Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Kryetar,

Më lejoni që në emër të Qeverisë Shqiptare, t’ju uroj Ju dhe Përfaqësuesve të Lartë nga Sierra Leone, Sudani, Gjermania dhe Kanadaja, si bashkëkryetarë të Komisionit për Ndërtimin e Paqes, që organizuat këtë Konferencë të Nivelit të Lartë për Angazhim për Fondin për Ndërtimin e Paqes.

Në këtë 75 vjetor të themelimit të Kombeve të Bashkuara, ne jemi më të bindur se kurrë për rëndësinë e Kombeve të Bashkuara, si gur themeli për bashkëpunim multilateral dhe të bazuar në rregulla, për një paqë të qëndrueshme.
Ne e mbështesim fuqishëm vizionin e Sekretarit të Përgjithshëm, sikurse shprehur në Strategjinë (2020-2024) – një dokument i qartë, ambicioz dhe njëkohësisht real mbi nevojën për një qasje multidimensionale për parandalimin e konfliktit.

Për këtë qëllim, Fondi për Ndërtimin e Paqes i Sekretarit të Përgjithshëm është realisht një instrument financiar i domosdoshëm, për avancimin e zbarimit të ndërtimit të paqes dhe veprimeve parandaluese. Shqipëria vendoset njëzëri bashkë me delegacionet e tjera, në mbështetje të kërkimit të mundësive për bashkëpunime të reja dhe modeleve innovative të financimit, që bëhen të domosdoshme përballë krizave të paprecendenta, të shkaktuara nga pandemia e Covid-19. Krizë kjo që ka zbuluar sesa të rëndësishme janë rreziqet e nën-financimit të përpjekjeve për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konfliktit.

Shqipëria beson shumë në vlerat e multilateralizmit dhe tek rendi i bazuar në rregulla, nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara, në adresimin e sfidave dhe problemeve të sotme. Shqipëria e ka dëshmuar këtë nëpërmjet rolit konstruktiv që ka luajtur në rajon, ku ka promovuar bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, si mënyra më e mirë për të forcuar paqen dhe sigurinë. Shqipëria është një pjesëmarrëse aktive në nismat rajonale. Vendi jonë mban Zyrën për Bashkëpunimin Rinor Rajonal dhe ne i jemi mirënjohës Fondin për Ndërtimin e Paqes, për mbështetjen e kësaj nisme, pasi nëpërmjet mbështetjes së shkëmbimeve rinore në nivel rajonal, është duke luajtur një rol vendimtar në ndërtimin e urave mes shoqërive tona, si mënyra më e mirë për të konsoliduar paqen dhe sigurinë.
Në këtë kontekst, dua të theksoj angazhimin e fortë të Shqipërisë, për të punuar së bashku me vendet e Ballkanit, duke përfshirë dhe Shtetin e ri të Kosovës, në shërbim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajon.

Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol, sado modest në shkallë globale, drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në botë, si dhe drejt sigurimit të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të barabartë për të gjithë. Në raport me popullsinë e saj, Shqipëria ka dhënë kontribut të konsiderueshëm në nismat për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke siguruar rreth 8,000 trupa në misionet  paqeruajtëse, që nga viti 1996.

Ne besojmë se përtëritja e angazhimit tonë të thellë, për një multilateralizëm efektiv, është sot më e nevojshme se kurrë. Si një vend kandidat për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për vitin 2022-2023, Shqipëria mbetet e angazhuar për të punuar së bashku me aktorët e tjerë rajonale dhe ndërkombëtarë për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e mbajtjen e paqes.

Ne kemi mësuar nëpërmjet historisë se ndërtimi i paqes kërkon kohë dhe përpjekja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Zëri i të gjithë komuniteteve duhet dëgjuar. Në këtë kontekst, ne besojmë se gratë dhe vajzat kanë një rol të veçantë, në ndërtimin e paqes. Shqipëria i ka bërë Gratë, Paqen dhe Sigurinë, pjesë të legjislacionit të brendshëm, por gjithashtu pjesë të shërbimit të politikës së saj të jashtme. Në vitin 2019, për herë të parë, Shqipëria nisi të marrë pjesë në një mision paqe-ruajtës të Kombeve të Bashkauar, duke dërguar si fillim dy oficere gra të armatosura me qëllimin kryesor për të rritur gradualisht prezencën në operacionet paqe-ruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbetet një prioritet për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.

Për më shumë, Shqipëria sapo ka mbyllur me sukses kryesimin e OSBE-së për vitin 2020, ku punoi për forcimin e bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Së fundmi, Shqipëria mirëpret raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për vitin 2020, mbi ndërtimin e ruajtjen e paqes. Ne vlerësojmë qasjen multidimensionale të Sekretarit të Përgjithshëm për të lidhur paqen dhe sigurinë me zhvillimin e qëndrueshëm, të drejtat e njeriut dhe shtyllat e humanitarizmit, duke rikonfirmuar rëndësinë e Agjendës të vitit 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Ne mbetemi besimplotë në bashkëpumin me Koordinatorin Rezident të Kombeve të Bashkuara dhe skuadrën e OKB-së në vend, për të siguruar udhëzime strategjike dhe mbështetje në promovimin e arritjeve të Shqipërisë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendës së 2030, si një kornizë për përpjekjen kolektive të ndërtimit të shoqërive paqësore, të drejta, të lulëzuara dhe gjithëpërfshirëse.
Shqipëria do vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin rajonal, dialogun dhe ndërtimin e besimit dhe në këtë kontekst, mirëpresim angazhimin e Fondit për Ndërtimin e Paqes në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Faleminderit!