Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

 

Unë dua të përgëzoj Kanadanë dhe sigurisht ju dhe ekipin tuaj, për këtë iniciativë të guximshme dhe për të gjithë punën që keni bërë në promovimin e Deklaratës kundër Ndalimeve Arbitrare në Marrëdhëniet Shtet me Shtet.

Dua të ritheksoj mbështetjen e Shqipërisë për këtë deklaratë.

Ne ndajmë shqetësimin e të gjitha vendeve të mbledhura këtu sot për shkak se, për fat të keq, në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të një numri në rritje të ndalimeve arbitrare të shtetasve të huaj të pafajshëm, nga qeveritë, të cilat qartazi, duan t’i përdorin ato si mjete negocimi në marrëdhëniet e tyre me qeveritë dhe vendeve të origjinës të të ndaluarve.

Dua të them pa mëdyshje se një sjellje e tillë është e papranueshme. Dhe nuk duhet të jemi më tolerantë ndaj sjelljeve të tilla në marrëdhëniet midis shteteve, ashtu siç nuk jemi në vendet tona lidhur me ndalimet arbitrare.

Ekziston një asimetri e qartë midis vendeve që kryejnë një sjellje të tillë nga njëra anë, dhe atyre që i pësojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, të drejtave të individëve dhe të marrëdhënieve midis shteteve.

Asnjë vend që beson në shtetin e së drejtës, nuk mund të përfshihet në një sjellje të tillë. Dhe as nuk mund të tolerojë një shpërfillje të tillë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.

Llogaritjet pas veprimeve të tilla janë sa të thjeshta, aq edhe cinike.

Çdo vend që beson në të drejtat e qytetarëve do bëjë gjithcka të mundet për mirëqenien dhe lirimin e tyre, veçanërisht kur ata janë viktimë e rrethanave përtej kontrollit të tyre. Dhe asnjë vend i tillë, nuk mund dhe nuk do t’ju përgjigjet. Dhe as do të mendonte për ndalimin arbitrar të një shtetasi të huaj, për të siguruar lirimin e shtetasve të tij të ndaluar.

E di që kjo shpesh perceptohet si një dobësi, por besoj se kjo vetëm dobësi nuk është. Ne marrim forcë nga vlerat, normat dhe standardet tona.

Dhe është pikërisht për shkak të këtyre vlerave, normave dhe standardeve të përbashkëta që ne, nga kontinente të ndryshme, kultura dhe tradita të ndryshme jemi bashkë dhe refuzojmë këto lloj sjelljesh.

Ne duhet t’u dërgojmë një mesazh të qartë të gjithë atyre, që e konsiderojnë ndalimin arbitrar të shtetasve të huaj, si një mjet për politikën e jashtme, se veprimet e tilla kanë një çmim. Dhe ky çmim nuk është i parëndësishëm, por një njollë mbi reputacionin dhe imazhin e atyre që përfshihen në veprime të tilla.

Unë besoj se kjo deklaratë është një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndalimeve arbitrare në marrëdhëniet midis shteteve. Dhe sapo një shumicë shtetesh të një mendjeje të bashkohet në mbështetje të deklaratës, unë besoj se çmimi i një sjelljeje të tillë do të jetë shumë i lartë për këdo që mund ta konsiderojë këtë qasje.

Edhe një herë ju përgëzoj për iniciativën dhe shpresoj të punojmë së bashku në të ardhmen.