Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar,

Jam e nderuar dhe dua t’ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë tryezë, që ofron një mundësi shumë të mirë për të diskutuar e për të folur në mënyrë sa më të hapur për procesin e integrimit dhe për sfidat me të cilat haset Shqipëria në këtë proces.

Por përpara se të dal në temën e diskutimit, unë dua të marrë një minutë për të përshëndetur e për të falënderuar Ambasadorin Soreca, i cili përveçse një ambasador me të cilin natyrshëm na ka lidhur shumë puna, ka qenë mbi të gjitha edhe një mik i mirë.

I dashur Luigi, e di që po ikën nga Shqipëria për të marrë një detyrë të re, që për karrierën tënde shënon vërtet një hap shumë të rëndësishëm e të merituar. Në këtë kuptim jam e lumtur për ty. Por nga ana tjetër, e di po aq mirë që do të ta ndjejmë mungesën dhe nëse do të kishte qenë vendimi ynë do të kishim vendosur me shumë dëshirë që të qëndroje këtu.

E them këtë jo si një kortezi të rastit, por si një bindje timen sepse gjatë mandatit tënd në Shqipëri ke ilustruar më së miri ndryshimin dhe kontributin e prekshëm që mund të japë edhe një individ i vetëm në avancimin e proceseve të mëdha siç është ai i integrimit. Kemi gjetur tek ty gjithmonë një mik të gatshëm për të shkuar përtej asaj që kërkon detyra e ambasadorit për të ndihmuar e mbështetur Shqipërinë, veçanërisht në dy momente vërtet dramatike siç ishte tërmeti dhe pandemia.

Të falënderoj dhe të uroj nga zemra sa më shumë suksese në detyrën e re.

 Të nderuar,

Për arsye të kuptueshme, është krijuar prej shumë vitesh një traditë në aktivitete si ky ku jemi mbledhur sot, por edhe në diskutimet për integrimin në përgjithësi, ku mes Shqipërisë në njërën anë dhe BE të përfaqësuar këtu qoftë përmes Delegacionit, qoftë përmes ambasadorëve të vendeve anëtare, ekziston një raport asimetrik, ku në anën tonë ka gjithmonë shumë llogaridhënie e në anën e BE ka përgjithësisht kërkesë llogarie.

Siç e thashë, kjo është e kuptueshme, sepse në fund të fundit ishte Shqipëria ajo që aplikoi për anëtarësim në BE dhe jo anasjelltas. Dhe  padyshim që në rrugën e vështirë të transformimit që kërkon plotësimi i këtij objektivi kombëtar madhor, jemi ne që duhet t’i vërtetojmë BE ecurinë e transformimit, qoftë ky ligjor, politik, ekonomik, social, administrativ, pra jemi ne që duhet t’i vërtetojmë BE progresin që kemi bërë në përafrimin dhe harmonizim gradual me të gjithë kuadrin e BE.

Sot askush nuk mund ta mohojë më që është bërë një punë e jashtëzakonshme në këtë drejtim. Unë nuk dua t’ju marr kohë duke listuar punët e proceset e reformat, sepse të gjitha janë përsëritur shumë shpesh dhe janë e zeza mbi të bardhë në progres raport. Sot, konsensusi – një konsesus pjesë e të cilit janë bërë edhe ato vende që dikur ishin gjykatësit më kritikë të progresit të Shqipërisë – konsensusi është që Shqipëria ka plotësuar çdo kusht e çdo kërkesë që i ishte vënë në këmbim të hapjes së negociatave dhe Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Komisioni Evropian e ka theksuar këtë fakt plot 3 herë në 24 muajt e fundit.

Dhe vërtet, disa nga gjërat që janë bërë janë në fakt paprecedent në historinë e integrimit, kudo që ka pasur një proces integrimi. Reforma në drejtësi për shembull.

Në disa drejtime të tjera, siç është roli rajonal i Shqipërisë apo diplomacia, puna e bërë është e jashtëzakonshme dhe besoj që nuk e teproj, nëse them që ka qenë përtej pritshmërive edhe të vetë BE. Bashkëpunimi rajonal ka arritur sot një nivel që pakkush mund ta mendonte qoftë edhe 10 vjet më parë apo jo? Çka në fund të fundit reflekton pjekurinë që kanë arritur shoqëritë tona dhe klasa jonë politike.

