Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nëse ka një projektbuxhet që është ndikuar nga politika e jashtme, ky është padyshim projekti i vitit 2023. Sepse ky është një projektbuxhet i hartuar nën hijen e luftës në Ukrainë dhe të pasojave të saj në të gjithë botën. Edhe për Shqipërinë sigurisht, por veçanërisht për vendet demokratike krahas të cilave është rreshtuar edhe Shqipëria.

E gjeta shumë të çuditshme kur dëgjova sot gjatë diskutimeve disa kolegë të opozitës që zgjodhën të flisnin në këtë seancë ku diskutohet projekt buxheti për politikën e jashtme. Por ama duke bërë të paditurit për pasojat e luftës dhe për atë që lufta ka shkaktuar tek ekonomia dhe financat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ashtu si dhe në ekonominë dhe financat e vendeve evropiane krahas të cilave ne jemi rreshtuar. Në vend që të flasim për atë që është situata më e rëndësishme gjeopolitike me të cilën po përballemi njëri syresh këtu zgjodhi të sulmonte partnerët strategjikë. Po ata partnerë si Turqia që na u gjendën me bujari në momentet më të vështira të tërmetit edhe të pandemisë, me bujari në ditën tonë më të keqe. Atëherë kur kishim më shumë nevojë. Disa zgjodhën që të nxinin pikërisht ato elemente të politikës së jashtme të Shqipërisë që sot na i vlerësojnë të gjithë partnerët dhe aleatët.

Siç janë roli proaktiv në rajon në funksion të bashkëpunimit dhe ndërtimit të urave të komunikimit edhe përmes nismave si Procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur që ka për qëllim as më shumë e as më pak por vetëm zbatimin në praktikë të procesit të Berlinit. Dhe është realisht një situatë hip se të vrava, zbrit se të vrava kur po kjo opozitë që një ditë vë kujën pse nuk po flasim për Kosovën dhe në momentin që kryeministri flet për Kosovën dhe për Shqipërinë në Këshillin e Evropës kundër një njolle të turpshme që i është vënë jo vetëm UÇK-së por gjithë shqiptarëve nga rezoluta e Dik Martin, hidhen përpjetë duke akuzuar se po turpëron shqiptarët dhe po mbështet Serbinë. Siç bënë këtu disa syresh edhe sot teksa diskutonin buxhetin. Kjo është realisht e pakuptueshme.

Ndoshta ka kuptim se kanë hall që e kanë votuar vetë atë rezolutë atëherë. Është të vesh duart në kokë kur vendi ynë si kurrë më parë respektohet dhe lëvdohet për politikën e tij të jashtme nga BE dhe ju ftoj të lexoni progres-raportin, nga Shba nga NATO dhe nga mbarë rajoni, por sulmohet nga opozita. Nuk është për tu çuditur që sulmohet nga opozita për aq kohë sa lëvdohet nga BE dhe nga ShBA se opozita me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka mbyllur hesapet si non grata.

Tani sigurisht që diskutimi mbi projektbuxhetin është gjithmonë një moment që meriton një vëmendje të veçantë sepse nga ky dokument e llogaritë mbi të cilat ndërtohet ai, varet pastaj mbarëvajtja e qeverisjes, punës, reformave e projekteve që ndikojnë në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Por e vërteta është që prej fund vitit 2019, projektbuxhetet që ka hartuar kjo qeveri e kjo shumicë, nuk kanë qenë projektbuxhetet e një qeverisje në kushte normale, por instrumente me të cilat kësaj qeverie i është dashur të përballojë krizat e njëpasnjëshme me të cilat është përballur vendi, duke filluar me tërmetet e vitit 2019, me krizën e stërzgjatur të pandemisë Covid 19 dhe pasojat e saj tek çdo aspekt i jetës normale, e për të ardhur tek aktualiteti, me pasojat e rënda të luftës në Ukrainë që sot po i vuan e tërë bota dhe sigurisht edhe Shqipëria me mbarë botën.

Besoj që është dëshmia më e qartë e efikasitetit që ka pasur ky instrument që Shqipëria dhe shqiptarët pavarësisht vështirësive e sfidave jo të lehta me të cilat janë përballur, nuk kanë përjetuar krizat dramatike që kanë përjetuar gjatë këtyre viteve edhe vende me resurse shumë herë më të shëndosha se ne. Është dëshmi e menaxhimit të menaxhimit të kujdesshëm dhe me nikoqirllëk do të thosha, të resurseve financiare e të taksave të shqiptarëve, për t’i bërë ballë krizës e për të qenë të përgatitur për më të keqen që mund të na rezervojë e ardhmja, duke i rezistuar me shumë durim e shumë këmbëngulje tundimit të këngës së sirenave të populizmit që e ka kënduar e vazhdon ta këndojë pa pushim një pjesë e opozitës e cila duket sikur jeton jashtë kësaj bote e jashtë kohe në etjen e vet për pushtet.

