Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sekretari Blinken,

Të dashur kolegë,

Të nderuar të ftuar,

Më lejoni së pari, të falenderoj sekretarin Blinken dhe kolegët tanë amerikanë për organizimin e këtij takimi. Gjithashtu, më lejoni të shpreh pa hezitim se Shqiperia mbështet thirrjen për veprim global për sigurinë ushqimore dhe do të bëj më të mirën e saj për të përshpejtuar të gjitha veprimet e parashikuara në këtë thirrje.

Kjo iniciativë eshte ndërmarrë në kohën e duhur sepse kjo është një situatë e rëndë që po përshkallëzohet në krizë para syve tanë.  Më shumë njerëz janë në rrezik, më shumë njerëz po bien në varfëri dhe ajo që është po aq shqetësuese për krizën paraqet një kërcënim serioz për stabilitetin dhe paqen e shumë vendeve dhe rajoneve.  Nga Afrika në Azi, nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Amerikën e Veriut, e gjithë bota po i ndjen pasojat.

Në këtë situatë të vështirë, dua të nënvizoj edhe një herë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për OKB-në si një aktor kyç në adresimin e krizës.

Ne përshëndesim gjithashtu përpjekjet e palodhshme të Sekretarit të Përgjithshëm për të tërhequr vëmendjen ndaj kësaj çështjeje dhe për të mobilizuar mbështetjen e të gjithë aktorëve për ta trajtuar atë.  Thirrja për Veprim do t’i forcojë këto përpjekje.

Ka shumë arsye për këtë situatë të përkeqësuar, por ajo që padyshim ka pasur një ndikim të rëndësishëm që ka të ngjarë të përshkallëzohet me kalimin e kohës është lufta në Ukrainë.

Një nga prodhuesit më të rëndësishëm të drithërave dhe vajit vegjetal është hequr nga zinxhiri i prodhimit ushqimor.  Me të gjitha llogaritë, ka sasi të mëdha ushqimi të ruajtura në kapanone në Ukrainë, por ai ushqim nuk mund të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të për shkak të luftës.

Kjo që po ndodh, nuk është një rastësi. Po e rithekso atë që u thatë taimë që është e qartë se Rusia ka veshur me petkun e luftës ushqimin, ashtu siç ka militarizuar energjinë, refugjatët dhe vuajtjet njerëzore.

Sfida këtu është së si të gjejmë një mënyrë për ta shpërndarë atë ushqim në botë, pasi mund të bënim një ndryshim domethënës.

Prandaj do të kërkoja nga të gjithë kolegët e mbledhur këtu, por kjo është një thirrje që u drejtohet të gjithë anëtarëve të OKB-së, që të punojmë së bashku për të gjetur një zgjidhje. Për ta bërë të qartë se kjo është diçka që duhet të ndodhë dhe se Rusia duhet ta dijë se bota është e bashkuar në kërkesën e saj.

Kjo është një kauzë që mund të bashkojë çdo vend në botë, edhe ata që nuk shihen në sy për çështje të tjera, sepse në rrezik është shëndeti, mirëqenia dhe jeta e miliona qenieve njerëzore. Bota duhet ta bëjë të qartë se nuk do të rrijë duarkryq, teksa mbahen peng të varfërit dhe të uriturit e botës, për hir të ambicieve politike.