Do të përmendja këtu edhe kontributin që po jep Shqipëria në lëmin e diplomacisë për çështjen e Ukrainës apo edhe faktin që, siç shprehej një zyrtar i BE në një demarsh para ca kohësh, Shqipëria në Këshillin e Sigurimit shihet pak a shumë si të ishte vendi i 28 i BE.

Me këto nuk dua të them që Shqipëria është gati për anëtarësim. Përkundrazi, kemi ende shumë punë për të bërë për të ndërtuar Evropën në Shqipëri. Por është po aq e vërtetë që është bërë një punë e jashtëzakonshme. E njohur dhe e certifikuar edhe nga vetë BE. Dhe nuk duhen harruar kushtet në të cilat është bërë kjo punë, në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë postkomuniste, ku në harkun e 2 viteve vendi është përballur me tri goditje të njëpasnjëshme: tërmeti, pandemia e tanimë kriza që rrezaton edhe në ekonominë tonë lufta në Ukrainë dhe sanksionet. Pra, pavarësisht këtyre krizave që për një vend si Shqipëria kanë qenë shumë herë më të rënda sesa për një vend të zhvilluar të BE, Shqipëria ka vazhduar punën me po të njëjtin përkushtim, po të njëjtën energji, po të njëjtin angazhim për integrimin. A ka ilustrim më të qartë të vullnetit tonë pro BE? A ka provë më të qartë të seriozitetit me të cilin i ka ndjekur Shqipëria detyrimet që i takonin asaj kundrejt Bashkimit Evropian?

Por më lejoni në këtë pikë të shtoj një pyetje, që në fakt diskutohet gjithnjë e më shumë në rajon: A i ka respektuar vallë Bashkimi Evropian po me të njëjtin seriozitet angazhimet dhe premtimet e bëra Shqipërisë dhe rajonit?

Mendoni për një moment një skenar ku kemi një përmbysje të raportit asimetrik të kërkesës dhe dhënies së llogarisë mes Shqipërisë e rajonit dhe BE. Me shumë realizëm padyshim, me shumë vetëdije për sfidat që kemi ende përpara. Por le të imagjinojmë që sot është Shqipëria dhe rajoni në tërësi që hartojnë një progres raport të tyre për performancën e BE kundrejt rajonit. Si i ka përmbushur BE premtimet? Sa e qartë është BE në politikat e saj për rajonin? Çfarë po bën BE konkretisht për të integruar rajonin? Përtej disa sinjaleve pozitive dhe deklaratave vullnetmira a ka BE vërtet një plan konkret dhe qartësinë e duhur strategjike kundrejt Ballkanit Perëndimor?

Personalisht, dhe në këtë s’besoj që të jem një rast i izoluar, kisha pritur që lufta në Ukrainë dhe kriza madhore, ekzistenciale mund të thuash, me Rusinë, ta shkundte BE dhe ta shtynte atë drejt hapave konkrete e të guximshme për sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor. Një rajon i cili, siç e dimë nga situata në Bosnje Hercegovinë apo situata e ngelur pezull në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës së  izoluar si ndonjë geto brenda getos së madhe të pa integruar mu në mes të BE që është Ballkani Perëndimor, është ndoshta rajoni i dytë më i rrezikuar nga makinacionet e Vladimir Putin, pas Ukrainës.

Pra, ishte e logjikshme të prisje që një sfidë e këtyre përmasave ta shtynte BE drejt veprimeve konkrete, ta bënte të përqendrohej dhe ndoshta të adoptonte një formulë të re, më politike, më strategjike, për ta nxitur e përshpejtuar këtë proces e për të stabilizuar njëherë e mirë këtë rajon. Por sot që flasim – ndoshta është herët – shohim një BE ku në qasjen ndaj integrimit të rajonit tonë ende s’ka ndryshuar gjë në terma konkretë. Në fakt, duke sikur lufta në Ukrainë po luan të njëjtin rol sot që kanë luajtur zakonisht zgjedhjet parlamentare në vendet e mëdha të BE, duke u kthyer në një burim shpërqendrimi e arsye për të shtyrë vendimmarrjet e hapat konkrete në raport me integrimin e rajonit.

Shpresa vdes e fundit. Unë vazhdoj të shpresoj që BE do të ndërmarrë një hap të tillë. Ajo që është e sigurt është që teksa BE mendohet, ne do të vazhdojmë punën për reformat e për evropianizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë mundësitë tona për thellimin e bashkëpunimit rajonal si një kusht i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë mundësitë tona në Këshillin e Sigurimit e kudo, për të avancuar diplomatikisht agjendën e përbashkët të prioriteteve.