Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, mori pjesë në natën e dytë të “Festivalit Kulturor Izrael-Shqipëri”, në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, zv. Ministrja Fino vlerësoi aktin humanist të shtetit shqiptar në mbrojtjen dhe strehimin e familjeve hebreje, duke i cilësuar këto si pjesë të qenësishme të kulturës e kodit të mikpritjes dhe traditës shqiptare.

Sipas saj, festivali mundëson dialogun mes popujve të Shqipërisë dhe Izraelit, mes kulturave dhe asaj që dy vendet mund të promovojnë së bashku në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar.

“Kënaqësi të përshëndesja festivalin kulturor Shqipëri-Izrael të organizuar me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ky festival mundëson dialogun mes popujve tanë, mes kulturave dhe asaj që dy vendet tona mund të promovojnë së bashku në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar. Me aktet e tyre të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kodi shqiptar i besës i dëshmoi botës se nuk ka rëndësi sa vend i vogël je, e rëndësishme është të kesh shpirtin e madh”, shkruan zv. Ministrja Fino në Twitter.