Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Miratimi i Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian në lidhje me programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit është realisht një moment i rëndësishëm. Shpresoj që kolegët në të dy anët e sallës do ta miratojnë atë unanimisht me votën e tyre.

IPA është një nga instrumentet më të rëndësishme dhe më me shumë vlerë në mbështetje të procesit të integrimit, duke mbështetur financiarisht reformat modernizuese e integruese të Shqipërisë.

Programi për vitin 2019, për të cilin votojmë sot, është pjesë e asistencës së IPA II që përfshin një periudhë 7 vjeçare, nga viti 2014 – 2020, qasja e të cilit është përmbledhur në Dokumentin Indikativ Kombëtar 2014 – 2020, ku përcaktohen prioritetet e asistencës financiare të BE-së për periudhën 2014-2020 për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit.

E veçanta e këtij programi, që ka një kosto totale prej 71 905 555 Euro, me një kontribut maksimal të Bashkimit Europian prej 70 650 000 Euro, është se nëse fillimisht këto fonde ishin ndarë mes programit për “Përfshirje sociale” dhe atij për “Ekonominë qarkulluese”, aktualisht, pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemisë COVID 19, këto fonde janë rialokuar duke u përqendruar plotësisht në programin për mbështetje sociale.

Besoj që ky është një moment i mirë për të falënderuar Bashkimin Europian për mirëkuptimin dhe gatishmërinë që ka treguar për t’ia përshtatur programin e vitit 2019 nevojave akute me të cilat u përball Shqipëria si pasojë e këtyre dy krizave të paprecedenta.

Por është një moment për të qenë mirënjohës ndaj BE për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në rrugën e saj të integrimit. Sepse padyshim, programe mbështetjeje si IPA, apo programet pararendëse, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e reformave integruese që ka ndërmarrë vendi. Reforma të cilat kanë qenë shumë të vështira dhe kanë pasur një kosto jo të vogël për vendin. Por që na kanë sjellë sot tek një pikë kur më në fund, pas shumë vitesh punë e reforma, jemi në një moment kritik të procesit të integrimit, kur brenda 6 mujorit të parë të vitit presim të jetë miratuar korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Gjithsesi, besoj që të gjithë ne duhet t’i njohim vetes disa mangësi e kritika lidhur me aftësinë që kemi pasur për të përthithur fondet IPA e për të përdorur këtë instrument kaq strategjik. Sepse progresi në thithjen e këtyre fondeve ka qenë shpesh i vonuar dhe jo i njëtrajtshëm nëse krahason performancën e sektorëve të ndryshëm. Pavarësisht progresit të madh që është bërë gjatë viteve të fundit, kemi pasur e vazhdojmë të kemi probleme në të gjitha fazat e zbatimit të këtyre programeve, duke filluar që nga identifikimi i nevojave e hartimi i projekteve e sidomos tek implementimi.

Sigurisht që një pjesë e rëndësishme e arsyes për këto probleme vjen edhe nga problemet që ka vetë instrumenti. Sepse tashmë besoj që edhe vetë përfaqësuesit e BE e pranojnë që IPAt janë një instrument shumë kompleks dhe i vështirë, i ngarkuar me shumë burokraci, që kërkojnë kapacitete e burime njerëzore shumë të avancuara, në çdo nivel të qeverisjes qendrore apo vendore, për t’u përthithur me sukses. Burime e kapacitete, që pak vende jashtë BE kanë mundësinë t’i kenë të plota e funksionale. Burime e kapacitete, arritja e të cilave është në fakt një nga objektivat e procesit të integrimit për Shqipërinë.

Unë shpresoj shumë, që edhe nga ana e BE do të ketë eventualisht një lloj reflektimi, për ta thjeshtëzuar disi këtë instrument, për ta lehtësuar atë disi nga pesha e jashtëzakonshme e burokracisë, padyshim pa bërë kompromis me standardet.

Por unë besoj po ashtu që vetë ne kemi shumë hapësirë për t’u përmirësuar e për të rritur performancën tonë në përdorimin e këtij instrumenti kompleks. Duke filluar që nga institucioni që unë drejtoj, ku rritja e performancës dhe aftësive tona për të përthithur financime nga BE është një nga prioritetet e punës sonë.

Ne tashmë jemi duke punuar për të hartuar një plan konkret për rritjen e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore që i dedikojmë këtyre programeve. Duke filluar që nga rritja e kapaciteteve që do t’i dedikojmë përmirësimit të koordinimit mes institucioneve tona, çka do të na lejojë të identifikojmë më mirë nevojat tona për financime. Por duke rritur po ashtu shumë kapacitetet në një tjetër fushë ku performanca jo rrallë ka lënë për të dëshiruar, që është hartimi i projekteve.

Kam shumë besim që kur ky objektiv i brendshëm, i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të jetë realizuar, pra kur këto kapacitete të shtuara të jenë bërë funksionale e të vihen në punë, i gjithë procesi i përthithjes së fondeve IPA do të bëjë një hap të madh cilësor përpara duke na lejuar ta përdorim sa më mirë e me përfitime maksimale këtë instrument kaq të rëndësishëm.