Është dëshmi po ashtu, e maturisë me të cilën janë përballur shqiptarët me këto sfida të njëpasnjëshme, duke e kuptuar qartë e saktë seriozitetin e situatës, duke e kuptuar qartë e saktë thirrjen e Kryeministrit që në situatën me të cilën përballeshim nevojitet kujdes, shumë kujdes madje, pasi askush nuk e dinte sesa do të zgjaste kriza, e çfarë do të vinte pas krizës së parë. Çka në fakt , doli që ishte një paralajmërim me shumë vend, pasi asokohe askujt nuk ia merrte mendja që lufta me Covidin do të zgjaste 2 vjet e që pa dalë akoma nga skena Covidi bota do të përballej me krizën e rëndë që ka shkaktuar agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë.

Projektbuxheti i vitit 2023 është ndërtuar mbi të njëjtën logjikë, të një buxheti për një kohë lufte. Nuk është për t’u çuditur aspak që edhe këtë herë, ashtu si në rastin e projektbuxheteve 2020, 2021 e 2022 nga opozita dëgjojmë po të njëjtin avaz, madje me tone edhe më alarmuese e më të çjerra se zakonisht. Të duket sikur opozita nuk e di gjë as për tërmetet, as për Covidin, e as për luftën me të cilën po përballet Ukraina dhe bashkë me Ukrainën Evropa dhe mbarë Bota.

Si një nga vendet e rreshtuara me mbështetje të plotë popullore në radhët e aleancës demokratike perëndimore në mbështetje të Ukrainës, vendi ynë po vuan ashtu si të gjithë aleatët pasojat e një situate që nuk është aspak e rastësishme, por produkt i një strategjie ruse për të shantazhuar botën demokratike përmes shndërrimit të ushqimit, energjisë dhe lëndëve të para në armë lufte. Po po në armë lufte, për të shkaktuar pakënaqësi popullore e tensione politike në vendet e aleancës demokratike që ka përballë, dhe për të demotivuar kësisoj qeveritë e klasat politike të vendeve të BE dhe NATO që të ulin mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Është pra një shantazh për të detyruar botën demokratike të braktisë Ukrainën në mëshirën e Rusisë. Dhe logjika, morali, interesi kombëtar ta do që në një përballje të tillë, ne të jemi të bashkuar si kurrë më parë, si popull, si shoqëri, si klasë politike, për t’i rezistuar një krize të vështirë, por nga e cila askush nuk e ka luksin që të shmanget sepse një fitore e Rusisë do të ishte një katastrofë për të gjithë ne, për çdo demokraci, për rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat.

Opozita do duhej që të ishte e bashkuar me ne. Do duhet të ishim të bashkuar që edhe Shqipëria të kontribuojë aq sa mundet në këtë përballje historike. Por çfarë mund të presësh prej opozitës, opozitës së non gratave financuar me rubla ruse? Është vërtet e turpshme që pikërisht ndër shqiptarët, për të cilët lufta në Ukrainë ka një domethënie aq të dhimbshme për shkak të ngjashmërisë me atë që ndodhi në Kosovë e ish Jugosllavi në vitet 1990, ku dihet roli i Rusisë, të ketë sot një forcë politike që bën lojën e Putinit. Po po, që e bën lojën e Putinit. Por nuk është e habitshme po të mendosh që këtë lojë në favor të Putinit e bën sot i njëjti aktor që në kohën e luftërave në ish Jugosllavi thyente embargon e NATO-s ndaj Milosheviçit. Dhe nuk ka asgjë këtu për tu habitur sepse kjo lojë bëhet posaçërisht nga këta aktorë.

Vendi ynë është prekur nga lufta në Ukrainë por pasojat në Shqipëri janë ende shumë më modeste sesa në vendet e Evropës. Shqiptarët po i përjetojnë pasojat e luftës me rritjes e gjithanshme të çmimeve, kjo është e vërtetë, por të gjithë shqiptarët, përfshi ata në opozitë, e dinë fare mirë që nëse tek ne çmimet janë rritur me përqind, në Evropë çmimet e faturave të energjisë, karburantit, ushqimeve, janë rritur me fish. Dhe nëse sot shqiptarët ende e paguajnë energjinë elektrike me të njëjtin çmim si përpara krizës, kjo nuk ka ndodhur me magji, por falë punës të kësaj qeverisë.

Dhe projektbuxheti i vitit 2023 është përpjekur të planifikojë për një situatë që është vërtet fluide dhe një dimër që prite të jetë vërtet i vështirë. Ky projektbuxhet është përpjekur të bëjë më të mirën duke subvencionuar 80% të faturës së energjisë elektrike duke ofruar mburojë financiare përmes paketave sociale, duke rritur fondin e pagave. Duke rritur dy herë pagën minimale duke rritur e dyfishuar ndihmën ekonomike për më nevojtarët e shumë më shumë masa e mbështetje të qytetarëve në këto kohë të vështira. Por nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që ky është një projektbuxhet që vjen në një situatë lufte, ku çmimet e ushqimeve dhe energjisë e gjithçkaje tjetër, janë objektiva ushtarake njësoj si qytetet e Ukrainës që po shkatërrohen nën bombat e raketat ruse.