet vetëm, sepse ky nuk është një problem Grek dhe për të cilin nuk mund të ketë një zgjidhje Greke.

Marrëveshja e fundit BE-Turqi është një përpjekje serioze për t’iu përgjigjur tundimit për të dhënë përgjigje kombëtare për një problem pan-evropian.

Unë dëshiroj të ritheksoj se Shqipëria është e gatshme të jetë pjesë e një përgjigje të bashkërenduar evropiane, në përputhje me mjetet dhe kapacitetet tona.

Zonja dhe Zotërinj,

Edhe në qoftë se Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë zgjidhur të gjitha dallimet mes tyre, mund të jemi të sigurt për një gjë: vendet tona janë të lidhura nga prania e komunitetit të madh shqiptar në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri.

Kriza ekonomike greke e kohëve të fundit ka goditur gjithashtu rëndë edhe komunitetin shqiptar në Greqi, duke nxitur një valë të kthimit në Shqipëri, e cila çoi në rritjen e krahut të punës në vend me pothuajse 5% nga viti 2011 në 2014.

Në një studim të kohëve të fundit, studiues të Harvardit, tregojnë se si ky migrim i kthimit ka ndikuar pozitivisht në mundësitë e punësimit dhe të ardhurat në Shqipëri.

Fitimet e punësimit janë të përqendruara në sektorin e bujqësisë, ku shumica emigrantëve të kthyer kanë gjetur mundësitë e vetë-punësimit dhe krijimit të fermave të tyre.

Studimi evidenton gjithashtu se bizneset e drejtuara nga emigrantët e kthyer i kanë orientuar shqiptarët nga vetëpunësimi dhe bujqësia drejt punësimit formal dhe bujqësisë prodhuese dhe eksportuese.

Një tjetër studim do të ishte i nevojshëm për mijëra qytetarë grekë që zgjedhin të jetojnë, punojnë dhe të investojnë në Shqipëri.

Ju e kuptoni atë çka dua të them: ky është realiteti i ndërvarësisë sonë sociale dhe ekonomike. Kësisoj, politikat tona dypalëshe duhet të jetë të orientuara drejt kësaj ndërvarësie.
Në këto kohë krize mund të ketë kuptim rikthimi në politikat e brendshme.

Ndërsa po lexoja “Librin e Bardhë” të ELIAMEP për Politikën e Jashtme të Greqisë, nuk mund të mos më bënte përshtypje fakti se ekspertët kanë propozuar pikërisht këtë: strategji të brendshme mbrojtëse për Greqinë. Më falni, por nuk mund të pajtohem.

Më kujtohet shumë mirë Samiti i Selanikut i vitit 2003. Greqia kishte një vizion për rajonin, një rajon të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.

Kjo nuk është koha për të hezituar e as për t’u tkurrur.

Unë jam sigurisht i lumtur që takimet e mia në Athinë kanë konfirmuar se për Greqinë, Shqipëria nuk është vetëm një fqinj. Ajo është një partner strategjik.

Gjatë viteve të fundit përpjekjet shtet-ndërtuese të Shqipërisë e kanë bërë më energjik rolin e saj në rajon. Gjithashtu, avancimi i reformave të lidhura me BE-në na kanë orientuar drejt një qartësie strategjike dhe linjëzimi të plotë të politikës së jashtme me atë të BE-së.

Tani është e rëndësishme që Greqia të njohë përparimin e bërë nga rajoni përmes një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm të stabilizimit dhe konsolidimit të paqes.

Ne kemi arritur të krijojnë një rrjet të dendur të nismave rajonale që na kanë afruar gjithnjë e më shumë së bashku. Aktualisht po përpiqemi të ndërtojmë një rajon të vërtetë, në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë. “Procesi i Berlinit”, i lancuar nga Kancelaria Merkel dy vjet më parë, po vepron si një lehtësues drejt arritjes së këtij qëllimi.

Edhe pse Evropa nuk po jeton ditët e saj më të arta, shto këtu edhe efektet e krizës së migrimit, Greqia duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të rajonit drejt BE-së, dhe duhet t’i bashkohet realitetit të ri në rajonin tonë.

Kosova është një pjesë e plotë e saj. Me njohjen e Kosovës, Greqia nuk do të mbajë ndonjë anë, por do të përmbushë atë që politika e jashtme greke është përpjekur të arrijë në rajon që nga viti 2003: një kontribut thelbësor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin.

Jam i bindur se ekzistojnë të gjitha kushtet për të dalë nga “diplomacia e barrikadave”, ku ka vetëm humbës e fitues, të cilën, për fat të keq, ekspertë, gazetarë madje edhe politikanë me përvojë, e nxisin në të dy anët e kufirit. Ne realisht kemi interesa të ndërthurura dhe ekonomi të ndërvarur.

Kriza e refugjatëve dhe lufta jonë e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ka bërë që Ballkani Perëndimor dhe BE-ja të përjetojnë ndërvarësi të drejtpërdrejtë.

Është shumë e rëndësishme të përkthejmë këtë ndërvarësi në një “bashkëpunim të përforcuar” me Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar përfundimin me sukses të ushtrimit të shtet-ndërtimit demokratik.

Shqipëria dhe Greqia mund të tregojnë rrugën.

Ju faleminderit!